Perimet dhe frutat, po bëhen të shtrenjta sa mishi dhe bulmeti

Perimet dhe frutat,  po bëhen të shtrenjta  sa mishi dhe bulmeti
“Dola me 10 mijë lekë nga shtëpia për në treg. Tani nuk kam asnjë qindarkë. E çfarë bleva? Vetëm patate, qepë, limona, mollë e portokalle. Sikur bleva një kile mish apo djathtë...”. Pensionistja Drita mendonte në fakt se po gjente “ngushëllim” tek shoqja, kur ajo po i qante edhe më keq hallin e saj. “Mos e pyet. Kemi që për Vit të Ri që nuk kemi blerë as domate dhe as kastravec. Ky ka shkuar 250 lekë/kg, po ku kemi ne aq lekë...”.

Një dialog normal ky, mes njerëzve të zakonshëm, që e nisin ditën duke bërë pazar dhe që ndoshta më shumë se ata, të cilët rrinë tërë ditën zyrave e thurin shifra, e njohin vërtet realitetin. Në këtë rast, atë të çmimeve të mallrave të konsumit nëpër tregje, ku sidomos ato të fruta-perimeve kanë njohur një rritje të madhe të tyre gjatë ditëve të fundit. Kështu, perimet e stinës, të cilat në fakt duhej që të ishin me çmime më të ulëta këtë periudhë për shkak të efekteve sezonale, ka rezultuar se nuk janë aspak të tilla. Preshi, lulelakra apo brokoli janë më shtrenjtë sesa në periudhën e para vitit të ri. Për të mos folur për prodhime të tjera si sallata jeshile, qepa dhe patatja, të cilat kanë arritur “pikun” e çmimeve të tyre si 200, 150 apo 100 lekë/kg. Arsyeja? Sipas kreut të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, kjo dukuri e ka zanafillën së pari tek sasia gjithmonë e më e pakët e këtyre prodhimeve në tregun vendas. “Ka ndikuar së pari ulja e sipërfaqes se kultivimit të disa perimeve, se në vitin 2017 atyre nuk iu shitën nga moti i keq dhe fermerët nuk po i mbjellin më si më parë”, pohon ai posaçërisht për “Albanian Free Press”. Duke shtuar se nga viti në vit, me kalimin e kohës, fermeri shqiptar po duket më i interesuar të kultivojë më shumë prodhime që i sjellin fitime të larta e më pak perime. Kësisoj, tregu ka një ofertë më të pakët, ndërsa kërkesa për to vazhdon të jetë e njëjtë, gjë që sjell natyrshëm edhe rritje çmimesh. “Por nuk duhet të harrojmë as kostot e larta të prodhimit bujqësor me të cilat përballet fermeri, apo edhe kushtet e këqija të motit, si në verën e tejzgjatur, përmbytjet, apo edhe në dimër, që ia prishin prodhimet”, shton ai. Për të pranuar më tej se prodhimi vendas realisht po përballet me probleme. Pa harruar të përmendë këtu as edhe ato të ambalazhimit, apo edhe standardet. Ndërsa përjashton faktin e ndërhyrjes së mundshme të enteve shtetërore për ta rregulluar një situatë të tillë. “Është thjesht çështje tregu, thjesht kërkesë-ofertë”, thekson ai.

Mungesa e prodhimeve vendase, reflektim dhe tek eksportet e tyre

Më pak perime dhe fruta të prodhuara në vend, përkthehet jo vetëm në një kosto të shtuar për qytetarin shqiptar, por në të njëjtën kohë edhe me më pak eksporte të tyre jashtë shtetit. Teksa dihet se ato gjatë viteve të fundit kanë pësuar një rritje të ndjeshme të tyre. Por si pasojë e më pak prodhimi nga fermeri, i bie që shumë kontrata të lidhura prej tyre, të përballohen me vështirësi. E duke qenë se ata janë më të prirur drejt fitimit më të lartë, natyrshëm që do ta mbushin “gropën” e krijuar në eksportet jashtë shtetit, me mallin që kishin destinuar për në tregjet shqiptare. Kjo pasi fermeri e ka kuptuar që nga shitja e perimeve dhe frutave me çmime të ulëta, siç ka ndodhur në fakt vitet e fundit, nuk do të fitojë shumë, ose siç thuhet rëndom, “nuk ia vlen barra qeranë”, prandaj ai zgjedh pikërisht eksportin si varkën e “shpëtimit”.

Që çmimet u rritën në janar, e konfirmoi edhe INSTAT-i

Që çmimet e perimeve u rritën gjatë muajit janar në tregjet shqiptare, këtë dukuri e konfirmoi zyrtarisht edhe Instituti i Statistikave. Kështu, në raportin e tij të fundit për inflacionin, ose siç njihet ndryshe, indeksi i çmimeve të shportës së mallrave të konsumit ai theksoi se kjo kategori mallrash kishin shënuar edhe rritjen më të lartë, ndër të tjerët. “Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me nivelin prej 36.3%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 1.3%, “peshk” me 1%, etj”, citojnë ekspertët e INSTAT-it, lidhur me dukurinë në fjalë.

Ku po përfundojnë prodhimet shqiptare? 10 shtetet kryesore

Italia është blerësi kryesor i prodhimeve shqiptare blegtorale, bujqësore dhe agro-industriale. Sipas të dhënave, rreth 8.6 miliardë lekë është llogaritur vlera e eksporteve të tyre drejt saj gjatë vitit 2018 dhe në sasi, 22.3 mijë tonë produkte janë tregtuar në këtë shtet. Por gjithsesi, duhet thënë se pavarësisht se renditet në vendin e parë, eksportet drejt këtij vendi kanë pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2017. Ndërsa pas saj, e dyta renditet Kosova, me rreth 2.9 miliardë lekë, apo 74.4 mijë tonë. Gjithashtu, shifrat tregojnë se prodhimet shqiptare duket se kanë gjetur tregje të mira edhe në Suedi, e cila renditet në vendin e tretë, apo Greqi, Serbi, SHBA, Gjermani, Spanjë, Rumani, dhe Maqedoni, me vlerë shitjesh mbi 1 miliardë lekë. Teksa peshën kryesore të tyre në eksporte e zënë perimet, frutat, arrorët, ujërat. Ndërsa në total, eksportet bujqësore për vitin 2018 janë regjistruar në 33.8 miliardë lekë, nga 31.5 miliardë lekë që kanë qenë në vitin 2017, me një rritje prej 2.3 miliardë lekë.