“NDERI I KOMBIT”/ Agim Krajka: Dikur, që të hyje në Festival nuk pinin ujë as miqësia dhe as korrupsioni

“NDERI I KOMBIT”/ Agim Krajka: Dikur, që të hyje në Festival nuk pinin ujë as miqësia dhe as korrupsioni
Gjithmonë e gjen tek “Lemza”, lokali i tij i cili ka emrin e këngës së tij të parë në Festivalin e Radios. Sipas tij “Lemza” është emër i veçantë pasi kudo shikon se si janë mbushur lokalet me lloj-lloj emrash të huaj, emra të çuditshëm që nuk i merr vesh kush. “Lemza” është e veçantë për Agimin, ka një histori të bukur në këngë dhe me krijimtarinë e tij, pasi në Festivalin e Këngës së Muzikës së Lehtë në vitin 1961, ai mori pjesë me këngën “Lemza” e cila u këndua nga e madhja Vaçe Zela. Aty mblidhen rreth tij, miq shokë, të afërm. Këngëtarë, kompozitorë, etj.

I qeshur dhe plot ide ai s’e ndal asnjëherë punën. Pas një odiseje rreth 16-vjeçare në SHBA, u kthye përfundimisht në Shqipëri në Tiranë aty ku ka bërë epokë në muzikën e lehtë shqiptare. Para disa kohësh në koncertin Gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, presidenti Ilir Meta i dha artistit të madh dekoratën “Nderi i Kombit”. Krijuesi i “Lemzës” së famshme dhe i dhjetëra këngëve të suksesshme shqiptare, i ka arritur të gjitha, por ai nuk rresht së foluri për këngën shqiptare, muzikën e lehtë dhe për edhe atë polifonike.

Intervistoi: Albert Zholi

Këtë intervistë mendoj ta fillojmë ndryshe. Para disa ditësh ju folët në televizion edhe për Polifoninë si një këngë e rrallë. Si do ta përcaktoni ju këtë këngë?

Atë s’mund ta përcaktoj vetëm unë, pasi atë e ka përcaktuar populli shqiptar dhe çdo prodhim që ka vulën e popullit nuk ka stuhi, cunam, luftë apo armë që ta tjetërsojë. Polifonia nuk është politikë, por është këngë e shpirtit të popullit është kënga më e veçantë në botë. Unë do ta quaja saktësisht kënga labe, kënga e popullit tim që e ka tronditur UNESCO-n. Kjo këngë quhet Polifoni, këngë puro shqiptare. Askush tjetër nuk mund ta tjetërsojë dhe ta përvetësojë këtë këngë, askush. Ata që do të marrin mundimin ta tjetërsojnë do të lodhen me veten. Ajo këngë ka tronditur jo vetëm sallat por edhe shehut më të mëdha të Francës sa di detyruan muzikologët në Dizhon të hulumtojnë dhe të shohin se nga vjen kjo këngë, kaq e veçantë. Këngën labe si i them unë, nuk ka nevojë ta mbrojë askush, nuk ka nevojë ta propagandojë askush, dalin djemtë e nënave e këndojnë dhe hapin sytë të gjithë dhe qetësojnë veshët. Kjo është kënga labe. Kam shkuar kudo, ka vende me polifoni po jo si kjo me marrës me pritës, me hedhës me iso dhe kombinim zërash sikur të jenë disa instrumente. Rrini rehat, nuk e përvetësojnë dot Polifoninë sepse duhet të marrin Labërinë dhe njerëzit e saj, gjë që nuk bëhet. Do ta komentojnë por nuk do ta luftojnë. Kam qenë vetë në Dizhon kur na mbuluan gjoksin me medalje, plot 6 medalje për vallet dhe këngët tona të papërsëritshme. Emri është një, Polifonia e këngës labe. Emrin ia vendos populli dhe jo politika. Nuk ka punë politika në vulën e popullit.

 

Para pak kohësh ju morët titullin “Nderi i Kombit” një nderim për punën tuaj. Si jeni ndjerë?

