MB Lleshaj: S’ka paqe derisa të zhbëhet vendimi për Dajtin

MB Lleshaj: S’ka paqe derisa të zhbëhet vendimi për Dajtin
Pas ministres së Drejtësisë, edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi ashpër mbi vendimin e Gjykatës së Apelit për t'i hequr burgimin e përjetshëm Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve.

Ministri e konsideroi vendimin si akt kriminal të disa gjyqtarëve, që sipas tij duhej të ishin prapa hekurave.

Në këtë kuadër ai lëshoi një paralajmërim të mistershëm: “Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni "Forca e Ligjit" është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit. Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të Policisë së Shtetit të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë”.

“Ata që krijuan kushte dhe lejuan rritjen e kriminelëve me profil të rrezikshëm, dhe që jo rrallë u bënë njësh me ta, sot lajnë duart, madje përpiqen të krijojnë dhe kapital politik”, - tha më tej z.Lleshaj, duke vazhduar: “Por qytetarët shqiptarë i njohin mirë, si arkitektët e djeshëm të një sistemi pa drejtësi, ashtu dhe perspektivën e pashmangshme të një reforme historike në drejtësi, e cila po thellohet falë vullnetit tonë të palëkundur, por që nuk mund të quhet e kryer, përderisa raste si ky i fundit, na dëshmojnë se ende njerëz të çartur, pa fe e atdhe, të veshur me petkun e së drejtës çmenden përpara parave të krimit”.

“Dajti”, ministri i Brendshëm sulmon opozitën

Në daljen e djeshme publike, z.Lleshaj nuk kurseu dhe akuzat për opozitën. “Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre”, - tha z.Lleshaj.