Anila Bisha: Politika ndër vite e shkatërroi Teatrin Kombëtar, sot është një sh.p.k

Anila Bisha: Politika ndër vite e shkatërroi Teatrin Kombëtar, sot është një sh.p.k
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press aktorja e njohur Anila Bisha: “E vuaj jashtë mase dhe gjërat janë krejt mbrapsht. Është kthyer në sh.p.k teatri. Unë nuk jam kundër skenave të reja, të bëhen edhe nja 5 Turbina të tjera. Çdo aktor i do skenat e reja dhe kushtet por jo në këtë mënyrë. Por unë përsëri nuk rri pa punuar. Filmi “Vera pa kthim” më ofroi një rol që rrallë të bie në jetë e që më shkon shumë për shtat. Shpresoj shumë që të ketë rezultate të mira edhe në festivalet e filmit dhe aktivitetet ndërkombëtare e kombëtare. Pres shumë nga ky personazh.”

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Anila Bisha është një nga aktoret më të mira në brezin e artë të viteve ’80. Në film që adoleshente, bukuroshja tironse e Rrugës së Shebegve, me mollëza të kuqe e qerpikë korb të zi, do të kthehej shumë shpejt në një nga portretet më të preferuar për shumë regjisorë. Fillimi i demokracisë do ta gjente në Teatrin Kombëtar ku është deri më sot. Por si shumë aktorë të mirë të këtij vendi, edhe Anila Bisha vuante dhe vuan mbi kurriz mungesën e një vullneti institucional për një teatër dinjitoz. Por jashtë skene është një grua e fisme dhe e bukur që ka nxjerrë në jetë dy fëmijë të talentuar, fryt i një dashurie të madhe me regjisorin e njohur Besnik Bisha. Një çaj dhe një bisedë e ngrohtë me Anilën dhe ky rrëfim erdhi me shumë sinqeritet dhe origjinalitet.

Me kinematografinë e ke nisur marrëdhënien shumë herët. Si rrodhën ngjarjet që luajte në filmat e parë?

Unë e kam filluar dashurinë me filmin shumë shpejt, pra edhe më shpejt se kaq. Isha vetëm 14 vjeç. Roli im i parë ishte një rol shumë i vogël, në filmin “Fundi i një gjakmarrje” e mbase mund ta luante edhe një vajzë në Shkodër ku u xhirua. Por sebep u bë një mikesha jonë montazhiere. Kohët e gjata me xhirime dhe trupa vetëm me burra bënë që ajo të kërkonte që të merrte një vajzë për këtë rol, që në fakt të rrinte me të. Ajo i drejtohet regjisorit Rikard Ljarja që për këtë rol ta gjente ajo vajzën e vogël. Ai pranon të më shikonte. Unë dukesha shumë më e vogël, isha shumë e pazhvilluar, një vajzë e imët. Kisha një frikë brenda vetes por ajo erdhi tek mami dhe garantoi që do të kujdesej për mua. Deri në atë moment nuk kishte qëlluar që në shkollën time, “Kongresi i Përmetit”, të vinin e të kërkonin fëmijë për filma, siç ndodhte në ato vite. Sepse unë brenda vetes mezi prisja që të ndodhte. Filmin e  adhuroja që në atë kohë. Unë u lumturova shumë që mora pjesë në atë film. Filmi u xhirua në muajt e verës dhe nuk u shkëputa nga shkolla. Bashkë me ne po xhirohej edhe një film tjetër e sigurisht që stafi piketonte personazhe që u interesonin. Pas kësaj, regjisori i madh Dhimitër Anagnosti xhironte filmin “Gurët e shtëpisë time” dhe kërkonte një vajzë për një personazh të plotë, që do të kishte rolin e vajzës së Roza Anagnostit. Një nga asistent që më kishin parë në Shkodër pyeti se ku isha unë sepse ata po kërkonin nëpër gjimnaze e nuk kishin gjetur portretin  duhur. Erdhën e më morën në shtëpi sepse mendonin se portreti im ishte i përshtatshëm. U seleksionuam tre vajza nga 20 për kinoprovën. Të gjithë i thanë Dhimitrit se unë isha Roza e re, pra i ngjaja shumë. Ai vendos të më marrë dhe për mua, që isha vetëm 16 vjeç, ishte një lumturi e jashtëzakonshme, e para sepse do të punoja me atë regjisor të madh dhe e dyta sepse mendoja se më në fund më erdhi shansi që të bëhesha aktore. Nuk e harroj, kemi qenë duke udhëtuar me tren drejt xhirimeve, në Vuno. Një zonjë i drejtohet Rozës duke e përshëndetur dhe i tha se sa mirë që ajo kishte marrë vajzën me vete. Aq shumë ngjanim. Roza qeshte me të madhe dhe i tha se unë do të isha vajza e saj në film. Ai ka qenë filmi im i parë me rol të plotë e që më bëri që të mendoja seriozisht me vazhdimin e fakultetit për arte. Ndërkohë xhirova në film edhe me regjisorin Pirro Milkani e më pas me Albert Zholin në filmin “Familja ime”. Pas kësaj erdhi edhe periudha e fakultetit në Akademinë e Arteve.

