PLANI I RI/ Ku përfundojnë pasuritë e sekuestruara? Qeveria: Janë në mëshirë të fatit, t’i shesim!

PLANI I RI/ Ku përfundojnë pasuritë e sekuestruara? Qeveria: Janë në mëshirë të fatit, t’i shesim!
Zgjatja me vite të tëra i gjyqeve mbi pasuritë që sekuestrohen, duket se i ka shqetësuar së tepërmi ekspertët e qeverisë mbi zhvlerësimin që atyre u ndodh, deri edhe në humbjen e plotë të tyre. Ja çfarë propozojnë...

Shumë pasuri të sekuestruara nga shteti në kuadrin e luftës kundër krimit apo terrorizmit, po rrezikojnë që të humbasin. Një shqetësim i tillë ngrihet nga ekspertët e qeverisë, në një projektligj të posaçëm, përmes të cilit rekomandojnë shitjen e tyre që në momentin e parë, pa lejuar që t’u kalojë koha e të zhvlerësohen, ndërsa ato enden ndër vite përmes gjykatave. Sipas tyre, ato duhet të mbeten në varësi të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK dhe jo në duart e gjykatës, për të cilën pohojnë se “pasi ajo i vetëmenaxhon, ose ia cakton administrimin një burimi të jashtëm, në shume raste, pasuritë mbesin të paadministruara fare dhe në mëshirë të fatit”. “Deri tani, gjykatat nuk janë të detyruara t’ia kalojnë AAPSK-së për administrim, pasuritë që sekuestrohen gjatë proceseve penale që ato zhvillojnë, pasi nuk ka një ligj që t’i detyrojë ta bëjnë”, sqarojnë ekspertët dhe prandaj sugjerojnë ndryshimin e ri ligjor. Konkretisht, sipas tij sugjerohet se që nga momenti i parë i sekuestros, të jetë agjencia e lartpërmendur ajo që do t’i administrojë pasuritë, duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, pa pritur vendimet penale të gjykatave të cilat marrin vite kohë. “Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë. Kjo pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e shtetit për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre”, argumentojnë ekspertët e qeverisë lidhur me një fakt të tillë. “Të shtohen kompetencat për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, qysh në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit. Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit”, shtojnë gjithashtu ata.

 

Shqetësimi: “Konfuzion i lartë në procesin e konfiskimit të pasurisë”

“Strukturat e zbatimit të ligjit dhe prokurorët shqiptarë, si dhe vlerësuesit e jashtëm kanë raportuar një nivel të lartë të konfuzionit të roleve dhe strukturave brenda procesit të konfiskimit të pasurisë në Shqipëri”. Ky është një tjetër pohim interesant që bëhet nga vetë ekspertët e qeverisë, në kuadrin e propozimit të tyre për një ndryshim të ri ligjor, në lidhje me pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara. E duke pranuar në këtë mënyrë shqetësimin e tyre për ekzistencën e paqartësive në lidhje me fundin që kanë të tilla pasuri ndër vite.

 

Ligji ekzistues, humbin të paktën 3 vjet nga sekuestrimi te konfiskimi

Sipas ligjit ekzistues, sekuestrimi është një masë e përkohshme, me anë të së cilës pronarit i hiqet posedimi, e rrjedhimisht edhe përfitimet që mund të prodhojë pasuria, por nuk i hiqet pronësia mbi të. Një masë kjo, e cila vendoset për një periudhë 6-mujore, me mundësinë që ky afat mund të zgjatet. Kurse konfiskimi është një masë përfundimtare dhe sanksionon kalimin e pasurisë në pronësi të shtetit. Ky i fundit “hyn në lojë” që nga momenti i daljes së vendimit të parë për sekuestrim e deri në vendimin përfundimtar të konfiskimit, ku i gjithë ky proces zgjat më së paku dy vjet, mesatarisht tre.