Çdo titull ka rëndësinë e vet dhe çdokush ndihet mirë kur merr një titull, aq më tepër titullin më të madh, “Nderi i Kombit”. E prita me shumë gëzim dhe ka qenë një surprizë, pasi është titulli më i lartë që mund t’i jepet një artisti në kombin shqiptar.

 

Mund të bëni një dallim mes Festivaleve të RTSH në komunizëm dhe sot?

Dallime? Po përcjell vetëm një fakt. Në atë kohë për një këngë punoje mbi 6 muaj dhe futej në RTSH nëse kalonte në disa filtra. Të dilte shkuma për një këngë. Dridheshe kur futeshe në atë festival. Ishte festival vlerash përgjegjësish, por i mungonte më e madhja, liria. Kishte shumë demagogji, shumë. Politizohej në disa segmente, por jo gjithçka. Sot në Festivalin e RTSH mund të futesh pas 3 ose 4 ditëve punë. Ky është dallimi. Nuk pinte ujë as miqësia as korrupsioni, as fundet e shkurtra. Po kishe ngjyer penën mirë do garoje. Pastaj edhe tekstet ishin tekste, poezi që të lotonin të rrëmbenin, nuk ishin fjalë të palidhura. Kaq. Besoj u mirëkuptuam.

 

Një jetë me këngën, me kompozime nga më të ndryshmet. Kudo të presin me respekt, si e nisi rrugën e bukur të kompozimit Agim Krajka?

Albert, ne bashkë kemi zhvilluar disa intervista dhe tashmë shumë gjëra dihen. Por le t’i përmbledh me pak rreshta. Vitet ’60 ishin vitet kur muzika e lehtë mori një hov të madh. Tirana kishte ndikim edhe nga muzika ruse. Atë kohë unë i bija fizarmonikës në një lulishte në Tiranë. Flitet për kohën apo më mirë vitin 1961 kur në Shqipëri kishte hyrë një farë liberalizmi, dhe një shef i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv, konkretisht Skënder Gina i cili më kishte dëgjuar shumë herë më thotë se duhet të hyja në Konservator se kisha shumë talent. Unë shtanga. Askush nuk ma kishte bërë këtë propozim. Mbeta i dyzuar. Atë kohë kisha halle të tjera dhe kurrë nuk mund të mendoja për shkollë. Ishte koha kur unë kisha 6 motra në shtëpi, dhe mendoja se si të çoja një lek në shtëpi dhe të ndihmoja familjen. Doja që motrat e mia t’i ndihmoja. Nuk ia vura shumë veshin por ai këmbënguli disa herë duke theksuar se isha djalë i talentuar dhe duhet të shkollohesha. I nxitur bëra një kërkesë kot pa menduar se çfarë do të dilte. Kisha dëshirën vetëm që të vazhdoja punë dhe të çoja ndonjë lek në shtëpi. Dhe ja një mbrëmje teksa luaja sërish në bar me fizarmonikë më vjen një shok dhe më thotë se më kishte dalë emri në liste për të konkurruar. U habita. S’e besoja. Të nesërmen shkova për të parë listën dhe nëse kisha emrin të konkurroja. Po ishte e vërtetë. Më kishte dalë emri dhe zura radhën për të konkurruar në Konservator (ashtu quhej atë kohë). Për çudinë time fitova dhe a e dini sa isha? Plot 22 vjeç kur u futa në shkollë. Me ndihmën e profesorëve të mëdhenj të Konservatorit arrita të mësoja shumë.

 

Ju kur u futët në Konservator filluat të kompozoni. Po mbas përfundimit të Konservatorit ku u punësuat dhe cili ka qenë kompozimi juaj i parë që edhe sot diskutohet?

