Ardian Mema, “divorc” me “tre muskëtierët” e mbijetesës

Ardian Mema, “divorc” me “tre muskëtierët” e mbijetesës
Nga Aranit Muraçi

Erdhën me emergjencë, por mund të konsiderohen si katër trajnerët e duhur, të momentit, në Kategorinë Superiore. Ardian Mema, Julian Ahmataj, Ernest Gjoka dhe Bledar Devolli morën skuadrat e tyre në një situatë emergjence, por me rezultatet po tregojnë se me ta kampionati ka ndryshuar

Tirana, Luftëtari, Kamza dhe Kastrioti, janë katër ekipet që pritet të luftojnë deri në fund për mbijetesën. Ardian Mema, Julian Ahmataj, Ernest Gjoka dhe Bledar Devolli, janë të katër trajnerë që erdhën me “emergjencë” gjatë këtij sezoni, si zgjidhje që klubet i panë për të shpëtuar ekipet e tyre nga rreziku i rënies. Interesant është fakti se ecuria e të katër ekipeve që rrezikojnë rënien, ka rezultuar pozitive me fillimin e vitit 2019, çka ka bërë që rivaliteti mes katër ekipeve, dy prej të cilave do të bien në një kategori më poshtë, të jetë edhe më i ashpër se beteja për mbijetesë. Më e mirë duket ecuria e Tiranës, nën drejtimin e një trajneri që e njeh ambientin dhe pavarësisht se pati një nisje të dobët, kur zëvendësoi brazilianin Ze Maria, ka rigjetur harmoninë. Në kampin bardheblu janë të gjithë të kënaqur me punën që ka bërë Ardian Mema. Ai erdhi nga Flamurtari, ku ishte ndihmës i Ilir Dajës, dhe 2019-ta ka nisur ndryshe, sikur të jetë një “Tiranë tjetër”, edhe pse në merkato bardheblutë nuk ndryshuan thuajse fare. Kualifikimi ndaj Flamurtarit në kupë si dhe dy fitoret e fundit ndaj Kamzës, rival direkt për mbijetesë, e Kukësit pretendent për titull, janë rezultate bindëse që “blindojnë” Ardian Memën në stol, të paktën deri në fund të sezonit. Pas javës së 21-të Tirana shihet më një objektiv tjetër, më pranë Europës se rreziku i rënies nga kategoria.

Luftëtari humbi 5-1 ndaj Kastriotit në ndeshjen e parë të këtij viti dhe ndërroi trajnerin e tretë, duke i dhënë besim trajnerit Julian Ahmataj. Nën drejtimin e tij, gjirokastritët fituan në Laç dhe shmangën humbjen me  Flamurtarin. Por edhe Kastrioti, nën drejtimin e Bledar Devollit, ndonëse e humbi ndeshjen e fundit me Partizanin, mori gjashtë pikë në dy ndeshjet e kaluara, ndaj Luftëtarit dhe Skënderbeut, duke rritur kuoata e mbijetesës. Kamza, nën drejtimin e Ernest Gjokës, ka pasur më shumë lëkundje në javët e para të pjesës së dytë të këtij sezoni.  Por kur Gjoka mori drejtimin e Kamzës, fitoret me Luftëtarin dhe Skënderbeun si dhe barazimi me Laçin, ishin rezultate që rritën shpresat e mbijetesës. Teksa trajnerët po japin më të mirën, kush prej tyre do t’i nënshtrohet fatit të rënien nga kategoria? Duket se aspekti financiar do të jetë vendimtar, në javët e mbetura, kur gara ashpërsohet dhe tre prej skuadrave që synojnë mbijetesën, Kamza, Kastrioti dhe Luftëtari, nuk kanë pasur një raport të mirë me financat. Pra mbijetesa, duket se do të varet pikërisht nga ky raport.

 

Mbijetesa në Kategorinë Superiore 

Klasifikimi          N             F              B             H             G+          G-           P

  1. Tirana 21 6              6              9              25           23           24
  2. Luftëtari 21 6              3              12           18           26           21
  3. Kamza 21 4              4              13           10           25           16
  4. Kastrioti 21 5              1              15           18           39           16