Redjan Stafuka: Si realizova ëndrrën e fëmijërisë

Redjan Stafuka: Si realizova ëndrrën e fëmijërisë
Flet posaçërisht për Albanian Free Press, aktori i talentuar Redjan Stafuka: “Asnjëherë, në asnjë moment, nuk kam menduar që të luaj në film për famë ose për të ardhura, si shumë njerëz që duan që të arrijnë diçka të tillë, famën veçanërisht. Unë shumë thjesht doja që të realizoja ëndrrën time të fëmijërisë, të cilën e mbaja në sirtar prej shumë vitesh.”

Në vjeshtën e vitit që lamë pas, në morinë e aktiviteteve artistike dhe ndër të paktat evente kinematografike ishte dhe filmi “Dashuria s’mjafton”, me regji dhe skenar nga Drilon Hoxha, një krim aksion por me një fije të gjatë drame brenda, që gërsheton ndjenjën e dashurisë, e cila nuk është e mjaftueshme për të arritur synimet e vendosura dhe shihet si pengesë, dhe, siç tregon skenaristi, të duhet të bësh pakt me botën e krimit dhe shpesh të sakrifikosh shokët e familjen për ambicien. E vetmja vlerë qe i ka mbetur qenies njerëzore po venitet me kalimin e kohës e po zëvendësohet nga inatet e hakmarrja. Filmi ilustron një të ri i cili rifiton lirinë por nuk i ndahet asaj rruge i komanduar dhe i iluminuar nga një profesor i vjetër i cili jep këshilla dhe komandon nga burgu. Peripecitë dhe ligji i mbijetesës vjen instinktivisht nga nevoja e vetëmbrojtjes.

Një film ky që në pamje të parë tingëllonte i rëndë dhe hapte plagë të thella të shoqërisë shqiptare por që që na bën të dashurojmë më shumë njerëzit, botën, natyrën e të respektojmë më shumë jetën.

Në mesin e kastit të aktorëve kryesorë, spikati edhe një djalë i ri në nisje të karrierës së tij si aktor. Ndoshta i ndihmuar edhe nga impostimi fizik, zëri dhe emocioni në interpretim, personazhi i interpretuar nga Redjan Stafuka, një djalë që hakmerret për humbjen e njeriut të dashur, ka ardhur shumë real dhe pavarësisht se është një eksperiencë e re, ka goditur spektatorin. Për Albanian Free Press, biseduam me aktorin Redjan Stafuka mbi eksperiencën e tij me filmin shqiptar dhe aspiratat për të ardhmen si aktor.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

A mund të më rrëfesh se kur ka nisur pasioni yt për aktimin?

Nëse kam pasur një ëndërr në jetë, një nga ato ëndrrat e shtrenjta që shpesh ja tregon vetes me zë të ulët, nga druajtja se mos nuk realizohet, kjo ka qenë të bëhem aktor. Por gjatë gjithë adoleshencës time, teksa mendoja që një ditë edhe mund të bëhesha aktor, shkoja shumë larg me imagjinatën, deri aty sa që ëndërroja të isha aktor por jo në Shqipëri por jashtë kufijve. Shikonim të vegjël filmat e Hollivudit dhe sigurisht që imagjinata fluturonte larg, tek aktorët e mëdhenj, veçanërisht në filmat me aksion ose krim, pra pëlqeja filmat dinamikë, me lëvizje dhe skena të forta.

Zgjati shumë kjo ëndërr e jotja për të qenë aktor jashtë vendit?

Kur u rrita dhe normalisht erdhi edhe maturimi im, kuptova se në këtë vendin tonë të vogël e të vështirë, duhet t’i vësh shpatullat jetës e të punosh fort, ndoshta edhe të merresh me gjëra që nuk janë pasioni yt, sepse kjo është e domosdoshme për të jetuar. Unë për një kohë të gjatë u aktivizova me biznesin dhe aktivitetet tregtare, për disa kohë edhe me jetën e natës dhe menaxhimin e tyre.

Dhe si ndodhi që u afrove me filmin?

Rastësisht unë u njoha me Drilon Hoxhën, regjisorin dhe skenaristin  filmit dhe aty nisën diskutimet dhe ndjeva që m’u hap një dritare e re drejt ëndrrës time. Kur Driloni ma propozoi këtë rol, menjëherë mendja më shkoi tek ëndrra e fëmijërisë, që rrugës së jetës time ishte zbehur por që po jeta e solli që të ma rikthente përsëri. Përjetova shumë emocion sepse unë mendoj që ne jemi shumë nga rrënjët tona, pra brumosja jonë varet shumë nga fëmijëria jonë.

Nuk u nise në asnjë moment nga dëshira për famë?

Asnjëherë, në asnjë moment, nuk kam menduar që të luaj në film për famë ose për të ardhura, si shumë njerëz që duan që të arrijnë diçka të tillë, famën veçanërisht. Unë shumë thjesht doja që të realizoja ëndrrën time të fëmijërisë, të cilën e mbaja në sirtar prej shumë vitesh.

Sa emocione kishit kur ishit në sheshxhirim?

