Pyetësori i KLSH, “ngel në klasë” pedagogët

Pyetësori i KLSH, “ngel në klasë” pedagogët
 

Përsa i përket kërkimit shkencor, praktikës mësimore, literaturës së trajtuar, aksesit në libra dhe revistave akademike, studentët e shtatë universiteteve kryesore në Shqipëri ‘”ngelin në klasë” pedagogët e tyre.

Në lidhje me një pyetësor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumica e studentëve të pyetur të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Universitetit Bujqësor Tiranë, Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit “Fan S. Noli” Korçë, kanë vlerësuar me “dobët” stafin akademik për punën kërkimore shkencore. Po ashtu, shumica e studentëve kanë vlerësuar me dobët literaturën e programeve universitare. KLSH thekson se literatura e nevojshme përbën një nga elementët kyç për një student që ndjek programet universitare (dhe jo vetëm).

Sipas raportit, situata na paraqitet në një gjendje jo të duhur për sa i takon rëndësisë që ka, pasi shumica e studentëve të pyetur i qëndrojnë mendimit se literatura ka qenë dobët (310) apo mjaftueshëm (305) për të garantuar një mbarëvajtje mësimore optimale. Gjithashtu, shumica e studentëve janë përgjigjur me ‘dobët’ kur janë pyetur për aksesin në libra dhe revista akademike. “Aksesi në libra dhe revista akademike është i domosdoshëm për zgjerimin njohurive cilësore. Përgjigja dobët (330) rezulton të jetë më e zgjedhura me një diferencë të madhe nga përgjigjet e tjera. Më pas, si më të zgjedhurat renditen opinionet si, të mjaftueshëm (280) dhe të mirë (230).

Aksesi në revista elektronike mund të konsiderohet në nivel jo të dëshirueshëm pasi, në përgjigjet e marra, studentët janë të mendimit se ka qenë i dobët (370) dhe shumë i dobët (rreth 350). Alternativat e tjera kanë një diferencë të theksuar në krahasim me ato më të zgjedhurat”, thuhet në raportin e KLSH.