Një film deri diku i guximshëm filmi “Familja ime”...

Po dhe këtë edhe sot ma thonë shumë njerëz që e shikojnë me kënaqësi. Ishte risi edhe dalja ime në film me ato rroba banje aq të vogla. Madje më vjen shumë keq që në ato vite kinostudio vuante për mungesë shiritash filmi me ngjyra dhe ai film u xhirua në bardhë e zi. Ishte një film që për kohën ishte jashtë ndikimeve dogmatike të partisë shtet. Ka naivitetet e veta por në përgjithësi prek tema të rëndësishme sociale.

Përmes roleve të tua, binte në sy që ishe një vajzë e emancipuar për ato vite...

Po, kjo është e vërtetë. Edhe në shkollë më ka ndodhur shpesh të më çojnë në drejtori për pantallona shumë të ngushta ose sandale të lidhura deri në gju. Nuk doja t’ia dija fare për mentalitetin. Por ja hidhja paq sepse isha një vajzë e mirë e me rezultate të mira, e mësueset më donin shumë. Prandaj kur më thanë se do të dilja me rroba banje nuk e pata aspak problem. Sigurisht që edhe po të më thoshin se duhet të luaja në rol një puthje, do ta kisha bërë. Më vonë erdhi filmi “Sinjal dashurie”, është periudha kur jam njohur me Besnikun.

Lindi dashuria gjatë xhirimeve?

Besniku erdhi të më shikonte në dhomën e grimit për këtë film se kishte mik grimierin e kinostudios. Ai ndërkohë më kishte parë tek filmi “Gurët e shtëpisë time” dhe kur filmi montohej, më ka treguar se dëgjonte të tjerët të shpreheshin se sa e mirë ishte kjo goca tironse. Aty ishte intriguar mbi mua. Unë kam qenë shumë e shkathët dhe ja kuptova menjëherë qëllimin. Mua më kishte dalë e drejta e studimit dhe brenda vetes thosha se ohuuu s’ja kisha ngenë këtyre gjërave se do të filloja shkollën. Pasi fillova akademinë, e gjeja shpesh rastësisht në kthimin time për në shtëpi. Pyes një mikeshën time që punonte në kinostudio se përse e shikoja kaq shpesh rrugës. Ajo më foli me superlativa për të dhe familjen e tij e kjo më ngrohu shumë. Në periudhën që Besniku bëri masterin për regji filmi sigurisht që shiheshim më shpesh. Kështu filluam që të dilnim bashkë. Ka një histori të bukur ajo kokë. Unë kisha mësim me Petit Malaj. Besniku kishte mbaruar përpara meje dhe i thotë profesorit që e kishte marrë malli për mua e se ai duhet të më nxirrte përpara nga mësimi që të më takonte. Ata ishin shokë. Profesori, Petriti, sigurisht që e kishte me shumë zor. “Si t’i them unë studentes dil se të kërkojnë.” Gjithsesi u bind. Hyn në mësim e më thotë: “Ti Karaj dil përjashta!”. Unë u stepa se nuk mendoja të kisha bërë diçka të keqe. “Pse profesor ça bona?” “Po dil moj tashi se po të kërkojnë se edhe ty të kam mangut!”. Kur dola më fishkëlleu Besniku dhe unë e takova gjithë turp se në ato vite studenti kishte shumë turp nga pedagogu e sidomos po të mësonin ata se dashuroje dikë. Historitë e mia me Besnikun gjatë viteve të dashnisë kaq qenë pa fund, ndoshta edhe sepse Besniku si shkodran kishte një sens të fortë humori. Ai ende e ka. Ka qenë ndoshta edhe ky sens humori që na ka mbajtur kaq fort të lidhur bashkë sepse për kohën 10 vite diferencë mes nesh ishte shumë por ne nuk i kemi ndjerë asnjëherë. Shto këtu edhe faktin se ai ishte asistent regjisor në atë kohë, bisedat tona ishin brenda fushës, diskutonim për filmat, artin, pra gjëra që më interesonin. Pas dy vitesh bashkë ne u fejuam, isha në vit të tretë të fakultetit. Duke qenë se shtëpia ime ishte rrugës që ai bënte për në punë, në kinostudio, vinte shpesh në lagje dhe ne ramë shumë në sy. Imagjino që shpesh vinte edhe me motor në lagje, të cilin ja kishte sjellë i vëllai që studionte jashtë. Madje besniku kishte një vëlla të pamartuar dhe e kishte pak me siklet nga familja që të fejohej përpara tij, por unë shumë e prerë i thashë se vërtetë ai kishte një vëlla por unë kisha re vëllezër e se nëse donte të vazhdonim, duhet të takonte nënën time. I kisha idetë shumë të qarta që e re ha ha ha. “O hajde tako mamanë time ose unë s’e kam problem fare, ti shif jetën tënde e unë timen!”-i thashë.

