Analizë/Djegia e mandateve dhe “listat mbushëse”

Analizë/Djegia e mandateve dhe “listat mbushëse”
 

Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të gjithë ata që merren me zgjedhjet ose ndjekin procesin si gazetarë ose analistë, e dinë shumë mirë se ato për të cilat liderët “vrasin mendjen”, bëjnë takime të gjata në orët e vona të natës, dërgojnë ndërmjetës ose përpiqen për maksimizim vote, janë “listat fituese” ose pjesa e një liste kandidatësh me një probabilitet më të madh për fitore. Gjithashtu është edhe e njohur strategjia për të vënë në vendet limit, pra aty ku mund dhe nuk mund të fitohet, emra të fortë, ish deputetë të suksesshëm ose individë me tarafe dhe personalitet të fuqishëm në realitetet lokale. Por kur “gong-u” i KQZ bie dhe lista shumë-emërore duhet të jetë gati dhe e dorëzuar e plotë, vijnë ato, “listat humbëse” ose siç quhen shpesh me sens tallës ose pexhorativ, “listat mbushëse”. Në shumë raste, sjellin pakënaqësi, madje edhe të shpallura publikisht, prej kandidatësh të cilët pretendojnë se u është premtuar një vend më lart, pra fitues, nga “negociatat” me liderin. Këtu prodhohet qartësisht një “i pakënaqur”, një “i lëkundur” e në rastin më të keq, një “elektorat që kthehet gri” e që votat e tij, ka shumë shanse, që t’i kanalizojë drejt polit tjetër, qoftë për “hakmarrje” ose qoftë si një sinjal drejt kahut kundërshtar. Në tërësi kjo ndodh me kandidatë nga realitete lokale ku individi ka ende shumë pushtet, afërsia e tij me bashkëqytetarët ose bashkëfshatarët është ende shumë e ngushtë dhe mundësia për të bindur një masë elektorati që të votojë në kahun tjetër është më e mundur.  Por një tjetër realitet u vu re pastër në zgjedhjet e vitit 2017. Pak minuta përpara afatit fundor të dorëzimit të listave të plota në KQZ, turravrapi dhe përgatitja e listave e përqendruar tek “listat fituese” bëri që “listat humbëse” të furnizoheshin me shumë nxitim e në “shenjë promovuese” (ky është edhe justifikimi i rastit), ato u mbushën, kryesisht në qarqet e mëdha, me emra të rinjsh, pjesë e forumeve rinore, disa të rinj aktivë dhe me emër, zë e figurë të njohur, disa thuajse anonim. Mes tyre, siç pritej, pakënaqësi pati shumë pak, hiq këtu raste sporadike kur edhe pse të rinj, kishim të bënim me profesionistë në fushat e tyre, të rinj nga familje të persekutuara e shumë aktivë, por që p.sh me Tiranën nuk i lidhte shumë ndërsa me qytetet nga vinin po. Pra forumet rinore, të rinjtë dhe zelli i tyre, “u përdor” për mirë por edhe për mbushje vakuumesh, nga partitë më të mëdha, por më shumë nga forcat opozitare, sot, PD dhe LSI. Partia Demokratike e ka pasur gjithmonë forumin e saj rinor një mekanizëm të fuqishëm në protesta, iniciativa, dukje publike. Aty ku qytetarët mungonin, ishin flegmatikë, të lëkundur, ose edhe të