Mimoza Hajdarmataj: Nëse protesta reziston, ndryshimi do të ndodhë

Mimoza Hajdarmataj: Nëse protesta reziston, ndryshimi do të ndodhë
INTERVISTË/ Ish-deputetja e PD, aktivistja e Shoqërisë Civile, Mimoza Hajdarmataj, në intervistë me “Albanian Free Press” komenton zhvillimet në prag të protestës së 16 shkurtit

Edhe një dita na ndan nga protesta e 16 shkurtit, dhe vëmendja e gjithë opinionit publik, madje dhe atij ndërkombëtar është fokusuar tek sheshi “Skënderbej” ku do zhvillohet kjo protestë e shumë diskutuar. Komentet janë nga më të ndryshmet. Flitet për një pjesëmarrje masive po ashtu edhe për pjesëmarrje të shoqërisë civile për vetë problematikat që ka aktualisht vendi ynë. Nga ana tjetër Policia e Shtetit pak ditë para protestës së opozitës në 16 shkurt, ka dalë me një apel të fortë drejtuar forcave politike të angazhuara në këtë tubim ku ajo ka ndarë me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri. Në lidhje me këtë tubim, për qëllimin e saj ish-deputetja e PD, dhe aktiviste e Shoqërisë Civile, Mimoza Hajdramataj, flet në këtë intervistë për “Albanian Free Press”.

 

Intervistoi: Albert Zholi

 

Si e mendoni 16 shkurtin, a do të sjellë diçka të re protesta e opozitës?

 

Është një ngjarje e shumëpritur nga çdo shqiptar. Unë hyj tek ata njerëz që mendoj se protesta është institucion dhe një shoqëri nëse nuk e ushtron vdes. Është reagim i fortë, shumë i nevojshëm për çdo qeveri veçanërisht për një qeveri që sjell vetëm krizë, korrupsion, papërgjegjshmëri, antihumanizëm, shumë papunësi dhe mbi të gjitha largim të njerëzve në emigracion. Në Shqipëri ndodhin të gjitha këto me shumicë dhe përveç këtyre fenomeneve edhe shumë ngjarje të rënda. Varfëria prodhon vetëm krim, trafiqe, drogë dhe askush nuk ndihet më i sigurt në këtë vend. Nëse protesta reziston, çka do të thotë vazhdon pa ndërprerje, unë mendoj se ndryshimi do të ndodhë.

 

Tashmë dihen ndryshimet në qeverinë Rama. Cili është mendimi juaj me këto ndryshime a do të kalojë kriza në qeveri?

 

Shiko ndryshimet në qeveri, me këtë gjendje që po vuan Shqipëria, nuk sjellin asnjë impakt. Janë make up i një të sëmuri që po lëngon dhe ka nevojë për oksigjen, për terapi intensive. Zgjidhja e krizës është ndryshimi i sistemi dhe jo vetëm i partisë në pushtet. Sistemi ka të bëjë me kthimin e besimit tek demokracia dhe institucionet e shtetit të së drejtës. Demokracia ka në themel votën e lirë. Pa zgjedhje të lira nuk kemi institucione të forta. Është e nevojshme ngritja e një qeverie transitore që të sigurojë bazën dhe klimën e duhur për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme. Unë mendoj se nëse me realitetin që po jetojmë kryhen zgjedhje, votat do të blihen dhe shqiptarët do të shantazhohen sërish, madje më shumë se në 2017-ën. Mos harrojmë që armata e madhe e administratës lokale e qendrore kërcënohet me vendin e punës, biznesi nga gjobat dhe taksat e larta, pra shoqëria nuk është e lirë që të votojë sipas programeve më të mira që ofrojnë partitë. Kështu, rreziku i braktisjes së votimeve po shtohet, pasi shqiptarët me këtë mënyrë qeverisje nuk kanë më besim te politika.

 

A ishte ky veprimi më i mirë i Ramës sidomos me delegimin e kompetencave si ministër i Jashtëm për z. Cakaj?

 

Për z. Cakaj gjykoj si aspak të përshtatshme zgjedhjen e një njeriu pa eksperiencë, sepse të shkolluarit nuk është kriteri i vetëm.

 

Emrat e rinj që u vunë ministra mos vallë tregojnë se PS ka krizë intelektualësh?