I paske vënë kufirin te thana ha ha ha...

Po, ha ha ha, dhe që atë ditë ai erdhi i krehur e i hekurosur të takonte nënë time. Nuk kishte më kuptim, Juela, ne kishim dy vite bashkë, dy vite të cilat kishim kaluar shumë mirë dhe unë e kisha ndarë mendjen që ai do të ishte njeriu i jetës time. E ndjeja dhe e shikoja përkushtimin e tij ndaj meje. Një detaj i rëndësishëm që më ndikoi ishte edhe fakti që në momentin që pedagogët e mi e morën vesh që unë duhesha me Besnikun, e shtuan respektin ndaj meje, pra ai ishte djalë aq i mirë saqë ata nuk më paragjykuan për keq por përkundrazi, më vlerësuan më shumë për zgjedhjen time. Më ka ndodhur në jetë të marr disa herë vendime të rëndësishme për jetën time, vetëm vetë, pa familjen, dhe ja kam dalë. Këtë karakter të fortë ndoshta e kam trashëguar nga nëna ime. Tani që ajo nuk jeton më e i rikthehem jetës së saj, e kuptoj këtë. Motra e vogël e gjashtë fëmijëve. E përkëdhelur por e zonja për veten.

Si ka qenë kalimi i pragut në teatër, e mban mend?

Edhe aty ka qenë një lloj fati sepse në vitin e tretë në Akademinë e Arteve, nganjëherë vinin regjisorët e teatrit, Pirro Mani, Fatos Haxhiraj etj për të rekrutuar ose përzgjedhur aktorët e rinj më të mirë të grupit. Atë vit erdhi Fatos Haxhiraj. Pedagogu Jul Nenshati më kishte kërkuar për një pjesë që ai po vinte në skenë por i kishin thënë që unë duhet të punoja me Fatos Haxhirajn, i cili më vlerësoi shumë dhe më shprehu dëshirën që të punonim bashkë. Në vitin 1991 unë mbarova studimet dhe në Teatrin Kombëtar ikën një pjesë e madhe e aktorëve. Në skenë do të vihej pjesa “Besa” e Sami Frashërit dhe u duhej një vajzë e re. Fatos Haxhiraj vendosi që unë do ta interpretoja këtë rol. Unë isha në muaj mjalti dhe sapo më informuan se kishin ardhur në shtëpi për këtë pjesë, u ktheva menjëherë. Hyra në teatër me kontratë se nuk kisha mikun dhe kam ndenjur kështu 5 vite. Deri në momentin që drejtor në teatër erdhi Gëzim Kame, një ish pedagogu im, i cili i njihte dhe vlerësonte aftësitë e mia. Kur ai erdhi në teatër as që e kam ditur që jam emëruar e brendshme në teatër, e kishte bërë fakt të kryer vetë. Kur kam shkuar ta falënderoj kujtoj se më ka thënë që të mos e falenderoja sepse ishte diçka që duhej bërë me kohë. Gjithmonë do të jem mirënjohëse ndaj Gëzim Kames. Sot pas kaq vitesh unë jam aty e brendshme por përsëri kërkohet që të kalohet me sistem kontratash. Të them të vërtetën e kam parashikuar shumë kohë më parë këtë që po ndodh me godinën e Teatrit Kombëtar. U kam thënë kolegëve të mi që të mos dorëzohen e të kenë kujdes sepse dobësimi i hallkave, pra ikja e aktorëve ose dobësimi i tyre do të sillte zhdukjen e godinës. Nuk më besuan në fillim por ndodhi.