Ajo kohë e kishte një të mirë, sa mbaroje shkollën e lartë ta gjente punën të sigurt, por edhe i mbështeste artistët dhe artin. Në këtë kohë nisa të kompozoja muzikë të vërtetë filmash dhe nisa punë në Ansamblin e Shtetit. Për mua ajo ka qenë shkolla e vërtetë. Ansambli i Këngëve dhe Valleve mbetet institucioni më i rëndësishëm i artit shqiptar. Ato kohë ishin të arta ku ne punonim, krijonim dhe jashtë shtetit lamë gjurmë të pashlyeshme tek spektatorët e shumtë. Aty kompozova shumë këngë, por edhe mësova shumë. Ishte një Konservator i dytë. Mund të them se kam qenë me Ansamblin e Shtetit për 27 vite, edhe si dirigjent, edhe si kompozitor, edhe si drejtor. Në atë kohë të ishe pjesë e Ansamblit ishte një vlerësim i madh. Aty ishte ajka e artit shqiptar. Ansambli ynë njihej në të gjithë botën. U largova nga Ansambli në vitin 1990 kur më pas shkova në Amerikë. Sot kur e shikoj më vjen të qaj. Legjenda është kthyer në karakatinë. Turp!

 

Kur përkon kënga juaj e parë si kompozitor dhe kur keni marrë pjesë në Festivalet e RTSH?

Debutimi im i parë në festival ka qenë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ajo më dëgjoi teksa luaja në fizarmonikë dhe më shtyu të kompozoja një këngë për të. Kështu nisi udha ime. Pra festivali i parë dhe kompozimi im i parë ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga e madhja Vaçe Zela. E kupton çdo të thotë që në daljen e parë si kompozitor të të marrë këngën Vaçe Zela? E mbaj mend si tani, ka qenë festivali i parë në RTSH, në vitin 1962. Vite të çuditshme. Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan se e kisha kopjuar nga këngët e huaja. Të kapte tmerri kur ndalonin një këngë. Të bënin të mendoje thellë. E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure me emrin “Lemza”. Ka qenë një protestë rinore shumë e këndshme. Më pas e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe për mua. Kjo këngë më hapi shumë dritare. Filluan kërkesat dhe një shikim më ndryshe nga instancat e larta. Fillova të kompozoj sërish. Nuk doja të rrija me aq. “Lemza” më dha shumë energji. Kështu lindi apo kompozova si këngë të dytë këngën e “Gjyshes”. Edhe kjo këngë u pëlqye, ndoshta jo sa e para, por pati jehonë. Tashmë kisha fituar një siguri në vetvete. Kompozimi i tretë ka qenë “Djaloshi dhe shiu” dhe me radhë në çdo vit.

Në atë sistem a keni marrë ndonjë çmim të parë në Festivalet e RTSH?

Po! E kam marrë kur nuk e besoja. Kështu gëzimi vjen më i natyrshëm. Kur merr një çmim që as e din, as e ke kërkuar, kur ta japin surprizë, ndjen një ngazëllim të brendshëm. Çmimin e parë e kam marrë në vitin 1986 dhe ishte surprizë e papritur. Sapo isha duke u futur në shtëpi kur spikerja e festivalit, Zerina Kuke po anunçonte çmimet. U dhanë çmimet e treta, nuk u zura me gojë, po ashtu në të dytat nuk u zura në gojë dhe kur dha çmimin e parë ajo tha: Çmimi i parë i jepet kompozitorit Agim Krajka. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Një klasë mature vjen mbas një orë e gjysmë në shtëpinë time dhe më uron. Kjo ishte kënaqësia më e madhe për mua. Rrija si i hutuar. Befasia më kishte kaluar në çdo qelizë. Momente reflektimi. Puna ishte vlerësuar në heshtje.

Sa çmime keni fituar në festivalet e RTSH dhe si je ndjerë në këto festivale?

Për të qenë i sinqertë nuk jap shifër të saktë, por të përafërt. Kam fituar rreth 20 çmime në festivale. Në to kam pasur ditë të paharruara, por dhe ditë të vështira. Gjithë koha e përgatitjes ishte një ankth dhe ishim gjithnjë nën filtër. Komisione dhe juri të pafundme. Megjithatë, ka qenë një jetë profesionale e mbushur me shumë emocion. Në fillim të karrierës kënaqësia më e madhe e imja ishte që këngët më pranoheshin në festival, sepse nuk njihnim njeri dhe s’kishim as miq dhe as shokë. Pastaj kur u futa në valle filloi përgjegjësia. Nuk të falte njeri materiale të dobëta. Edhe përgjegjësia jonë ishte e madhe. Ishim nën presion, por edhe shumë të motivuar.