 

E gjithë politika është në një deficit të madh të promovimit të njerëzve me integritet. PS është në krizën e Unit të Ramës dhe të mendësisë së tij mbi monopolin e pushtetit dhe të privilegjeve absolute që ka një rreth i miqve të tij. PS sikurse dhe partitë e tjera kanë pranë shumë intelektualë por sot intelektuali është i braktisur në fatin e tij, fatkeqësisht. Këto janë kohërat më të këqija për ta dhe për çdo njeri që e jeton jetën me parime dhe norma.

 

Riorganizmi i PD a do të sjellë një frymë të re në kampin opozitar?

 

Unë kam pothuajse prej një viti që jam angazhuar në shoqërinë civile dhe po drejtoj një organizatë joqeveritare me fokus fuqizimin e grave dhe vajzave, gjë që kërkon të mos jem e angazhuar në struktura politike. Por me PD më lidh historia e jetës dhe gjithë formimi im. Të qenit një ndër firmëtarët e themelimit të saj më bën ta konsideroj veten të lidhur me rrënjë me PD. Përsa i përket interesit tuaj për procesin e riorganizimit, mendoj se ishte i nevojshëm dhe se ka sjellë energji të reja, të rinj të aftë dhe me ambicie. Kam shumë shpresë që nga këto ndryshime dhe nga mbështetësit e vjetër prej vitesh në PD do të dalë një ekip qeverisës me integritet.

 

Situata duket e tensionuar, a mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme?

 

Si shumë të tjerë edhe unë mendoj se në këtë situatë që jemi dhe më këtë qeveri nuk mund të shkohet në zgjedhje. Duhet një qeveri teknike, tranzitore. Zgjedhjet politike të parakohshme ose jo duhet të vendosen më pas. Ka shumë nevojë që të ndryshohen shumë drejtues të ministrive dhe të institucioneve dhe me një orientim të ri politik, të ndryshojë situata që të garantohen kështu edhe zgjedhjet e lira, të pakapura, të pablera dhe demokratike.

 

Si do ta komentoni protestën e studentëve a ishin të drejta kërkesat e tyre? Pse nuk po mbështeten dhe a ka përgjegjësi stafi pedagogjik?

 

Studentët hapën një ndër etapat më të lavdishme të pluralizmit politik. Si nënë e dy studentëve, por mbi të gjitha si një ish studente e Dhjetorit '90, përjetova emocione të jashtëzakonshme, krenari, frymë evropiane, stil, mençuri dhe shumë shpresë. Studentët janë plotësisht në të drejtën e tyre. Kushtet ku ata jetojnë janë mizerabël në konvikte, por edhe universitet nuk ofrojnë asnjë standard për edukimin e tyre akademik. Shteti nuk është prezent në asnjë fazë të jetës së tyre studentore. Karta e Studentit mbetet një kartë e propagandës për të marrë votën e të rinjve prej shumë vitesh. Paralelisht vlerësoj shumë grevën dhe rezistencën e pedagogëve. Ata përkrahën sa mundën kauzën e studentëve pasi është dhe kauza e tyre. Të dy palët kanë një qëllim: të zhvillohet një universitet me cilësi dhe të kemi një rini të arsimuar, të aftë profesionalisht dhe me nivel europian. Ndiej shumë keqardhje që të rinjtë ikin, se në Shqipëri nuk gjejnë asgjë dhe nuk shohin të ardhme.

 

Si e shikoni ecurinë e Reformës në Drejtësi?

 

Deri tani jam pesimiste. Mendoj se heqja nga puna e disa prokurorëve dhe gjykatësve nuk është taktika e duhur që do të na sjellë rezultatet që presim të gjithë. Korrupsioni dhe padrejtësia tek sistemi i ka rrënjët më të thella dhe është pjesë e një kalvari të gjatë problemesh dhe mangësish. Çfarë do të ndodhë me sistemin pas largimit për shembull mbi 100 prokurorëve dhe gjyqtarëve? Do të kemi drejtësi? Do të kemi zgjidhje të problemeve, zvarritjeve dhe përplasjeve shumë vjeçare mes individit e shtetit për shembull për çështjet e pronave? Nuk e di, druaj se do kemi nevojë për një veting të gjatë të shumë gjeneratave të atyre që iu besohet drejtësia në këtë vend, deri sa të garantohet që politika i mban duart larg tyre dhe profesionalizmi e morali të prevalojë në punën e tyre përmbi aferat dhe ndikimet.