Por pse jeni kaq të përçarë?

Sistemi i kontratave i trembi aktorët. Është në mes buka e gojës Juela. Unë sot jam nga aktoret më të vjetra në teatër, po bëj 28 vite aty. Flas për brezin e ’90. Kjo solli edhe atë frikën e të mbeturit pa role, solli nevojën e të pasurit mirë me drejtorin, me ministrinë, për të ruajtur vendin dhe angazhimin. Që nga ikja e Gëzim Kames, teatri nuk funksionoi më siç duhej, me një punësim të trupës. Nëse vihet një pjesë, është normale që për rolin e heroit të merret edhe një aktor nga jashtë teatrit, por për rolet e tjera është trupa. Ke përpara CV-të e tyre, përvojën dhe aftësitë. Zgjedh rolet. Ndërkohë ajo që po ndodh tani është që ne jemi aktorë të brendshëm por role nuk na jepen por merren aktorë nga jashtë, pra kemi pagesë dyfishe. Unë kam tre çmime të rëndësishme me role në teatër e nuk mendoj se duhet të trajtohem njësoj me një aktor të sapoardhur.

E vuan shumë mungesën e roleve?

E vuaj jashtë mase dhe gjërat janë krejt mbrapsht. Është kthyer në SHPK teatri. Unë nuk jam kundër skenave të reja, të bëhen edhe nja 5 Turbina. Çdo aktor i do skenat e reja dhe kushtet por jo në këtë mënyrë. Por unë përsëri nuk rri pa punuar. Filmi “Vera pa kthim” më ofroi një rol që rrallë të bie në jetë e që më shkon shumë për shtat. Shpresoj shumë që të ketë rezultate të mira edhe në festivalet e filmit dhe aktivitetet ndërkombëtare e kombëtare. Pres shumë nga ky personazh. Ndërkohë po lexoj një vepër tjetër e mendoj që të vë një shfaqje të cilën ta punoj vetë, monodramë, e kam me shumë dëshirë, një roman i huaj, tronditës por i thellë. E kam me dëshirë që regjinë të ma bëjë Besniku, sepse kjo vepër ka nevojë për dorën e besnikut që m’i njeh ndjesitë që kërkon vepra.

Ke vuajtur këto pasoja edhe sepse je shprehur kundër sistemit të menaxhimit të teatrit?

Sigurisht që po. Mjaftoi një intervistë e imja kritike ku shpreha dhe revoltën time se si në gjithë këto vite, jo vetëm në këto vitet e fundit, është menaxhuar teatri dhe shpreha nostalgjinë ndaj kohës kur unë fillova punë kur të gjithë ishin të angazhuar. Në ato vite aktorët nuk kishin kohë të rrinin nëpër kafe e të merrnin nëpër gojë kolegët ose të thurnin lavde për drejtorin, sepse punonin shumë. Ky kaos solli armiqësi me njëri-tjetrin. Aktori ka ndjeshmëri, ai jep shpirtin në role. Por nuk mjafton ky investim i madh shpirtëror që ne vëmë në skenë, por pas revoltës time, unë u thirra dhe mu tha se unë nuk do të kem rol sepse gjoja nuk më donin regjisorët sepse isha konfliktuale. Normale që nuk më thoshte dot menjëherë se nuk më donte ai. Por e vëreta ishte që regjisorët, të cilët i telefonova, u shprehën me superlativa për mua.

