Zbehet protesta e studentëve, kërkohet mbështetje nga Ambasada e SHBA dhe BE

Zbehet protesta e studentëve, kërkohet mbështetje nga Ambasada e SHBA dhe BE
Protesta e studentëve vijon në ditën e dytë të saj pas rikthimit nga festat, ndonëse të tkurrur në numër para kryeministrisë. Nga ana tjetër edhe auditorët kanë qenë bosh, pasi vetëm një numër shumë i vogël i tyre është paraqitur për të zhvilluar mësim

Sonila Isaku

Zbehet protesta e studentëve në kryeqytet. Ndryshe nga dita e hënë, më pak të rinj u grumbulluan përpara selisë së qeverisë ditën e djeshme. Ishin afro 50 studentë që mbanin në duar pankarta ku përsërisnin 8 kërkesat e tyre drejtuar qeverisë, duke shtuar se sërish nuk do të pranojnë të ulen në bisedime. Gjatë zhvillimi të protestës, studentët kanë marshuar drejt Ambasadës Amerikane ku kanë dorëzuar një letër e cila iu drejtua edhe BE-së. Në këtë letër ata kërkonin mbështetje për plotësimin e 8 kërkesave si dhe kërkesën e nëntë, për shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. “Ky ishte një vendim i momentit, që ne nuk e kishim parashikuar. Besoj se drejtuesit e ambasadës do të na mbështesin”, - ka pohuar një prej studentëve.

Protesta

Protesta e studentëve vijoi në ditën e dytë të saj pas rikthimit nga festat, kohë që ia lanë kryeministrit Rama për të përmbushur kërkesat e tyre, si dhe kërkojnë rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Protestuesit përpara kryeministrisë thanë se nuk do tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave. Pjesëmarrja e ulet, sipas tyre, ishte rrjedhojë edhe e temperaturave shumë të ulëta që kanë përfshirë gjithë vendin. “Me ato vendime, kryeministri nuk ka plotësuar asgjë. As përjashtimin e tarifave, sepse përjashtoi vetëm një cikël studimesh, Bachelorin. Ato janë vendime të cekëta dhe janë VKM, kur duhet të jenë amendamente në Parlament”, tha një student.

Veçse dje studentët kanë zgjedhur mënyra të ndryshme protestimi. Disa të rinj zgjodhën që të grumbulloheshin para Fakultetit të Shkencave Sociale duke shpalosur një banderolë ndërsa protestën e tyre e shoqëruan edhe me muzikë. Ndërkohë shume studentë vijuan procesin mësimor. Në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës dhe atë Gjeologji Minierave kishte të rinj në auditorë që ndoqën normalisht mësimin.

Ndërsa në Universitetin Politeknik, studentët janë ndarë në grupe, pasi një pjesë e tyre kanë zgjedhur të rikthehen në auditorë nga frika e humbjes së vitit. “Fakulteti ynë është përgjithësisht në bojkot. Numri i studentëve që janë në mësim është i papërfillshëm, pasi FIN dhe FAU kanë 3.500 studentë, ndërsa në mësim janë 50-60. Vetë bojkoti është formë proteste, pavarësisht se nuk jemi paraqitur para Kryeministrisë për shkak të numrit të studentëve, siç duket kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, - tha një student arkitekture.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë, sallat e leksioneve nuk janë më bosh. Studentët deklarojnë se pavarësisht nga kjo, protesta do të vazhdojë normalisht.

Kyçja e dyerve të Universitetit Bujqësor ka qenë forma tjetër e protestës, për të mos lejuar edhe dje, fillimin e mësimit.

Tarifat dhe vendimi

Një pjesë e studentëve të cilët janë paraqitur pranë auditorëve të fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit denoncuan se asnjë gjë nuk ka ndryshuar, pasi sekretaritë e universiteteve kanë kërkuar që shlyerja e pagesave të kryhet si normalisht. Por kjo gjë u hodh poshtë nga dekani i këtij fakulteti i cili tha se sekretaritë mësimore nuk kanë marrë asnjë veprim në lidhje me shlyerjen pagesave vjetore.

Edhe kryeministri Rama i është përgjigjur menjëherë në distancë të gjithë studentëve skeptikë të cilët ende nuk besojnë në vendimin e marrë nga qeveria për përgjysmimin e tarifave studentore këtë vit akademik për të gjithë studentet dhe heqjen e tarifës për ata që kanë notë mesatare mbi 9. “Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dezinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit! Askush të mos paguajë më shumë se 50%”, - shkruan Rama. Ai kujton edhe një herë se vendimi për të ulur me 50% tarifën e studimit për të gjithë studentët dhe 100% për ata me mesatare 9 dhe 10 është marrë që në dhjetor dhe brenda janarit qeveria do të transferojë paratë tek universitetet.

Ministria e Arsimit

Nga ana tjetër një tjetër reagim ka ardhur edhe nga Ministria e Arsimit pas njoftimit të bërë këtë të martë nga kreu i qeverisë Edi Rama për VKM për bursat dhe tarifat e studentëve. Në njoftimin e saj MAS sqaron se pas marrjes së informacionit nga të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë do të lëvrohet fondi për universitetet për subvencionimin e tarifave që do të paguajë qeveria për studentët dhe bursat.

Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë për mediat ministria thekson se ky institucion po punon intensivisht për të identifikuar numrin e studentëve, të cilët përfitojnë nga vendimet e marra nga qeveria Rama. “Ministria e Arsimit ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë, në rast të plotësimit të kritereve të përmendura në Vendimet e Këshillit të Ministrave për tarifat dhe bursat. Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm. Pas marrjes së këtij informacioni do të vijohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të lëvrohet fondi i nevojshëm për subvencionimin e IAL-ve publike në përballimin e efektit financiar, në zbatim të vendimeve” thuhet në njoftimi ne ministrisë së Arsimit. Më pas do të jenë sekretaritë mësimore pranë universiteteve dhe administratorët do të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët.

 

"Bojkot, mësim dhe protestë" në rrethe, Shkodra kërkon shtyrjen e riprovimeve

Bojkot, protestë dhe mësim në auditorë ishin tablotë që ofruan këtë të martë Universitetet e rretheve. Studentët e Shkodrës nga ana tjetër kërkuan shtyrjen e sezonit të riprovimeve dy javë pas mbylljes së protestës që siç thonë do të vijojë pa afat. "Kërkojmë anulimin e sezonit të riprovimeve tashmë të shpallur, për një periudhë tjetër e cila të mos jetë më pak se 2 javë nga data e Përfundimit të protestës Studentore. Në të kundërt ne do rishikojmë listën e kërkesave tona duke i shtuar ato në raport me dinamikën e zhvillimit të protestës”, - shkruhet kërkesë.

Pasi mori zyrtarisht kërkesën, rektori Adem Bekteshi, u shpreh se në parim e miraton propozimin e të rinjve dhe do ta kalojë për votim në senat.

Edhe studentët e Elbasanit vijojnë bojkotin e mësimit deri në plotësimin e 9 kërkesave të parashtruara për qeverinë. Një përfaqësi e tyre u prit nga rektori, Skënder Topi, nga i cili morën garancinë se nuk do të penalizohen për mungesat gjatë ditëve të protestës.

Ndërsa në Universitetin e Korçës gjatë ditës së djeshme i gjeje të gjitha tablotë. Një pjesë ishte në mësim, të tjerë në protestë para Universitetit, ndërsa një pjesë kishin bojkotuar auditorët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: