NË PRITJE TË SPAK, FRIKË NË POLITIKËN SHQIPTARE

NË PRITJE TË SPAK, FRIKË NË POLITIKËN SHQIPTARE
Nga ROLAND QAFOKU

Janë dridhur politikanët shqiptarë këto ditë teksa në Tiranë ka vënë këmbën një juriste e huaj. Quhet Tamar Laptosh. Është prokurorja speciale që tronditi Kroacinë në vitin 2010. Nuk e besoi kush se do të bënte diçka kur mori në dorë dosjen e ish-kryeministrit të fortë, arrogant dhe sfidues, Ivo Sanader. Por vetëm pak muaj më vonë, pa iu dridhur qerpiku, ajo urdhëroi arrestimin e tij dhe e gjithë Kroacia u bind plotësisht që kjo grua e kishte seriozisht vetëm kur në kyçet e duarve të ish-kryeministrit u shtrënguan prangat e çelikta. Po a ka ndonjë domethënie që kjo grua këto ditë ka mbërritur në Tiranë dhe do të jetë për dy vjet pjesë e trupës këshilluese të SPAK, Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsionit? A është reforma në drejtësi në kërkim të një prokurori shqiptar të bëjë atë që bëri Laptosh në Kroaci? Sa ndikim do të ketë kjo prokurore e huaj në hetimin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë? Këto pyetje dhe të tjera janë bërë rëndom këto ditë nga jurist, prokurorë, gjykatës e deri politikanë.

Ata që kanë frikë për veten e tyre thonë: Po çlidhje ka kjo kroatja me drejtësinë shqiptare? Fundja këshilluese është. Ata që kanë frikë për miqtë dhe bashkëpunëtorët thonë: Në Kroaci korrupsioni është në rritje edhe pse është bërë vetting. Ata që gjejnë përherë një problem deri në fatalitet thonë; Po, ish-kryeministri Ivo Sanader vërtetë mori pafajësinë në Gjykatën e Lartë por ky proces dhe arrestimi i tij nuk mund të quhet i suksesshëm. Por ama, masa e njerëzve thonë; Do Zoti dhe bëjnë diçka të huajt si kjo Laptosh se këta tanët nuk do qullosin gjë.

Po përse kroatja e panjohur as në lagjen e vet në Zagreb befas u bë juristja numër 1 në Kroaci duke u shndërruar në simbol kombëtar të luftës ndaj korrupsionit te politikanët? Përse gruaja 35-vjeçare, ende e re në karrierën e saj, arriti të arrestojë njeriun më të fortë të vendit? Ku e gjeti fuqinë kjo grua e vetme duke patur të gjithë politikën kundër? Të gjitha këto pyetje kanë përgjigjen e vetme: Tek morali i saj dhe te besimi në popull. Nëse ke këto dy armë askush nuk mund të ndalojë në luftën për të bërë drejtësi.

“Kur unë po hetoja ish-kryeministrin, besueshmëria e publikut nuk ishte shumë e lartë sepse ai ishte i fuqishëm dhe arrogant. Ne vinim nga një eksperiencë në të cilën nuk ishte hetuar ekzekutivi, por më pas u mblodhën prova dhe gjatë procesit besueshmëria e publikut u rrit”.

Mjafton këto fjalë të dala nga goja e Laptosh të kuptosh profilin e saj juridik por edhe vendosmërinë për të bërë diçka në dobi të vendit. Aq domethënie është kjo për Shqipërinë tonë sa u duk edhe në takimin që Tamar Laptosh bëri me kolegët shqiptarë. Ajo e thjeshtë deri në madhështi, veshur me rroba të firmave sekondare dhe me një çadër në dorë. Ndërsa përreth ishin juristët tanë, të kapardisur me veshje të firmave Gucci dhe nga ato më të njohura në Evropë. Ajo e bindur se edhe në Shqipëri drejtësia mund dhe do të triumfojë. Ndërsa përreth, kolegët shqiptarë mjaft skeptikë që i bënin pyetje të tipit: Mirë, mirë, ju e arrestuat, por Ivo Sanader mori pafajësi! Ndërsa të tjerë i “zbuluan” deri gafa juridike kur komentuan frazën “bashkëpunim i prokurorisë me gjykatën” që prokurorja Laptosh e kishte në aspektin e legjislacionit.

