SHBA-BE: Protesta është e drejtë absolute, por pa dhunë

SHBA-BE: Protesta është e drejtë absolute, por pa dhunë
Diplomacia e huaj intensifikoi dje thirrjet që të shtunën protesta të mos shoqërohet me dhunë. Shqetësimi për shkarje të situatës drejt destabilitetit është i bazuar në precedentë të trazirave dhe dhunës në protestat e opozitës së djathtë në 1998 dhe asaj të majtë në 21 janar 2011, ku u vranë 4 protestues që nuk kishin armë. Protesta e 16 shkurtit shihet tani edhe si një test për shpresat e hapjes së negociatave me BE në qershor.

Ambasadori i BE në Tiranë apeloi për zhvillimin e një manifestimi paqësor në demonstratën e 16 Shkurtit në Tiranë. “Mendoni për të ardhmen”, - tha ai. Megjithatë Soreca tha se ky është një moment me rëndësi për Shqipërinë në kuptimin që e drejta e tubimit, e drejta e fjalës, janë një pjesë thelbësore e çdo shoqërie demokratike. “Por është gjithashtu e vërtetë, - vijoi Soreca, që këto të drejta duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore”. Duke pritur një manifestim paqësor, që të mos kthehet në dhunë, Soreca shtoi se “kjo është një thirrje për të gjitha palët e përfshira”. Ndërsa apeloi: “Dhuna nuk do t'i lejojë ata që dëshirojnë të flasin që zëri i tyre të dëgjohet. Dhuna nuk ndihmon në përçimin e mesazhit. Ndaj thirrja ime është për ta: Flisni pa dhunë dhe mesazhi juaj do të dëgjohet”.

Londra: Demonstrata të jetë paqësore

Edhe ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman, bëri thirrje për një demonstratë paqësore. “Mbretëria e Bashkuar e konsideron të drejtën për të protestuar si një e drejtë demokratike themelore. Megjithatë, demonstrimet duhet të jenë paqësore në qoftë se ata janë për të mbështetur demokracinë”.

SHBA: Qeveri-opozitë, refuzoni dhunën

Edhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, bëri apel të ngjashëm: “E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme”, - thotë ambasada. Më tej shton: “Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive”.

OSBE: Mos tentoni një grusht shteti

Duke kërkuar që protesta të mos degjenerojë në dhunë, edhe OSBE kërkoi dje që të mos tentohet grusht shteti. “Aspiratat e të gjithë qytetarëve shqiptarë kërkojnë një diskurs politik të pjekur dhe konstruktiv; trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet. Shqipëria ka parë boll dhunë politike në të shkuarën. Çdo kthim në atë kohë vetëm sa do të dëmtonte vendin, veçanërisht tani që ai futet në një periudhë katërmujore vendimtare, kur të gjitha përpjekjet dhe energjitë duhet t'i kushtohen organizimit të zgjedhjeve vendore, të cilat janë një provë e vërtetë për demokracinë”, - thuhet në qëndrimin e OSBE e cila së afërmi pritet të drejtohet nga Shqipëria.