"STAFETA" RAMA-CAKAJ/ Konstitucionalistët: Dhënia e kompetencave të plota është antikushtetuese

"STAFETA" RAMA-CAKAJ/ Konstitucionalistët: Dhënia e kompetencave të plota është antikushtetuese
FORUM/ Flasin me gazetën “Albanian Free Press”, konstitucionalisti i njohur, Çlirim Gjata dhe juristët Elmas Sherifi e Arben Braçe: Pse dhënia e kompetencave të plota zv/ministrit Cakaj si Ministër i jashtëm nga Rama, është antikushtetuese

Albert Zholi

Gent Cakaj, që nga dje, pavarësisht debatit dhe refuzimit nga Presidenti për të dekretuar emrin e tij në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të drejtojë këtë dikaster, më i rëndësishmi i kabinetit qeveritar. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë i delegoi detyrën 28-vjeçarit nga Kosova përmes fjalimit më të shkurtër që ka mbajtur ndonjëherë edhe si kryetar bashkie, edhe si ministër Kulture edhe si Kryeministër. “Unë i nënshkruari Edi Rama, në funksionin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit Gent Cakaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësimit të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, brenda dhe jashtë vendit”.

Pas kësaj deklarate, disa politikanë e akuzuan Ramën se po shkelte Kushtetutën. Të paqartë për këtë mënyrë të vepruari ishin dhe shumë qytetarë. Gazeta “Albanian Free Press” kërkoi opinionin e ekspertëve, njohës të Kushtetutës dhe arriti të bisedojë me konstitucionalistët Çlirim Gjata dhe Arben Braçe.

Për konstitucionalistin Çlirim Gjata, kjo që po ndodh është një shkelje e Kushtetutës: “Një ministër, mund t’i delegojë zëvendësministrit një apo dy kompetenca për një apo disa çështje konkrete. Por nuk mund t’i delegojë në bllok “En Bloc” të gjitha kompetencat që ka. Pra kjo është antikushtetuese sepse ministri s’ka punë vetëm me kryeministrin apo me zv/ministrat, ka punë dhe me institucionet e tjera. Dhe për rrjedhojë nuk mund të lejojë zv.ministrin që t’i ushtrojë këto kompetenca pasi duhet vetë ministri t’i ushtrojë ato”.

Për më tepër, - vijon Gjata, - ka kompetenca që duhet t’i ushtrojë vetëm dhe vetëm ministri. Rasti më konkret është ai i nenit 92 gërma ë e Kushtetutës lidhur me kompetencat e Presidentit në rastet kur do të nënshkruhen marrëveshjet ndërkombëtare. Ky nen përcakton se Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: a) i drejton mesazhe Kuvendit; ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit, etj... Sipas kësaj pike, Presidenti do të bashkëpunojë me ministrin e Jashtëm dhe jo me atë që i delegohen kompetencat. Kjo është detyrë kushtetuese e ministrit të Jashtëm pasi është shumë delikate”.

Gjata thotë se ministri, në rastin tonë de jure z.Rama, “mund t’i delegojë një çështje zv.ministrit kur ai mbledh grup ekspertësh për sqarimin e asaj çështjeje, por kurrsesi zv/ministrit t’i japë të gjitha kompetencat e ministrit”.

“Pra kryeministri mund t’i delegojë një apo dy çështje konkrete, por asnjëherë të gjitha kompetencat në bllok. Kompetencat që burojnë direkt nga Kushtetuta nuk mund të shkelen. Neni 92 pika ë, është shumë i qartë”, - përfundon z.Gjata.

Juristi Arben Braçe, thotë se Kryeministri mund të delegojë vetëm kompetenca administrative. Sipas tij, delegimi që bëri në rastin “Cakaj” është antikushtetues. “Në asnjë rast nuk mund të delegojë kompetenca kushtetuese sikundër mund të jetë rasti i nënshkrimit të ndonjë traktati ndërkombëtar, etj.”, - thotë z.Braçe.

Ish-ministri Elmaz Sherifi. Jurist dhe pedagog në Fakultetin Juridik në Tiranë, thotë se “Kushtetuta e Shqipërisë, por edhe Ligji mbi Organizimin dhe Funksionimit e Këshillit të Ministrave kanë përcaktuar kompetencat e ministrit”.

“Në mungesë të ministrit, - shton z.Sherifi, - zëvendësministri mund të ketë kompetenca të ministrit të autorizuara me shkrim”.

“Ministri mund të delegojë kompetenca sipas Kodit të Procedurave administrative, sipas kodit të përcaktuar ligjor dhe akteve nënligjore. Ministri në rastin "Cakaj" nuk mund të transferojë kompetencat e tij si ministër. Jam kurioz të shoh a ka një dokument të shkruar mbi cilat norma ligjore ia ka deleguar ministri, kompetencat zëvendësministrit. Sepse gjithsesi, zëvendësministri mbetet zëvendës”, - përfundon z.Sherifi, ish ministër në qeverinë socialiste të Fatos Nanos.

 

Ish-Presidenti Nishani: Pushteti që Rama mori dhe transferoi, nuk ekziston

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, komentoi fjalimin e Kryeministrit Edi Rama në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme si dhe sjelljen e tij dhe të “ministrit” Gent Cakaj.

“Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë dhe veprimi i tij në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar siç është Ministria e Jashtme, ishte kulmimi i modelit më skandaloz, poshtërues, të turpshëm dhe i dënueshëm, përgjatë tërë historisë së Shtetit Shqiptar”, u shpreh dje Nishani në një qëndrim që bëri publik në rrjetet sociale. “Sjellja poshtëruese dhe shkatërruese ndaj shtetit tonë ia kaloi më në fund dhe asaj të diktaturës, që ishte më kriminalja, më xhanavarja dhe më injorantja e shekullit modern evropian”.

Sipas Nishanit, pushteti që Rama mori dhe transferoi, nuk ekziston. “Pushteti që ai mori dhe transferoi nuk ekziston. Ai sajoi sot një pushtet ilegal. Ai ushtroi dhunën më poshtëruese ndaj shtetit, sistemit, rregullave demokratike, qytetarëve shqiptarë”, - thotë Nishani duke mos i kursyer notat kritike.

Për Nishanin, mjerane ishte edhe sjellja e “ministrit” të ri: “Po aq mjerante ishte edhe sjellja e një djali të ri sot, i cili duke pranuar poshtërimin mori përsipër të transportojë minën ndaj Shtetit Shqiptar. Ky do të jetë ministri i Jashtëm i “dekretuar” nga një kryeministër dhe i pavotuar nga Parlamenti. Imagjinoni tani se çfarë serioziteti, integriteti dhe profesionalizmi do të përçojë ai si përfaqësues i politikës së jashtme të Shqipërisë. Papërgjegjshmëria e bashkëngjitjes së tij ndaj dhunës së Kryeministrit degradoi deri në të paimagjinueshmen. Deri në pantomima mesjetare përpara korpusit diplomatik shqiptar”.

 

Ish MPJ Paskal Milo: Rama ka të drejtë të delegojë kompetencat e tij

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale thotë se diplomacia shqiptare vendoset nga qeveria dhe jo nga një person i vetëm

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e konsideron si të drejtë të Kryeministrit për të deleguar detyrën. Megjithatë ai shton se kjo situatë e krijuar duhet të bëhet mësim si për kryetarin e shtetit, ashtu dhe atë qeverisë.

“Në këtë rast ne jemi dëshmitarë të një përplasje tjetër institucionale. Por prej këtyre përplasjeve duhen nxjerrë mësime, siç janë konsultimet paraprake para marrjes së vendimeve të rëndësishme”, - thotë Prof. Dr. Milo.

Ai shpreh bindjen se Rama do të jetë aktiv në diplomacinë ndërkombëtare të vendit. “Kryeministri ka qenë dhe do të jetë shumë i angazhuar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Tërësia e institucioneve shqiptare që përcaktojnë qëndrimet e shtetit shqiptar në politikën e jashtme, dëshmojnë se Shqipëria nuk ka lëvizur nga pozicionet e saj”, - thotë kryetari i Partisë Demokracia Sociale.

Sipas tij, diplomacia shqiptare vendoset nga qeveria dhe jo nga një person i vetëm.

 

OPINIONISTI

Ironia e Andi Bejtjes për shqipen e Cakës

Opinionisti i njohur Andi Bejtja, shigjeton komunikimin e Gent Cakës, de jure zv/ministër i jashtëm dhe de fakto ministër, duke marrë pasazhe të fjalës së ti dhe duke i veshur doza e batuta ironike që në fund përmbyllen me “të fala Eqerem Çabejt”, i njohur nga shumëkush si gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar.

“Semantika e diskutimit planetar me disponalitet rajonal pa paragjykim plutonik duke ndërmarrë hapa ujore me virgjinitet mashkullor ndëshkon tematikën me disponilitet të përkorë materialitetin tekstilues qe e bën Ufon përjashtimisht një ndenjëse në tokë.... Të fala Eqerem Cabejit”, - shprehet Bejtja.