Armando Vajushi: Erdha në Shqipëri, për të ikur pas 4-muajsh

Armando Vajushi: Erdha në Shqipëri, për të ikur pas 4-muajsh
Sulmuesi shkodran i Teutës, para ndeshjes me Kukësin, flet për të ardhmen e tij

Armando Vajushi është rikthyer kampionatit shqiptar pas një periudhe të gjatë. Sulmuesi shkodran pas një përvojë në Bullgari, si dhe në Itali, me ekipe të ndryshme të Seria B dhe C, u rikthye gjatë janarit si përforcim i bujshëm i Teutës së Durrësit.

Ai pret debutimin ndaj Kukësit, ndërsa thotë se pas këtij sezoni synon të largohet sërish jashtë.

“Të them të drejtën kam 7 vite që kam qenë jashtë. Kam qenë në bisedime me shumë ekipe në Shqipëri, por u ktheva te Teuta se ishin të vetmit drejtues që më deshën më shumë. Që në ditën kur morën vesh që doja të kthehesha në Shqipëri, më morën e me thanë “eja e kërko çfarë të duash që të luash te ne”, tregoi Vajushi.

Por ai thotë se kërkon që të realizojë objektivat me djemtë e detit gjatë këtij sezoni, dhe në merkaton e verës synon të bëhet sërish pjesë e një skuadre të huaj.

“Pikësynim kam që të luaj këto katër muaj, është që të bëj më të mirën me klubin dhe pastaj të kthehem përsëri të luaj jashtë”, shpjegoi sulmuesi shkodran.

Fitorja e mundshme e Teutës ndaj Kukësit është një betejë direkte për vendin e dytë.

“Kjo është ndeshje e vështirë por jo se është edhe ndeshja e fundit. Ne do të japim maksimumin, që të marrim maksimumin e të marrim trepikëshin. Besoj se do të jem në fushë në këtë ndeshje”, ishin fjalët e sulmuesit shkodran, eksperienca e parë e të cilit ishte në Shkodër, me Vllazninë.

Vajushi, ish-lojtar i Kombëtares kuqezi, ka ndjekur të njëjtën rrugë si shumë futbollistë të tjerë, të cilët kur nuk kanë gjetur ekipin e duhur i janë rikthyer kampionatit shqiptar për të shpresuar që karrierën ta zhvillojnë sërish jashtë Shqipërisë.