Nga TALAT XHAFERI - MAQEDONIA E VERIUT, NJË SHOQËRI PËR TË GJITHË

Nga TALAT XHAFERI - MAQEDONIA E VERIUT, NJË SHOQËRI PËR TË GJITHË
Nga TALAT XHAFERI

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Sot jam dëshmitar i një akti kaq solemn për ne, për qytetarët e Republikës së Maqedonisë Veriore dhe për gjithë ata që kontribuuan për atë se ku gjendemi sot, që na besuan dhe na mbështetën. Sot, para së gjithash jam dëshmitar i reflektimit të drejtpërdrejtë të miqësisë së vërtetë, fqinjësisë së sinqertë dhe mbështetjes së pakushtëzuar të një shteti vëllazëror siç është Republika e Shqipërisë.

Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë të ndërthurura me fije të forta të miqësisë, por edhe të lidhjeve farefisnore. Kemi raporte bilaterale të zhvilluara në të gjitha nivelet politike më të larta, por edhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, madje edhe turistik. Ju jeni mbështetësi ynë i fortë në të gjitha nismat rajonale dhe para organizmave ndërkombëtare multilaterale.

***

Besoj se jeni mirë të familjarizuar me përpjekjet e shumicës parlamentare aktuale për ndërtimin e një imazhi të ri të shtetit përbrenda dhe në raportet me fqinjët. Jemi të përkushtuar në ndërtimin e një 'shoqërie për të gjithë ", pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, sociale apo tjetër.

Punojmë shumë në drejtim të bërjes së reformave në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe ky proces nuk është aspak i lehtë por synimi ynë është shtet me të vërtet demokratik me sundim të së drejtës dhe me institucione funksionale në shërbim të qytetarëve prandaj punojmë me përkushtim.

Paraprakisht u përqendruam maksimalisht në mbylljen e çështjeve që e ngarkonin rrugëtimin tonë kah arritja e përcaktimeve tona strategjike, gjegjësisht anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE. Nënshkruam marrëveshje për miqësi e fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë.

Nënshkruam marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Republikën e Greqisë. Miratuam ndryshimet kushtetuese, gjë që nuk ishte aspak e lehtë dhe shkaktoi protesta në të dyja anët, gjë që flet vetvetiu se Marrëveshja është një kompromis “win-win”, ku të gjithë janë fitimtarë dhe të gjithë janë humbës. Por në fakt fitoi largpamësia dhe guximi i shumicës parlamentare, fitoi vizioni për ardhmërinë e sigurt dhe fituan qytetarët tanë.

E dinim ku duam të jemi dhe nuk hezituam në asnjë çast, pa dallim në vështirësitë, sepse qytetarët tanë meritojnë të jenë qytetarë të lumtur, me të drejta dhe liri të barabarta, me vlera dhe standarde evropiane, me mundësi dhe shanse të njëjta. Dhe nuk ishim dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Çdo herë i kemi pasur pranë miqtë dhe partnerët e vërtetë dhe për këtë jemi mirënjohës pa masë.

Përpjekjet tona nuk dështuan dhe tani jemi në fazën e kalimit të kilometrave të fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në raport me NATO-n, ne shpresojmë se deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit 2020, protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, që para pak javësh u nënshkrua në mënyrë solemne në Bruksel nga ana e 29 ambasadorëve të shteteve anëtare e NATO-s.

Para dy ditëve, Protokollin e ratifikoi Kuvendi i Republikës së Sllovenisë dhe simbolikisht e hapi derën për parlamentet nacionale të tjera. Edhe sot Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ratifikoi Protokollin e Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ndaj qytetarëve të saj. Jeni të sigurt se ne këtë do mbajmë mend gjithmonë dhe gjithmonë kemi ditur t’i respektojmë dhe vlerësojmë miqtë tanë të vërtetë - Shqipëria dhe shqiptarët janë pikërisht kjo.