lodhur nga politika, FRPD mbushte sheshet, nxirrte në dritë aktivitetet e promovimet, shpëtonin në shumë raste nga dështimi dhjetëra e dhjetëra nisma të lidershipit. Në rastin e LSI, ajo ka lindur nga një grusht deputetësh të sprovuar por ka ditur që në nisje të historisë së saj, të përthithë të rinj e nuk është mjaftuar me promovim të tyre në “lista mbushëse” por ata flasin, dëgjohen, veprojnë, janë deputetë, janë shumicë madje. Por ja që edhe politika, ashtu si edhe bota, është një “portokall” dhe erdhi kjo kohë kur opozita e vendit lajmëron djegien e mandateve por një paqartësi e madhe është ndër votues se si do të ndodhë kjo. Duke u nisur edhe nga formimi juridik i mirë në dy partitë e mëdha opozitare, është e pamundur që të mos ketë informacion prej tyre që pas largimit nga parlamenti të deputetëve ekzistues, u vjen radha një e nga një pasuesve në lista. Ja që vjen një kohë kur ata, të lajmëruarit me një “sms” në netët e vona të ditëve përpara zgjedhjeve se janë kandidatë humbës, ata që në shumicën e rasteve kanë ngrënë pluhurin e rrugëve, baltën e djersën e verës elektorale, kanë organizuar tubimet e takuar njerëzit, teksa ata, fituesit bënin grim ose takonin liderin, ata kanë shumë mundësi që të kenë kohën e tyre, më në fund. Sigurisht që shumë prej tyre do të “ndjekin” vijën e partisë por është e pamundur që mes tyre, dhe janë shumë, të mos ketë të rinj që të duan të shfrytëzojnë dy vite si deputet, një eksperiencë që të vjen rrallë në jetë. Ca prej tyre edhe e kanë harruar që kanë qenë pjesë e një “liste të sajuar”, ca kanë parë muaj pas muaji t’u kalojnë përpara me kostum njerëz të cilët nuk kanë as votat e familjes së tyre, e disa janë pjesë e kohëve kur forumi rinor ishte një “gur i rëndë” politik e mbante udhëheqjen e të ndjerit Sokol Olldashi, Keltis Krujës, Gent Malkos e të tjerë si ata. Pra siguria se të gjithë në rresht, kandidatët e regjistruar në KQZ si “garues humbës”, do të ndjekin vendimin e partisë, është jo i pamundur por shumë e vështirë. Fakti se për këtë liderët që vendosën kanë dijeni, duket edhe në “kujdesin” që kanë për të bërë procesin e “djegies së mandateve” fakt në KQZ. Po marrin kohë, me justifikim mbledhjesh të forumeve drejtuese partiake, por ndërkohë, ka shumë gjasa që janë duke “negociuar” përsëri, por këtë herë me ata ose ato që dikur e diku, u përdorën si “mbushësa” e që sot, koha deshi, që të kenë në duar pushtetin që partitë, për të cilat u munduan që çiliminj, nuk ua dha. Se sa do të mbizotërojë idealizmi politik mbi dëshirën për karrierë parlamentare, kjo është për t’u parë në ditët në vijim, por është e sigurt që herës tjetër, liderët do të mendohen më thellë kur “të mbushin ato lista” që përpara 2013 mbylleshin me doktorë shkencash e intelektualë e sot mbarojnë me emra që askush nuk i njeh.

