Ekskluzive/Nora Malaj: Parlamenti nuk është më i qytetarëve

Ekskluzive/Nora Malaj: Parlamenti nuk është më i qytetarëve
Deputetja e LSI, Nora Malaj, në këtë intervistë me gazetën “Albanian Free Press”, komenton vendimin për djegien e mandateve

***

Në Shqipëri, kriza politike është thelluar orët e fundit, pasi opozita shpalli vendimin për të dorëzuar mandatet e deputetëve. Në këtë mënyrë, kjo bëhet hera e parë në afro 30 vjet demokraci të rikthyer, që në vend kthehet sistemi monist. Nora Malaj, deputete e LSI, në këtë intervistë me gazetën “Albanian Free Press”, komenton këtë moment dhe të tjera zhvillime politike në vend.

Intervistoi: Albert Zholi

 

Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?

Protesta e 16 shkurtit i kaloi pritshmëritë ndaj edhe më skeptikët nuk mund të thonin dot kishte masivitet. Po përtej faktit të numrave ky popull është aq i irrituar dhe e shqetësuar, pasi i është tradhtuar kauza dhe besimi të udhëheqësit që sot i kanë tradhtuar kauzën e atdhetarisë. Protesta e qytetarëve shqiptarë tregoi se përtej çdo pritshmërie populli të pret nga forma, të duron, por në fund nuk të fal. Nuk të fal kur flet në emër të tij dhe nuk bën asgjë për jetën e tij. Nuk të fal se ndonëse është populli më europian në histori, që nga rrënjët e tij, sot qeveria e ka katandisur këtë popull emigrant në vendin e tij, se e trajton me statusin e skllavërisë moderne. Se ky popull nuk pranon që Shqipëria të kthehet shprehje gjeografike, pasi shqiptarët janë një komb me zemër të madhe - historia tregoi qartë kur asnjë hebre nuk u tradhtua - dhe se askush nuk të fal që të nëpërkëmbi jetën e tyre.

 

Çfarë mesazhi dha për qeverinë kjo protestë? 

Protesta tregoi siç thotë një shprehje e urtë popullore se kësaj qeverie, të drejtuar nga narkotrafiku i ka ardhur fundi, pasi “zullumi vjen tuj u trashë e litari tuj u t’holle”.

 

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u prit kjo protestë?

Opinioni i shqiptarëve është pro protestuesve, pro atyre që e duan Shqipërinë dhe e vlerësojnë vullnetin e popullit, pro lotëve të grave, të moshuarve, të rinjve, të rejave, që lotuan nga gazi lotsjellës dhe helmues dhe ata të gjithë e ndjejnë që beteja e madhe po afron, se Shqipëria është e shqiptarëve dhe të gjithë do ta mbrojmë vendi tonë, shtëpinë tonë! Natyrisht dhe ndërkombëtarët e kuptojnë dhe e perceptojnë që shqiptarët nuk mund të drejtohen nga oligarkët dhe trafikantët.

 

Ka pasur reagime ku opozita thotë se policia provokoi dhe nga qeveria që thotë dhuna u përdor nga protestuesit, mendimi juaj?

Protesta ishte e qëndrestarëve dhe e popullit që vetëm dhunues nuk është. Personalisht, gjithnjë kam qene kundra çdo lloj dhune dhe dhunimi, pasi institucionet nuk janë të një pseudo individi, por askush nuk ka të drejte ta trajtoje turmën si agresion dhe ti hedh bomba më lende helmuese luftarake. Kjo gjë ndodh vetëm në regjimet diktatoriale, ku diktatura popullin e trajton si huligan dhe jo si taksapagues, i cili ka te drejtën e tij të protestoj për fatet e tij dhe për t’u ndjerë pronar në shtëpinë e tij. Këtë mesazh e kuptuan qartë dhe e përcollën dhe ndërkombëtarët. Unë isha në protestë, mbi 20 herë u helmuam nga policia dhe asnjë qytetarë nuk u tërhoq. Protesta është momenti ku të gjithë bëhen bashkë dhe ky mesazh u dha që në fillim kur qytetarët u dhuruan lule rreshtit të policisë. Çdo koment tjetër është i tepërt. Protestuesit nuk protestonin vetëm për vete, po dhe për policët e punonjësit e gardës, që sot trajtohen me pagën më të ulët që mund të kenë në rajon e më gjerë. Protesta nuk ishte luftë për vëllavrasje po ishte mesazhi më i madh që i treguan kryetarit të qeverisë që ai nuk është me kreu i qeverisë shqiptare.

 

Por a do të sjellë zhvillime të reja djegia e mandateve nëse bëhet?

Çdo veprim që tashmë po ndërmerr opozita tregon se Parlamenti nuk është më i qytetarëve, po i asaj kaste të kapurish dhe çdo veprim që do të vij më pas tregon edhe njëherë se opozita do të bej zgjidhje te problemit, pasi mandatet nuk janë te individëve, po te popullit. Dhe kur turma irritohet, populli mendohet dhe pastaj merr fatet e tij ne dore. Ne jemi me popullin dhe ne mbrojtje te halleve e zgjidhjes për të mirën ë tij. Mazhoranca sot ka humbur legjitimitetin e saj . Ajo tashmë e kuptoi që dhe anti-mitingu që u organizua në Vlorë, ishte veprimi më i dëshpëruar për të përçarë shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi Vlora, Tirana, Kukës, Tropoja, Durrësi, Vermoshi e Konispoli janë një. Vlora është trime me vlonjatë dhe nuk ka nevojë që të marrë qytetarë nga gjithë Shqipëria për të mbushur 2642 karrige e vende me njerëz që brohorisnin nga fitorja në fitore. A ka veprim më monstruoz të kreut të një vendi të ndash popullin tënd në të mirë dhe në turmë? Kjo tregon se mazhoranca është në panik. Kjo tregon se zullumit po i vjen fundit. Veprimi i lënies se mandateve ndonëse radikal tregon se opozita nuk ka kthim mbrapa, pasi kur flet në emër të popullit dhe aksioni duhet ta bëj për popullin dhe në interes të tij. Se ky është populli më i mirë dhe me krenarë, që çdo sakrificë e meriton për të realizuar qëllimin e madh, të Shqipërisë europiane. Kjo nuk është tashmë as kauzë rroge dhe as imuniteti. Tashmë nuk mund të kemi institucione nën krim të organizuar. Kjo është kauzë që bëhet për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve.