Jani Tane: Si Todi Lubonja dhe Mihallaq Luarasi donin të ngrinin Teatrin e Televizionit

Jani Tane: Si Todi Lubonja dhe Mihallaq Luarasi   donin të ngrinin Teatrin e Televizionit
INTERVISTA/ Flet ish-regjisori i Televizionit Shqiptar, Jani Tane: “Në atë kohë mundohesha të imitoja RAI-n. Ai ishte udhërrëfyes dhe mbetet televizion orientues për të gjithë.  RAI është mësuesi më i mirë”

“Ish-drejtori i TVSH-së Todi Lubonja dhe regjisori i famshëm Mihallaq Luarasi dy donin të ngrinin Teatrin e Televizionit, siç ishte Teatri Kombëtar, apo teatrot e rretheve. Pra, donin të ngrinin një teatër specifik, që nuk e kishte as Kinostudioja”. Kështu rrëfen gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-regjisori i njohur Televizionit Shqiptar, Jani Tane. Duke shtuar se një projekt të tillë e shkërmoqën ndryshimet e pas Festivalit të 11-të, të vitit 1974, që pasoi me dënimin e të dyve. Sipas tij, një ide e tillë do të ishte me siguri shumë funksionale. “Ishte një nismë e guximshme dhe shumë e përparuar për kohën”, vlerëson ai... Për t’i transmetuar gjithashtu lexuesit edhe kujtime të tjera nga tre dekadat e tij në TVSH, mes tyre edhe dy takimet që ka patur me ish-liderin komunist të kohës, Enver Hoxha...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Tashmë larg TVSH-së, si e kujtoni këtë gjigant të historisë së parë të televizionit shqiptar?

Larg, por dhe afër. Larg, pasi nuk jam më në ato ambiente, por afër, pasi me të më lidhin kujtimet, më lidhin miqtë e shumtë, fotografitë, takimet me ish-punonjës dhe shumë gjëra të tjera. Aty kam kaluar pjesën më të bukur të jetës dhe kam se çfarë të kujtoj e t’u përcjell njerëzve që takoj. Por kjo pyetje më çon tutje në kohë, pasi në atë sistem kur kishte vetëm një televizion, të punoje aty ishte një ëndërr e madhe, ose më mirë të themi e largët. Sa herë kaloja pranë godinës së RTSH-së, shikoja antenën në majë të godinës dhe nuk e besoja kurrë se një ditë mund të futesha brenda saj si regjisor.

Si ju lindi dëshira për aktrim? Kur konkurruat për shkollën e tij dhe si u realizua ëndrra juaj për në TVSH?

Kur isha student, TVSH-ja ishte një godinë e mistershme për mua. Ata që punonin aty më dukeshin njerëz të veçantë, ndryshe nga ne, shumë të përgatitur. Sa herë kaloja për tek Qyteti Studenti, ku edhe flija, më dukej se i largohesha kur i afrohesha. Ishte një magji e kohës, pasi si i vetmi institucion televiziv mbulohej me një enigmë e mister të pashpjegueshëm. Ishte viti 1968 kur dëshira ime në gji po merrte një hapësirë të re, një dimension të ri. Kisha shumë projekte dhe dëshira në kokë. Unë jam nga Korça dhe banoja po aty, ndërsa godinën e teatrit e kisha shumë afër. Aty shikoja me admirim regjisorin e madh Dhimitër Orgocka dhe Pandi Raidhin. Shkoja pas skenës dhe i ndiqja. Në gjimnaz kisha një pasion të madh për teatrin, por sidomos për filmin. Tek filmi ngulesha më shumë. Pikërisht në këtë kohë, në Korçë vjen regjisorja e talentuar Drita Agolli me aktorin Minella Borova. Këta bënë përzgjedhjet e studentëve. Mua më kërkuan një monolog “dale mos se kam një fjalë, se më rrjedhin djersët valë” të Nolit e një këngë me kitarë. Konsulent kisha Minella Borovën. Këta të dy më dhanë një notë kaluese. Edhe kur konkurrova në Tiranë ishin këta të dy në komision dhe Mario Ashiku. Ata më dinin se kush isha. Kështu fitova të studioja për aktrim. Akademia e aktrimit ishte e nivelit të lartë. Regjisorët e aktorët tanë mund të konkurrojnë kudo. Kishim shumë kërkesë llogarie. Kur po vinin ditët e fundit të Akademisë ëndërroja të filloja punë në TVSH dhe pse prapë thoja “ëndërr do të mbetet”. Edhe kur po mbroja diplomën, aty e kisha mendjen. Dhe ja...Sa mbarova diplomën, mora emërimin për TVSH. S’e besoja! Kur ngjita shkallët, u futa brenda dhe më dhanë emërimin, vetëm atëherë thashë se m’u realizua ëndrra më e bukur në jetë. Unë u caktova si asistent/regjisor me një nga operatorët e parë shqiptarë, Muharrem Kondaj, një ndër më të mirët dhe më të talentuarit e TVSH-së. Tani mund të ketë shumë operatorë, por në ato kushte kishte shumë pak. Kurse regjisor i atëhershëm ka qenë Mërkur Bozgo, ndër ata më me eksperiencë në TVSH, i cili me eksperiencën e tij dhe punën e palodhur, më kanalizoi drejt anës vizive. Kjo për mua ishte e panjohur atëherë. Drejtor në atë kohë ishte Todi Lubonja dhe regjisor, i famshmi Mihallaq Luarasi. Ata të dy donin të ngrinin Teatrin e Televizionit, siç ishte Teatri Kombëtar apo teatrot e rretheve. Pra, donin të ngrinin një teatër specifik, që nuk e kishte as Kinostudioja. Pra, ishin hedhur idetë për rubrikën e teatrit brenda televizionit. Por, më mbrapa doli në shesh Festivali i famshëm i 11-të në vitin 1974 dhe çdo gjë u la në mes. Atëherë Todi Lubonja kishte bërë edhe dramën “Njollat e murrme”. Kështu që ai pas këtij momenti u largua dhe u dënua. E këto ide ranë. U shkërmoqën...

