Ekskluzive/ Andrea Marto: Pas protestës së opozitës, pozitat e Ramës u forcuan

Ekskluzive/ Andrea Marto: Pas protestës së opozitës, pozitat e Ramës u forcuan
Deputeti i Partisë Socialiste, Andrea Marto, në këtë intervistë me gazetën “Albanian Free Press”, komenton zhvillimet e fundit politike në vend

***

Për herë të parë pas 28 vitesh, është rikthyer dje sistemi monist në Shqipëri, pasi opozita në bllok shpalli vendimin për të dorëzuar të gjitha mandatet e deputetëve që kanë në Parlament.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha njoftoi se grupi parlamentar demokrat kishte votuar unanimisht në favor të propozimit të tij për dorëzimin e mandateve të deputetëve. Po ashtu Basha mbajti një takim me aleatët për të diskutuar vendimin për dorëzimin e mandateve të deputetëve. Në takimin me Bashën ishin kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kryetari i LZHK (Lëvizja për Zhvillim Kombëtar), Dashamir Shehi, kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Basha zhvilloi më herët dje edhe një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Takimi kishte si qëllim diskutimin e hapave të mëtejshëm me djegien e mandateve.

Andrea Marto, deputet i Partisë Socialiste, në këtë intervistë me gazetën “Albanian Free Press”, komenton këto zhvillime politike në vend.

Intervistoi për Albanian Free Press, Albert Zholi

Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?  

Pjesëmarrja në protestën e datës 16 shkurt, nuk i justifikoi parapërgatitjet e ethshme të opozitës. Kjo opozitë ka organizuar protesta me pjesëmarrje më të lartë.

Çfarë tregoi kjo protestë? 

Kjo protestë tregoi se pushteti nuk mund të ndërrohet me protesta, qofshin ato edhe të dhunshme - këtë thirrje propagandonin drejtuesit e  opozitës: dilni në protestë që të rrëzojmë Qeverinë. Nga ana tjetër dëshmoi se opozita e sotme vijon të mos jetë një alternativë bindëse, për shumicën dërmuese të shqiptarëve.

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u prit?

Në opinion publik u prit me mosbesim, si protesta e radhës që nuk do sillte asgjë të re.

Partnerët ndërkombëtarë dënuan dhunën qorre ndaj Selisë qeveritare.

Pas kësaj proteste a u forcuan apo u lëkundën më shumë pozitat e Ramës?

Në gjykimin tim pozitat e Kryeministrit u forcuan. Dëshmi e qartë e vlerësimit për zotin Rama ishte edhe pjesëmarrja e entuziazmi në aktivitetin e organizuar ditën e shtunë në Vlorë. Agresiviteti i treguar nga opozita, sigurisht që përforcon pozitat e Qeverisë dhe të shumicës, por vendit i nevojitet një alternativë qeverisëse konstruktive. E ardhmja evropiane e Shqipërisë kërkon kontributin e të gjithë faktorëve dhe aktorëve.

Imediate për momentin, është reforma zgjedhore dhe opozita duhet të kontribuojë në realizimin e saj. Shumica i ka krijuar të gjitha hapësirat, por opozita vijon të jetë refuzuese. Në sistemet demokratike dialogu dhe bashkëpunimi janë instrumentet më efikase për zhvillim, protestat e dhunshme vetëm dëmtojnë rëndë të ardhmen.

Ka pasur reagime ku opozita thotë se policia provokoi dhe nga qeveria që thotë dhuna u përdor nga protestuesit, mendimi juaj?

Përpjekjet e opozitës për të justifikuar dhunën dhe përpjekjet për të pushtuar Kryeministrinë, me provokimet e policisë janë absurde. Policia ka treguar një profesionalizëm të admirueshëm, duke shmangur çdo veprim që mund të cënonte jetën e protestuesve edhe kur veprimet e tyre ishin tejet të dhunshme. Përfitoj nga rasti të përgëzoj Policinë e Shtetit për përballimin e suksesshëm dhe pa pasoja të kësaj proteste.

Tashmë jemi pa opozitë parlamentare pas 28 vjetësh që u rikthye pluralizmi politik. Grupi parlamentar demokrat ka votuar unanimisht në favor të propozimit të kreut të PD-së për dorëzimin e mandateve të deputetëve. Të njëjtën gjë shpallën dhe LSI si dhe aleatët e tjerë opozitarë. Si mendoni, çfarë do të sjellë kjo në politikën shqiptare?

Është një qëndrim ekstrem dhe i pajustifikuar i opozitës, që nuk i shërben interesave të vendit. Zgjidhja që kërkon të imponojë opozita, pra largimi i qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme me qeveri transitore, tregon se qëndrime të tilla janë paradoksale dhe e gjitha kjo, është e papranueshme dhe jodemokratike.

Por a do të sjellë zhvillime të reja djegia e mandateve nëse bëhet?

Në demokraci kjo gjë nuk është normale dhe uroj të mos ndodhë. Opozita duhet të luajë rolin e saj si opozitë reale deri në zgjedhje. Shumica është e ligjshme, vijon të ketë mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptareve si dhe i ka “numrat” për të qeverisur.

Largimi i opozitës nuk përbën zhvillim pozitiv dhe është hera e parë që vendi do të përballet me një situatë të tillë jo normale.