Pikërisht këto fjalë dhe prania e saj ka bërë që në Tiranë politikanët të dridhen. Janë një radhë dosjesh në të cilat janë shënuar dhjetëra emra të fortësh në politikë. Janë 5 vite qeveri e majtë nën drejtimin e Edi Ramës, 8 vjet qeverisje e djathtë nën drejtimin e Sali Berishës, 8 vjet qeverisje e majtë nën drejtimin e Fatos Nanos, Pandeli Majkos, Ilir Metës dhe 5 vjet qeveri nën drejtimin e Aleksandër Meksit për të cilat ka raporte konkrete për abuzime. Mjafton të përmendim nga Kontrolli i Lartë i Shtet, që vetëm në 9 muaj gjatë vitit 2018 nga administrate shtetërore e qeverisjes së majtë, dëmi i shkaktuar shtetit shkoi në 957 milionë euro. Por për këtë dëm nuk ka asnjë përgjegjës dhe persona të vënë përpara drejtësisë.

Dhe e vetmja armë e tyre është bashkimi i radhëve. Ndryshimi i rregullores së Kuvendit që prokuroria të paraqesë prova për një deputet dhe vetëm pasi shqyrtimit të tyre në kuvend mund të lejohet arrestimi, është veprimi konkret që politika shqiptare ka shumë frikë nga ajo që pritet të ndodhë. Pa përjashtim, majtas dhe djathtas. Në qeveri dhe në opozitë. Të ashtuquajtur të fortë dhe të dobët. Por, ama mbërritja e Laptosh është një sinjal akoma edhe më e fortë që kjo frikë të shtohet dhe të ndjejnë erën e prangave.  Është e vërtetë që Tamar Laptosh nuk do japë vendime në Shqipëri. Nuk do jetë ajo që do vendosë për dosje dhe çështje të caktuara.

Por, prania e saj është një simbol dhe domethënie e madhe se si duhet të jetë një prokuror shqiptar pjesë e SPAK dhe ç’duhet të bëjë ai. Nëse ai ka dëshirë, vullnet, zemër të pastër dhe natyrisht edhe mbështetje, pa diskutim që ia del. Prandaj më shumë se kurdoherë, në SPAK dhe BKH Shqipëria ka nevojë për një apo disa prokurorë si kroatja Tamar Laptosh. Disa herë ambasada amerikane në Tiranë ka bërë thirrje që prokurorët shqiptarë duhet të konkurrojnë të bëhen pjesë të SPAK. Kjo më poshtë është si një thirrje për të bërë një shtet pothuajse të ri, larg atij të vjetrit ku gëlonte korrupsioni dhe abuzimi.

Ja një pjesë e thirrjes që gati tregon se amerikanët e duan Shqipërinë më shumë se ne:

“Shqipëria po krijon një sistem të ri drejtësie, bazuar tek pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti. Prokurorët të cilët mishërojnë këto ideale i përgjigjen një thirrjeje për shërbim publik që është më e lartë sesa thjesht një vend pune. Ne iu bëjmë thirrje këtyre njerëzve me kurajë që të bëhen pjesë e të ardhmes së Shqipërisë duke aplikuar për të qenë anëtarë të SPAK”.

Juristë shqiptarë, që keni nder dhe moral. Që keni integritet dhe besimin e njerëzve. Që doni familjen tuaj dhe Shqipërinë tonë . Bëhuni si prokurorja kroate Tamar Laptosh. Shqipëria ka nevojë për ju. Arrestoni politikanët e korruptuar dhe që kanë vrarë shpresën në këtë vend dhe do t’u jetë shumë mirënjohëse një ditë. Ky është momenti. Bëjeni për familjen dhe atdheun tuaj!