Një ditë pas protestës, Basha: Propozoj djegien e mandateve të deputeteve tanë!

Një ditë pas protestës, Basha: Propozoj djegien e mandateve të deputeteve tanë!
Një ditë pas protestës së opozitës Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se do i propozojë grupit parlamentar demokrat djegien e mandatave të deputetëve si një mesazh i qartë i ardhur dje nga protesta e opozitës. Nuk dihet nëse kjo lëvizje do të ndiqet edhe nga partia tjetër opozitare, LSI.

“Ju kërkoni dhe prisni që ne t’i prijmë ndryshimit. Ne kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale por përballë nuk kemi një parti politike, një qeveri politike të zgjedhur nga qytetarët, për ballë kemi një bandë,” theksoi Basha, sot në një dalje publike. “ Duke iu falënderuar për besimin e demonstruar dje ju siguroj se kam dëgjuar dhe kuptuar mesazhin tuaj. Kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe është derdhur, thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar. ne nuk do vazhdojmë të jemi fasadë e një parlamenti.”

Më tej kreu demokrat tha se pasi lexoi vullnetin e protestuesve, ka propozuar djegien e mandatave.

“Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputeteve tanë”, deklaroi kreu i PD.