Politika i mundi aktorët në vend që t’i mbështesë?

Kultura gjithmonë është trajtuar si gjëja më e parëndësishme. Aktorët shpesh punojnë për bukën e gojës e kjo të bën të pafuqishëm. Politika e gabuar e shkatërroi Teatrin Kombëtar. Sistematikisht drejtorët e teatrit i ka vendosur politika dhe për ta hequr qafe këtë pjesë, ka menduar gjithmonë një artist. Për fatin tonë të keq kanë qëlluar të jenë artistë të paplotësuar dhe kanë krijuar rrethin e tyre, përveç Gëzim Kames. Në skenë ngjitej vetëm grupi rrotull drejtorit ose në zyrë me drejtorin. Aty zgjidheshin veprat dhe regjisorët. Këtu filloi prishja e teatrit. Nuk duhet të shkojmë ne tek shijet e publikut por jemi ne me pjesë të mira që do ta risjellim publikun në teatër. Unë jam plotësisht me vlerësimin e figurës artistike dhe teatri nuk mund të kthehet në spektakël humori.

Ti ke dy fëmijë të mrekullueshëm, një vajzë e një djalë. Më trego më shumë për ta...

Djali im Orl studion mjekësi në Vjenë. Na ka bërë krenarë. Ai ka studiuar, ashtu si vajza për piano, por zgjodhi pasionin e tij, mjekësinë. Ëndrra e tij e madhe është kirurgjia e zemrës e unë uroj shumë e me shpirt që t’i realizohet. Vajza ime pas studimeve në Vjenë për piano sot jeton në Shqipëri e jam shumë e lumtur që për momentin e kam pranë sepse kur më iku me studime, me ditë të tëra e kam vuajtur shumë. Por kam fëmijë të mirë e që ende sot ngrihen në këmbë kur ne hyjmë në dhomë. Si prindër kemi bërë shumë për ta por edhe i kemi lënë të lirë të ndjekin ëndrrat e tyre.

Por sa bukur që nënë e bijë ishit bashkë në filmin e Besnikut...

Unë fëmijët i kam mbajtur larg artit. Të dy kanë studiuar piano në fillim si një kulturë e përgjithshme muzikore. Ishte shumë emocionuese të luaja në film me vajzën time Rea. Ajo ka shumë ngjashmëri me mua edhe në gjeste dhe fizionomi. Kur ajo xhiroi një skenë nga më emocionalet në film, ne si prindër mbetëm të shkuar, ne nuk e kishim ditur deri në atë moment se çfarë ishte në gjendje të bënte vajza jonë. Ja që Rea na tregoi se ajo ishte edhe në film një vajzë shumë e talentuar në interpretim. Vazhdimësia mbetet në dorën e saj dhe të shanseve që do i dalin përpara në jetë. E sigurt është që mbështetjen tonë të dy fëmijët tanë do e kenë gjithë jetën.

Çfarë mendon se ke nga tabani jot tirons?

Nuk i bëj dot njeriu keq, nuk arrij dot. Mund të ma kesh bërë borxh shumë por përsëri e kam zemrën e butë, si të gjithë tironsit.

Çfarë urren më shumë?

Mosmirënjohjen. Më shumë dua një hajdut e një imorale se sa një mosmirënjohës.

Të ka penguar bukuria? Ke pasur xhelozi prej kësaj?

Shumë, kam pasur shpesh pengesa. Që në fakultet sepse të thuhej atëherë që “ka nur skenik” është fat i madh e këtë shumë kolege nuk ma falnin dot. Isha e vetmja studente që më shkruhej kjo në karakteristika. Është një element shumë i fortë për një aktore, e kisha fatin që kamera më donte, ma shtonte nurin.

Ku e gjen prehjen tënde?

Në muajt e verës vrapoj të shkoj tek shtëpia jonë në Qerret. Shëtitjet, të ndenjurat në orët e vona, bisedat me miqtë tanë të mirë që kemi atje. Aty çlodhem shumë dhe vij në formën më të mirë.