Nga FRROK ÇUPI - MË SHUMË SE E VËRTETA

Nga FRROK ÇUPI - MË SHUMË SE E VËRTETA
E vërteta ka kufi, ndërsa “e vërteta më shumë...” është si marrëzia që nuk njeh kufi. “E vërteta” është kompleti i njohurive mbi sende reale, mbi fenomene, mbi ligje, mbi ligjësi..., siç janë dhe siç mund të bëhen. Studiues të raporteve mbi të vërtetën dhe “më shumë se e vërteta”, kanë ardhur në përfundimin se “teprimi i të vërtetës është totalitarizëm”. Kush nuk i qëndron “të vërtetës” ai ka humbur lirinë; me “më shumë se e vërteta” je plotësisht skllav dhe kërkon skllavërimin e të tjerëve... Atëherë pse i duhet opozitës (në përgjithësi politikës) “më shumë se e vërteta”?

Nga FRROK ÇUPI

Në momentin kur tjetri të thotë se “kjo është më se e vërteta”, ti mund të bësh “bye-bye!, shihemi ndonjëherë tjetër”. Nëse nuk do që të vazhdosh të dëgjosh të pavërteta... Njerëzit e kanë këtë “atribut” të brendshëm: ata që duke dashur të shtojnë “të vërtetën”, dëshmojnë se nuk po thonë gjë të vërtetë.

Nëse gjithë ditën e natën, disa politikanë pasionantë po thonë se “në datë 16 do të rrëzojmë qeverinë”, këta po thonë “më shumë se të vërtetën”.

Domethënë këta po mashtrojnë njerëzinë si të ishin dele.

E vërteta është kjo: Qeveria në demokraci bie, ose edhe rrëzohet! Kjo është “e vërteta”; ndërsa kur do që të gënjesh “delet” iu thua se “do ta rrezojmë në datë 16”. Politikanët përbindësh s’e kanë për gjë që të mashtrojnë njerëzinë e urtë duke iu thënë “më shumë se të vërteta”. E vërteta është se në demokraci bien qeveritë, ndërrohen, përtërihen, ose jo... Mënyra është kjo: krijohet mazhorancë parlamentare dhe i hiqen tullat qeverisë. Ose bëhen zgjedhje parlamentare dhe fiton ai që është më i miri. Ose shuhet më shumë se gjysma e popullsisë, por prapë duhen zgjedhje me ata që mbetën... Ndryshe “rrëzimi” është “më shumë se e vërteta”, dhe kjo i poshtëron njerëzit që u shkojnë pas mashtruesve.

“E vërteta” është se parlamentet tona ndërtohen edhe duke blerë vota, ose duke i manipuluar- nga secili krah; tani vonë më pak se më parë. Kjo është e vërtetë. Por këta thonë se “qeveria dhe shteti janë të paligjshëm, vijnë nga krimi”. Kjo është “më shumë se e vërteta”, d.m.th., ky është mashtrim dhe poshtërim i kombit. Sipas këtyre “të pandershmëve”, kombi ynë qenka një kopè që ushqehet vetëm me krime, me mashtrime, pa tru e pa nder. “Më shumë se e vërteta” është degjenerim, kush nuk mjaftohet me “të vërtetën”, kthehet në një rrezik për mëhallën.., dhe mandej për kombin nëse e nxjerrin në televizor.

E vërtetë është se studentët kishin të drejtë të protestonin për kualitetin e mësimit, për cilësinë e jetës, tarifa, etj. Ndërsa “më shumë se e vërteta” është kjo: Disa huliganë partish, të injektuar me para të vjedhura dhe me pak drogë prej “nënës parti”, u futën nëpër auditorë dhe ushtruan terror mbi shumicën e studentëve që kërkonin mësim. Nëse do të dominojë nocioni “më shumë se e vërtetë”, mbi “të vërtetën”, atëherë gjithë gjindja e këtij kombi që do dituri, edukatë, profesion, punë, prosperitet e paqe- të gjithë u dashkan vënë nën këmbë të huliganëve...

E vërteta është se qeveria dhe shteti kanë defekte pa numërim, shteti do të përgjigjet para secilit; për gjithçka që nga lapsi deri te mushka. Ndërsa “më shumë se e vërteta” është ta quash qeverinë dhe shtetin një “m....”, siç flet kryetari i PD, ose “qelbësirë”, ose “kallam”, ose “do t”u zhdukim”, ose “do të fshiheni në Kuç”, siç po thuhet... E vërteta është se mazhoranca, kudo në rruzull, është më e mirë se pjesa tjetër e mbetur. “E mbetur” jo si tepricë, por sepse mbetën pa u zgjedhur për shkak se nuk janë aq të mirë sa mazhoranca. Kjo është demokracia. P.sh., në vendin tonë, opozita e tanishme u konstatua më e korruptuar se mazhoranca, prandaj mbeti aty... Kjo është e vërteta.

E vërteta është më e lartësuar se gjithçka në jetën e njeriut; ndërsa “më shumë se e vërteta” është ultësira më e thellë e nderit njerëzor.

Po pse kërkohet “më shumë se e vërteta” para “të vërtetës”?... Është e njëjta teknologji si mes “nderit” dhe “pandershmërisë”; njësoj si mes “të zakonshmit” dhe “përbindëshit”; si mes “sjelljes normale” dhe “maskarallëkut”; si mes atij që vjedh dhe atij që thërret “kapeni hajdutin”. Puna është te turmat njerëzore që merren zvarrë pas “të vërtetës më shumë se e vërtetë”; këta janë për gjynah. Por në thelb kjo është e natyrshme, edhe pse arkaike: Mashtrimi magjeps!... e vërteta është e thjeshtë si ne njerëzit!

E vërteta ka kufi, ndërsa “e vërteta më shumë...” është si marrëzia që nuk njeh kufi.

“E vërteta” është kompleti i njohurive mbi sende reale, mbi fenomene, mbi ligje, mbi ligjësi..., siç janë dhe siç mund të bëhen. Studiues të raporteve mbi të vërtetën dhe “më shumë se e vërteta”, kanë ardhur në përfundimin se “teprimi i të vërtetës është totalitarizëm”. Kush nuk i qëndron “të vërtetës” ai ka humbur lirinë; me “më shumë se e vërteta” je plotësisht skllav dhe kërkon skllavërimin e të tjerëve...

Atëherë pse i duhet opozitës (në përgjithësi politikës) “më shumë se e vërteta”?