Mimoza Hafizi: 16 shkurti do të testojë opozitën, qeverinë e mbi të gjitha popullin

Mimoza Hafizi: 16 shkurti do të testojë opozitën, qeverinë e mbi të gjitha popullin
Intervistë/ Ish-deputetja e PS Mimoza Hafizi flet për zhvillimet politike dhe sociale në vend

Prof. Dr. Mimoza Hafizi, vitet e fundit, deputete e Partisë Socialiste dhe aktiviste e njohur politike në Shqipëri, në këtë intervistë për “Albanian Free Press”, flet mbi zhvillimet e fundit politike dhe sociale në vend. Duke folur mbi protestën kombëtare që ka thirrur opozita më 16 shkurt, dr. Hafizi thotë se në radhë të parë kjo protestë do jetë një test për opozitën e më tej për qeverinë, por mbi të gjitha partitë, për vetë popullin.

 

Intervistoi: Albert Zholi

Ministria e Arsimit ka tani një drejtim të ri. A mendoni se ky ndryshim premton diçka të re për një frymë ndryshe në arsimin shqiptar?

Kam kohë që nuk merre me politikën aktive, por në një prononcim të ditëve të fundit pashë e çuditur një deklaratë të ministres së re e cila tha se do të ngremë një komision dhe do të marrim ca libra për bibliotekat e studentëve. Pra deklaroi se do t’u japim libra bibliotekave të studentëve. Ky komision do të përcaktojë çfarë librash. Ky këndvështrim m’u duk i çuditshëm dhe qesharak. Më bën çudi si në universitete shqiptare arrihet deri aty sa shteti të imponohet me literaturë. Kjo nuk ndodh në universitetet evropiane. Programet dhe literaturat për studentët nuk përcaktohen nga shteti më duket pak qesharake. Nuk mund të ngrihet një komision qeveritar për këto literatura. Ato ka kush i përcakton, është pedagogu, është stafi akademik, është një departament i tërë që përcakton këto ashtu si dhe programin mësimor. Por të ndërhyjë shteti për literaturën universitare jam shumë e befasuar. Shteti ka të tjera detyra, ka të tjera mënyra bashkëpunimi. Në kësi problemesh universitet kanë autonominë e tyre në një shtet demokratik, kështu bëhet në çdo shtet të botës.

 

Protestat e studentëve kanë hyrë në muajin e tretë, cili është mendimi juaj për to kërkesat e tyre a janë të drejta? Ju jeni pedagoge dhe i njihni mirë problemet..

Studentët kanë plotësisht të drejtë. Kërkesat e tyre janë tërësisht të realizueshme, janë tërësisht brenda mundësive të shtetit. Madje janë shumë të domosdoshme dhe elementare për një arsimim korrekt. Janë kërkesa bazike. Por lind pyetja përse zvarritet plotësimi i kërkesave? Studentët kanë si qëllim të mësojnë dhe jo të shihen si biznes, pra shteti nuk duhet të shohë të vjelë lekë nga studentët. Ndaj kjo qeveri me këtë mënyrë komunikimi nuk mund t’i zgjidhë problemet e tyre, pasi nuk bashkëpunon dhe ka si qëllim të fitojë nga pagesat e tyre, tarifat dhe aq më shumë kur duhej të paguanin edhe për provimet mbetëse.

 

Protestat janë pasuar nga thirrjet e opozitës për një bashkim kombëtar protestash. Ajo thotë se qeveria e kryeministrit Rama është në krizë. Po ashtu po shtohen zërat se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ju si mendoni?

Pas këtyre skandaleve të njëpasnjëshme, pas kriminalitetit në rritje, mendoj se qeveria “Rama” është në krizë dhe ndaj duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Nuk e di me çfarë morali qeverisin këta njerëz, është e pashpjegueshme kjo mënyrë qeverisjeje. Besoj se kriza nuk mund të jetë më shumë se sa kaq. Kjo qeveri e ka humbur moralin për të qeverisur dhe është e pashpjegueshme që të vazhdojnë të qeverisin.

 

E në këtë kuadër, opozita ka thirrur për më 16 shkurt, një protestë popullore në Tiranë. A mendoni se ajo do të jetë masive dhe a shërben si një test për të ardhmen e kësaj qeverie? Tek e fundit, ju çfarë prisni nga kjo protestë?

Në radhë të parë kjo protestë do jetë një test për opozitën. Varet se si do të reagojnë njerëzit ndaj kësaj proteste. Pra është një test konkret. Si do ta organizojë atë dhe si do reagojnë njerëzit në këtë protestë dhe sa do ta mbështesin. E vërteta megjithatë është se njerëzit duan të largohen nga politika, ata janë zhgënjyer nga politika, kanë shumë halle. Ndaj kjo protestë do të testojë se sa do t’i bëjë për vete, por edhe sa e aftë do të jetë opozita që të afrojë sa më shumë njerëz. Kjo protestë do të bëjë dhe bilancet politike, bilancet e secilës parti, për të parë sa përkrahje ka. Opozita tashmë e ka bërë thirrjen, por varet se si do të reagojnë qytetarët. Le të shohim çfarë do ndodhë. Le të testohet opozita, partitë, por në radhë të parë vetë populli.

 

Teksa flasim për zgjedhjet, një tjetër element që është përfolur shumë ditët e fundit është dyshimi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 janë vjedhur në një pjesë të tyre, përmes bashkëpunimit të kriminelëve me politikanë të mazhorancës së majtë. Dolën disa përgjime nga hetimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që sugjerojnë përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër. Cili është mendimi juaj?

Absolutisht që votat janë vjedhur dhe janë blerë masivisht. Ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje dhe ky denoncim publik bërë së fundi, bazohet në fakte konkrete. Kjo është një dukuri që duhet zhdukur dhe as duhet menduar në demokraci. Mendoj se dhe populli e di se si vihet në pushtet kur bëhet fjalë për votat. Nuk mund të pranohen veprime të tilla në një shtet demokratik, janë fenomene të papranueshme që nuk ndodhin as tek fqinjët tanë ballkanikë dhe jo më në zemër të Evropës.