PËRPLASJA/ Rama: Unë, de jure ministër i Jashtëm. Cakaj do të jetë de facto? Meta: Nuk lejoj shtet të rremë!

PËRPLASJA/ Rama: Unë, de jure ministër i Jashtëm. Cakaj do të jetë de facto? Meta: Nuk lejoj shtet të rremë!
Pas vendimit të Ramës që të vihet në krye edhe të MPJ dhe shigjetimeve ndaj Presidentit, z. Meta paralajmëron: Nuk lejoj shtet të rremë!

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se do të jetë ai vetë që do të mbulojë dhe detyrën e ministrit të ri të Jashtëm të vendit. Vendimi i tij vjen pasi javën e shkuar presidenti i Republikës, Ilir Meta, refuzoi të emëronte kandidaturën e zv/ministrit aktual të Jashtëm, Gent Cakaj. Një veprim që për qeverinë “është antikushtetues”, sikundër dhe mosshkarkimi i ministrit në detyrë Ditmir Bushati.

Për të dy rastet, kryeministri Rama, u shpreh dje se do t’i drejtohet Gjykatës së re Kushtetuese. Por aktualisht kjo gjykatë është jashtë funksionit duke qenë se ka mbetur vetëm me një anëtar, Vitore Tushen, pasi të tjerët, një pjesë kishin dhënë më parë dorëheqjen, ndërsa një pjesë, përfshirë dhe kryetarin Bashkim Dedja, u rrëzua gjatë procesit të rivlerësimit.

Kompletimi i Gjykatës Kushtetuese me anëtarët e rinj do të dojë së paku disa muaj. Deri atëherë, siç nënvizoi dje kryeministri Rama do të jetë “de jure në këtë rol sepse s'kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”.

Radiotelevizioni shtetëror RTSH, pas publikimit të vendimit të z.Rama, sugjeroi se de facto do të jetë Gent Cakaj, ministër i Jashtëm: “Deklarata e tij të bën të mendosh që “de fakto” ministër i Jashtëm do të jetë i përzgjedhuri i tij Gent Cakaj, zgjedhje që ka shkaktuar polemika në politikën shqiptare, por edhe atë kosovare”, - komenton RTSH.

Përveç kërkesës për emërimin e tij, zoti Rama mësohet të ketë dërguar në presidencë dhe kërkesën e re për shkarkimin e zotit Bushati. Në këtë mënyrë duket se kapërcehet ngërçi i krijuar, ndonëse bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme.

Sakaq, ka mbërritur edhe reagimi i Presidentit Meta. Deklarata e Ramës se ai do të jetë de jure ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si dhe pakënaqësia e tij për sjelljen e Presidentit në këtë çështje, ka sjellë reagimin e këtij të fundit. “Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. No more fake state (Jo më shtet i rremë). Shqipëria e para!” reagoi z. Meta.

 

POLEMIKAT

Përplasja e fortë mes Presidentit dhe Kryeministrit

Vendimi i zotit Meta, shkaktoi një përplasje të fortë mes tij dhe kreut të Qeverisë. Në fundjavë, Meta u shpreh se “sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Sipas presidentit, Partia Socialiste por dhe vendi kanë kapacitete dhe diplomatë të sprovuar të cilët mund të drejtojnë politikën e jashtme të vendit, duke venë në dukje në këtë mënyrë moshën e re dhe mungesën e përvojës së zotit Cakaj.

Kryeministri nga ana e tij, u përgjigj duke shkruar në rrjete sociale se nuk do të merret më me “një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit”. Ndërsa shtoi se “Gjykata e re Kushtetuese do t'i japë fund kësaj maskarade”.

 

IRONIA E GJOSHËS:

“Rama të emërojë veten në krye të çdo ministrie”

Ish-ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, e sheh me skepticizëm dhe si të papranueshëm, vendimin e kryeministrit Edi Rama për të marrë edhe postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gjosha përdor doza ironie sarkastike, kur bën këtë sugjerim: “Unë mendoj që Kryeministri duhet t’i shkarkoj të gjithë ministrat dhe të emëroj veten e tij në çdo post qeverisës. Madje duhet të emërohet edhe Kryeprokuror”.

“Në fund të fundit, - shton ajo, - Shqipëria tashmë është de facto parti shtet!’