Mendoni se do kishte funksionuar ai teatër?

Besoj se do ishte shumë funksional. Ne i kishim të gjitha resurset. Madje kishim çdo gjë më mirë se askund, pasi kishim dhe grupin e xhirimit të dramave apo komedive që Teatri Kombëtar i merrte nga ne, apo ishin ne vetë që shkonim dhe i filmonim këto shfaqje që të jepeshin për publikun e gjerë. Në atë kohë, një qytetar nga Bajram Curri apo Delvina nuk mund ta shikonte një dramë të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe shfaqja në televizion bënte që të gjithë shqiptarët ta shihnin dramën apo komedinë pasi jepej në teatër. Pra, ishte një ide e mirë, ishte një vizion shumë modern hapja e një teatri në televizion. Dhe sot, kot kur shoh si zihen për shembjen apo rikonstruksionin e TK-së, them se sa punë do të kishte zgjidhur ai teatër. Ishte një nismë e guximshme dhe shumë e përparuar për kohën.

Si ishte atëherë TVSH-ja, si ishin ambientet e tij dhe kërkesa e llogarisë?

Godina e RTSH-së ishte shumë e bukur për kohën, por besoj edhe sot. Një ndërtesë funksionale e plot paraqitje. Ambientet atë kohë ishin komode e kudo kishte rregull dhe disiplinë. Mbizotëronte pastërtia, kultura dhe dëshira e madhe për punë. Dhe pse nuk kishim eksperiencë të huaj, kishim shumë regjisorë, apo drejtues që kishin mbaruar jashtë dhe me kulturën e tyre na ndihmonin pa kufij.

Tashmë në Itali, po RAI-n a e ndiqnit në atë kohë? A "vidhnit" ide prej tij?

RAI mbetet gjithmonë RAI, një televizion i madh që ndiqet kudo në botë dhe televizionet italiane janë paraprijës në shumë drejtime nëpër emisione. E ndiqja me shumë vështirësi në atë kohë por edhe me shumë kureshtje. Magjepsesha nga emisionet e RAI-t dhe mundohesha të kopjoja diçka. Në atë kohë, përveç regjisorëve si Mihallaq Luarasi etj., si televizion kam pasur dhe RAi-n udhërrëfyes. Ai mbetet televizion orientues për të gjithë televizionet në botë. Edhe këtu ku jam, RAI është mësuesi më i mirë. Ndihem gjithmonë i karikuar

me emisionet e tij. Kam një bagazh sa s’di ku t’i përdor. Sot këtu ka regjisorë të rinj dhe nuk krijojnë hapësira. Franko Xefireli është një nga regjisorët më të vjetër të RAI-t, por e mbajnë si gjeneral vetëm për të bërë imazhin e tij në emisione të veçanta, pra të bëjë përmirësime. Në Itali regjisorët kanë respekt për njëri-tjetrin, gjë e cila mungon tek ne. Ata e ftojnë kolegun në emisione.

KUJTIMET

“Dy takimet me Enver Hoxhën”

“Enverin e takonin shumë pak vetë dhe gazetarët që e ndiqnin, ishin të paracaktuar. Jo kushdo e takonte atë. Enveri edhe në televizion dilte rrallë, nuk bëhej i bezdisshëm. Personalisht kam pas rastin ta takoj dy herë. Njëherë në Pallatin e Brigadave, ku çuam fëmijët më të dalluar të Republikës, nga Vermoshi në Konispol. Më caktuan si regjisor të atij takimi. Drejtori i Televizionit ishte Marash Hajati. Ishin 500 fëmijë, ku ishte ftuar dhe Cirku i Tiranës. Kamerat i kishim vendosur në disa pika të veçanta. Por fëmijët nuk kanë protokoll. Kamerat i çuam lartë mbi lartësinë e fëmijëve. Në atë ditë isha shumë afër tij, kur të gjithë fëmijët iu mblodhën rreth e qark. U sulën mbi të. Ai i përqafonte duke qeshur. Kurse hera e dytë ishte kur ne kishim dalë nga Instituti i Lartë i Arteve dhe e pamë që po bënte një xhiro jashtë vilës afër nesh. Kur po kalonte, ai na pa dhe na u afrua. Na përshëndeti dhe na pyeti për mësimet. “Si ju venë punët”,- na tha dhe ndenji 5 minuta me ne. “Duhet të mësoni, - na tha më pas,- pasi atdheu ju do të shkolluar”.