Lista e plotë emërore e depozituar pranë KQZ nga Partia Demokratike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017:

Qarku Tiranë:

Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Rudina Hajdari, Grida Shqina, Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Sali Berisha, Halim Kosova, Gent Strazimiri, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Gerti Bogdani, Fuad Haxhiymeri, Blendi Sulaj, Flamur Hoxha, Fatbardh Plaku, Dorjan Teliti, Besnik Fuçia, Shkëlqim Hoxha, Ahmet Prençi, Korab Lita, Mirela Dragoni-Tabaku, Barbara Doda, Enkelejda Sallaku, Ndriçim Dushku, Erion Piciri, Genci Gjylsheni, Fisnik Qosja, Lisandër Hoxha, Lulzim Omuri, Vendim Demaj, Artur Roshi, Hysen Kadiu, Dashnor Visha, Indrit Hoxha, Besmira Petriti, Ana Kadillari, Erald Shulla, Ina Haxhija, Ares Ypi, Halit Valteri, Oriona Kurtesi, Sokol Ruka, Ylber Valteri, Kristaq Papa, Selami Jenishehri, Majlinda Halilaj, Besnik Troplini, Zana Prela, Muharrem Doda.

Qarku Lezhë:

Aldo Bumçi, Lindita Metaliaj, Andon Frrokaj, Preç Zogaj, Martin Biba, Luigj Gjergji, Enkelejda Rica, Klajti Reçi, Albert Loçi.

Qarku Berat:

Eduard Halimi, Astrit Veliaj, Lefter Maliqi, Bujar Hoxhaj, Myslym Haxhi, Juvina Jani, Monika Qosja.

Qarku Durrës:

Oerd Bylykbashi, Fatbardha Kadiu, Edi Paloka, Florion Mima, Agron Duka, Vullnet Topalli, Enri Çeno, Shkëlqim Fortuzi, Dejana Burgija, Everest Varaku, Bujar Huqi, Ardian Kokomani, Helenida Sava, Alban Isteri, Agron Loka, Erzen Laçi, Blerim Vogli, Krenar Rryçi, Kujtim Gjuzi.

Qarku Shkodër:

Romeo Gurakuqi, Izmira Ulqinaku, Lorenc Luka, Bardh Spahia, Nard Ndoka, Gjok Uldedaj, Anton Koka, Prelë Gjoni, Isuf Meta, Benardeta Syku, Arvit Bushati, Ardit Çybyli, Denis Fani, Aurel Markaj, Denisa Meçi, Orjeta Shkambi, Nikolin Staka, Zef Shtjefni.

Qarku Kukës: Flamur Noka, Isuf Çela, Alban Zeneli, Miftar Dauti.

Qarku Dibër:

Dhurata Çupi, Xhemal Gjunkshi, Edmond Isaku, Agron Qoku, Denisa Vata, Halil Jakimi, Jeton Kaloshi, Afrim Pocesti, Bashkim Murati.

Qarku Korçë:

Valentina Duka, Ervin Saljanji, Hekuran Hoxhalli, Klevis Balliu, Andrea Mano, Ligoraq Karamelo, Fatmir Guda, Kristiano Koçibelli, Soela Myrtollari, Arlind Çaçani, Marta Male, Andi Përmeti, Erdion Maçolli, Koçi Tahiri, Gazmir Troja, Elvis Pisku, Zamira Mernica, Fogert Hoxha.

Qarku Fier:

Enkelejd Alibeaj, Genc Pollo, Myslym Murrizi, Luan Baçi, Olsi Çukaj, Luljeta Sejko, Dilaver Kamberaj, Jakup Beqiri, Shkëlqim Krasniqi, Aurora Koroveshi, Altin Malokaj, Elizabeta Kurti, Pandeli Tole, Almer Toska, Klement Çela, Ferdinant Çobo, Ermal Sefa, Endri Jaupaj, Mikel Tabaku, Arjan Karriqi.

Qarku Elbasan:

Edmond Spaho, Endri Hasa, Luçiano Boçi, Taulant Zeneli, Arben Elezi, Fitimtar Zekthi, Nada Krypa, Blendi Himçi, Kodhel Çala, Gavrosh Zela, Qani Xhafa, Artmir Krasniqi, Ibrahim Sako, Ismail Çala, Loren Gllavina, Xhaferr Dushku, Sindi Daiu, Vangjel Kallajxhiu.

Qarku Gjirokastër:

Tritan Shehu, Roland Bejko, Koço Barka, Besnik Aliaj, Qamil Xhelili, Mimoza Çomo, Fatjona Dhimitri, Arjan Kasaj, Vjollca Luke.

Qarku Vlorë:

Agron Shehaj, Nadire Meçorapaj, Vangjel Dule, Arben Ristani, Dashamir Tahiri, Adriatik Alimadhi, Hariz Mëma, Matilda Qurku, Lorenc Danaj, Skerdilaid Sulozeqi, Florenc Spahiu, Jolio Dine, Ervis Meço.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press