Kisha një emocion të brendshëm, teksa ishim me xhirime, të cilin edhe sot nuk arrij ta përshkruaj. Por emocioni më i madh ishte kur e pashë veten në kinema, në ekranin e madh magjik. Kur publiku më duartrokiti për një pjesë të rolit tim, u ndjeva i shpaguar për punën time e mendoj që kjo i mjafton një aktori që të ketë emocione të mëdha. Ju rrëfej që më shkuan lot nga sytë, menjëherë e mendova veten time tek ato ditët e varfra të vegjëlisë, kur mendoja brenda meje për ëndrrën time për t’u bërë aktor.

Po familjarët e dinin këtë pasion tëndin?

Jo, sepse më dukej shumë e paarritshme që të realizohej. Dua t’u tregoj diçka rreth reagimit të babait tim. Nën ime më besonte më shumë kur i rrëfeja që po luaja një film, ndërsa babai im ishte shumë mosbesues, ose më saktë, nuk ma ushqente shumë këtë pasion, me mendimin për të më ruajtur nga zhgënjimet sepse realiteti shqiptar është shumë i vështirë. Ai mbase dëshirën e kishte shumë të madhe por nuk donte ta shfaqte. Por kur i thashë që filmi ka dalë në kinema, u ndje shumë krenar, krenari kjo që vazhdon kur miqtë tanë, shokët e mi, e pyesin për mua dhe për angazhimet e mia me filmin. “Tani më bëre ta kuptoj e ta ndjej atë që më thoshe dikur!”-më tha im atë e kjo sigurisht më ngrohu shumë.

Si do ta konsideronit rolin tuaj, negativ apo pozitiv?

Në filmin “Dashuria s’mjafton” janë disa role të rëndësishme, ndër të cilët edhe imi, nuk mund ta quaj rol negativ por as pozitiv. Unë hakmerrem, si personazh, për vëllanë tim. E vërteta, në fakt, është që vëllai im ka qenë i pabesë ndaj heroit kryesor të filmit, pra ndaj personazhit të interpretuar nga Drilon Hoxha. Për më shumë detaje duhet parë filmi.

Sa zgjatën xhirimet?

Për shumë arsye, xhirimet zgjatën rreth dy vite. Nuk ka shumë mbështetje për kinematografinë në Shqipëri, pavarësisht pasionit dhe dëshirës së madhe të disa artistëve që të mos e lenë kinemanë shqiptare të vdesë. Kjo mungesë mbështetjeje nuk është vetëm financiare, është edhe logjistike. Mund të mbetesh pa xhiruar me ditë të tëra edhe për vonesën ose mungesën e një lejeje xhirmi në një shesh, më e pakta do të të sorollatin. Kemi xhiruar edhe në burg dhe ata njerëz atje meritojnë falënderime për mbështetjen, por e gjitha kjo na vonoi shumë, është punuar ditë natë me një lodhje të madhe. Por edhe mos harroni se në Shqipëri, aktorët nuk janë të pasur, përkundrazi, një pjesë e madhe e jona punonim edhe nëpër punë të tjera.

Por historia e filmit është realiteti shqiptar...

Po dhe mendoj se kjo është pjesa më e rëndësishme e punës tonë, të shërbejmë sado pak që rinia shqiptare të marrë një shembull, të ketë një mësim prej artit. Jemi ende një vend me trauma të mëdha, grabitje, vrasje, dhunime dhe në këtë aspekt arti si edukim merr shumë vlerë.

Filmi ende shfaqet në disa rrethe të vendit dhe është pritur me shumë sukses, kjo ty të nga ngrohur që të pranosh të jesh në projekte të tjera si ky?

Emocionet që kam përjetuar nga aktrimi si dhe ngrohtësia e spektatorit më ka bërë që të kem shumë dëshirë që të jem protagonist në role të tjera dhe fatmirësisht kam disa oferta interesante.

Më the në nisje që paralelisht ti menaxhon evente dhe biznese të jetës argëtuese në Tiranë. Kjo mendon se të ka ndihmuar edhe në aktrim?

Në film duhet të luash rolin por duhet të jesh edhe vetvetja, që të shfaqesh sa më real. Duhet të hysh në botën shpirtërore të personazhit, ndryshe je i shtirur. Sigurisht që kontaktet me qindra njerëz në ditë, të tipologjive të ndryshme, më ka ndihmuar shumë. Jeta e argëtimit në Shqipëri është një film më vete por me histori dhe skenarë realë e të jetuar.

Filmi quhet “Dashuria s’mjafton” por a është e vërtetë?

Çdo njeri është brenda shpirtit të tij një artist por njerëzit sot janë të hutuar shumë, jeta është më e vështirë. Shikoj që shumë njerëz janë turrur pas asaj që bëjnë në jetë, aktiviteteve të tyre dhe kanë harruar gjënë më të rëndësishme, lumturinë dhe artin, të bukurën. Lumturia dhe bukuria është kur njeriu qesh, këtu ka humbur e qeshura. Pasuria ime më e madhe është lumturia që unë po përjetoj në këto kohë e momente.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: