MISTERI I VETËVRASJES/ Eksperti i kriminalistikës: Mehmet Shehut nuk iu bë autopsia!

MISTERI I VETËVRASJES/ Eksperti i kriminalistikës: Mehmet Shehut nuk iu bë autopsia!
INTERVISTA/ Rrëfimi i ekspertit të kriminalistikës, Miltiadh Muçi: “Duke konstatuar disa shkelje proceduriale, mjeko-ligjore dhe kriminalistike, mendoj se është i domosdoshëm rihetimi i “Vetëvrasjes së Mehmet Shehut”. Ai me siguri do të çojë në sqarimin e plotë të së vërtetës së kësaj ngjarjeje!”

Mehmet Shehut jo vetëm që nuk i është bërë autopsia, por grupi i hetimit ka kryer edhe disa shkelje mbi vetëvrasjen e tij.  Ky është një fakt i ri dhe mjaft interesant mbi vdekjen e ish-kryeministrit komunist, që Miltiadh Muçi, ekspert i njohur i kriminalistikës jep në rrëfimin e tij të radhës për “Albanian Free Press”. Duke shprehur mendimin e tij se kjo ngjarje ka nevojë për një rihetim të saj. Për shembull, sipas tij, mund të cilësohet si shkelje procedurale “prania në këqyrjen e vendit të ngjarjes, e përgjegjësit të grupit të sigurisë”. “Ai do të pyetej dhe duhet të jetë pyetur, për të sqaruar momentet më të rëndësishme që kishin të bënin me detyrën e tij dhe të vartësve, për të cilën mbanin përgjegjësi. Prania e tij në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kurrsesi s’mund të justifikohet”, pohon Muçi. Sipas tij, ka rëndësi për çështjen nëse është mbajtur procesverbal dhe nëse është kryer ose jo ekspertimi grafik i letrës “së gjetur” në kasafortën e tij, a ka rezultuar që ajo të jetë shkruar  në kushte të depresionit apo në rrethana të tjera, etj.?

 

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Meqë keni punuar në Laboratorin Qendror Kriminalistik, a  mund të na thoni diçka mbi autopsinë e trupit të ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu? A u bë ajo?

Jo! Në vitin 1981, ndodh ngjarja më e rëndë për udhëheqjen komuniste, kur në mbrëmjen e datës 17 dhjetor, u gjet i vdekur, kryeministri më kohëgjatë i gjithë historisë së shtetit shqiptar, Mehmet Shehu. Kam punuar atëherë në Laboratorin Qendror Kriminalistik, sot Drejtoria e Policisë Shkencore. Në vendngjarje ka shkuar grupi i hetimit me kryetarin e Hetuesisë së Tiranës, shefin e Byrosë Mjeko-ligjore, shefin e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës dhe titullarë të tjerë të institucioneve kryesore të kohës. Pas ngjarjes, kemi bërë biseda në mjediset familjare e shoqërore, sikurse diskutohej zakonisht për të tilla ngjarje. Ndërsa në laborator, në grup apo me njëri-tjetrin, asnjëherë nuk është diskutuar profesionalisht, sikurse vepronim shpesh kur nga kolegët dëshirohej mendimi i të tjerëve, sapo ktheheshin nga vendi i ngjarjes apo ditë më pas. Kjo, edhe pse përbënte guaskën e të fshehtave, që nga grupi i hetimit nuk duhej të dilnin për sa kohë vlerësohej si e tillë.

 

Njëzetë vjet pas ngjarjes, me ndryshimet e sistemeve 

u hodhën dritëhijet e para, sidomos prej medias, nëse vërtet Mehmet Shehu është vetëvrarë apo e kanë vrarë...

Pas viteve ’90, kur shtypi është më shumë i lirë sesa duhet, sepse ndërhyhet në jetën personale të njerëzve, diskutimet për vdekjen e Mehmet Shehut u mbështetën sidomos në hamendjet e të intervistuarve, në pjesëtarë të familjes së viktimës, shoqërues të grupit të sigurisë, apo pjesëmarrës në hetim, në dorëshkrimet dhe ndonjë material me autor apo të paidentifikuar dhe aspak në dokumentet apo mendimet e specialistëve të pavarur. Nisma e një gazete për të sqaruar sadopak dilemën, duke botuar materiale të dosjes hetimore, të “Vetëvrasjes së Mehmet Shehut”, mendoj se duhej të vlerësohej. Ato janë gjetjet më të mira, sepse kur edhe unë, lexova “Procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes”, “Aktin e Ekspertimit Mjekoligjor” dhe atë të “Ekspertimit Balistik e Daktiloskopik”, të armës, gëzhojës e gjurmës së gishtit, konstatova se veprimet janë kryer nën ndikimin e faktorëve të brendshëm emocionalë, të shkaktuara nga pasojat e ngjarjes dhe rëndësia e veçantë e saj, që do t’i ndjente çdokush. Por më shumë nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, sikurse sugjerimi ose sugjestionimi nga personat eprorë të grupit të hetimit. Ndikimet kanë bërë të kryhen veprime formale, aspak profesionale, duke mos respektuar ato rekomandime të duhura proceduriale, mjeko-ligjore, kriminalistike, si në vendin e ngjarjes, ashtu dhe në kushtet e laboratorit. Ndërsa në shkeljet proceduriale do të cilësoja se në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kurrsesi s’mund të ishte dëshmitar i pranishëm përgjegjësi i grupit të sigurisë. Ai do të pyetej dhe duhet të jetë pyetur, për të sqaruar momentet më të rëndësishme që kishin të bënin me detyrën e tij dhe të vartësve, për të cilën mbanin përgjegjësi. Prania e tij në këqyrjen e vendit të ngjarjes, kurrsesi s’mund të justifikohet.

Nga ana tjetër, në shkeljet mjeko-ligjore nuk mund të pranohet sidomos konkluzioni: “shkaku i vdekjes së Mehmet Shehut ka ardhur nga shoku hemorragjik, me mundësinë më të madhe si pasojë e çarjes së zemrës apo enëve të gjakut, që dalin prej saj”, mbështetur në ekzaminimin e jashtëm, pa u bërë autopsia. Kur ajo është e pashmangshme, edhe në rastet e ngjarjeve aksidentale të viktimave të mbytura në ujë, në praninë e dëshmitarëve apo familjarëve. Autopsia kryhej për çdo rast që të vërtetohej saktë, nëse shkaku i vdekjes është rezultat i asfiksisë mekanike nga uji, infarkt, etj.

Ndërkaq, në teknikën kriminalistike nuk mund të pranohet, që shenjat e gishtave të viktimës dhe të kujtdo, të merren me pluhur daktiloskopik, sikurse është shprehur eksperti se “shenjat e gishtave paraqiten të jenë marrë me pluhur alumini në gjurmëkopjues”, kur teknika e marrjes së tyre është klasike dhe e vetme, me bojë tipografike, duke vendosur gishtat mbi kartelën model të kufomave, ose në letër të zakonshme. Pluhurat daktiloskopikë, si edhe gjurmëkopjuesit, janë teknika klasike të kërkimit dhe marrjes së gjurmës në vendin e ngjarjes, mbi sendet dhe objektet e prekura nga personi.

Ekzistojnë dhe shkelje të tjera, por mendoj sikurse e ka shprehur në një intervistë para pak ditëve z. Shaban Sinani, historiograf, të nisë rihetimi, qoftë me subjekte fizikë apo juridikë ligjorë të pavarur. Prandaj, shkeljet e tjera le t’i lëmë dhe t’i bëjmë të njohura për publikun nëse kjo çështje do të rihetohet...

 

Ju po na thoni kështu, se e gjykoni të nevojshme të rinisë hetimi i “Vetëvrasjes së Mehmet Shehut”?

Po. Duke konstatuar këto, si edhe shkelje të tjera proceduriale, mjeko-ligjore dhe kriminalistike, mendoj se është i domosdoshëm rihetimi i “Vetëvrasjes së Mehmet Shehut”, që me siguri do të çojë në sqarimin e plotë të së vërtetës së kësaj ngjarjeje.

 

Përse jeni i këtij mendimi?

Duhet ta pranojmë, se në përvojën tonë dhe të huaj ka ndodhur, që në fillim të jetë kryer hetimi i gabuar, për arsye nga më të ndryshmet. E më pas, të dalin rrethana të reja edhe kur kanë kaluar dekada, që diktojnë rihetimin, sikurse është rasti i pak kohe më parë në vendin tonë, për vrasjen e gazetares në Durrës. Fillimisht ishte menduar për vetëvrasje, ndërsa pas disa muajve u desh të bëhej ekzumimi i kufomës, nga edhe rezultoi të kishte ndodhur vrasje. Mendoj se për çështjen ka rëndësi, nëse është mbajtur procesverbal, për të saktësuar nëse arma ka qenë ose jo e inventarizuar, në emër të viktimës Mehmet Shehu dhe nëse është kryer ose jo ekspertimi grafik i letrës “së gjetur” në kasafortën e tij, ajo ka rezultuar të jetë shkruar  në kushte të depresionit apo në rrethana të tjera, etj.?

 

TEKNIKA

Si hyri mikrokompjuteri në kriminalistikën tonë?

Për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë së pandërprerë keqbërëse, punonjësit e policisë mbështeten në grumbullimin, regjistrimin, përpunimin, vlerësimin dhe shfrytëzimin e informacioneve. Dikur  informacinet e grumbulluar dhe të sistemuar, përpunoheshin e shfrytëzoheshin në gjithë hallkat në  mënyrën manuale, me dorë. Por sot në botë, përdorimi i teknologjive të përparuara dhe bashkëkohore, sikurse janë kompjuterat, në veprimtarinë e përditshme të policisë është një realitet, që  përgjigjen më së miri me objektivitet dhe efektivitet, duke shtuar së tepërmi shpejtësinë. Më 27 nëntor 1989, në Francë u përurua qendra model e INTERPOL-it, ku përpunimi i informacioneve të kompjuterave u shërben shteteve në luftën kundër kriminalitetit, duke qenë i shtrirë në shkallë të gjerë.  Shkëmbimi i informacionit dhe imazheve sigurohet në mënyrë të vazhdueshme, të shpejtë, të standardizuar. Në vitin 1986, “koha mesatare e përgjigjes” për kërkesa nga çdo shtet, kishte qenë 14 ditë, por në 1987-ën, ajo i kaloi sistemit të kompjuterizuar, i cili, i quajtur sistemi i informacionit kriminal, zbriti në 1 ditë; në vitin 1988  në 2 orë, ndërsa sot shumë më shpejtë. Pikërisht, duke i vlerësuar përparësitë tepër të mëdha të teknologjisë bashkëkohore të kompjuterëve, dhe  sidomos në përpunimin e informacioneve të veprimtarisë së çdo dite, të punonjësve të policisë, prej vitit 1985, u bënë përpjekjet e para dhe me kartotekën kriminalistike të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës. Për këtë, nisi bashkëpunimi me Qendrën e Matematikës Llogaritëse dhe përgatitet një program efikas, për krahasimin masiv të gjurmëve të gishtave. Më pas, dhe me Institutin e Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar, për të shfrytëzuar mjetet e reja, në krijimin e një programi më të plotë. Në këtë mënyrë, në “bazë të të dhënave të daktiloskopisë”, u krijua përvoja për bazën e të dhënave të sektorëve të policisë, për realizimin e një projekti-pilot, pikërisht në fundin e vitit 1989. Nga analiza e grumbullimit, sistemimit, përpunimit dhe shkëmbimit të  informacionit, në mënyrën manuale (me dorë), dalin qartë mangësitë e tij dhe vështirësitë në veprimtarinë e punonjësve të policisë, si:

  1. Ruajtja, konsultimi e përpunimi i infomacioneve  medorë është tepër i ngadalshëm.
  2. Saktësia e përpunimit të informacionit jo vetëm se është e ulët, por shpesh me mangësi e subjektivizëm.
  3. Në situatat që kërkohen veprime të shpejta dhe të shpeshta, sistemi është i pashfrytëzueshëm.
  4. Sistemi i informacionit ekzistues paraqet vështirë- si në konsultime e kërkime, dhe mbetet “pronë” vetëm e një numri të kufizuar personash.
  5. Nxjerrja e të dhënave, sidomos e shifrave, kërkon kohë shumë të gjatë dhe bëhet pjesërisht në përgatitjen e statistikave, bilanceve, analizave, studimeve, përgjithësimeve etj.

 

 

DOBIA

Përse kanë përparësi kompjuterat në kriminalistikë?

Sistemet e grumbullimit, përpunimit, shkëmbimit të informacionit me kompjutera kanë përparësi shumë më tepër, sepse:     

  1. Veprimet e informacionit kryhen në mënyrë automatike, me programe të caktuara, sipas fushës së përdorimit.
  2. Ruhet informacion shumë më i madh, në bartësa me përmasa tepër të vogla (disk, disketë, shirit magnetik etj.).
  3. Konsultimi dhe përpunimi i informacioneve, kryhet me shpejtësi shumë më të mëdha, me saktësi mjaft të lartë.
  4. Shfrytëzohet me efektivitet informacioni i shumëllojshëm dhe voluminoz, në kohë të shkurtër, në më pak sekonda apo minuta.
  5. Shmangen ndërhyrjet dhe subjektivizmat nga personat e veçantë.
  6. Sigurohet gatishmëri për të marrë informacion nga çdo person që i lejohet, mjafton të ketë disa njohuri të përgjithshme në përdorim.

  1. Kryhen në mënyrë automatike, jo vetëm seleksionime e klasifikime, por dhe të gjitha të dhënat e tjera në përputhje me disa kritere të përcaktuara.

  1. Përdoren “fjalë-çelës” me kode sekrete të caktuar, për të konsultuar nivele të ndryshme informacionesh;
  2. Kryhen bashkërendime organike të informacionit të shumëllojshëm, me nivele të ndryshme që të krijojnë “baza të dhënash” të shumëllojshme, dhe të shfrytëzohen njëkohësisht nga disa përdorues.

Futja e përdorimi i sistemeve të mikrokompjuterave, e rrit ndjeshëm cilësinë e shërbimit të punonjësve të policisë, mundësinë e informacionit në kohë shumë të shkurtër, me shpenzime të vogla. Por në veçanti rritet: 1. Efektiviteti i organit të policisë. 2. Metodat e punës që kërkohen nga punonjësit e policisë, për ngritjen e nivelit të kulturës profesionale e disiplinës së kualifikimit të mëtejshëm shkencor. 3. Nisur nga fakti që shumica e personave, pa përjashtuar punonjësit e policisë, janë të “mistifikuar”, nga teknologjia dhe funksionimi i kompjuterave, i mjeteve teknike mbi mendimin dhe punën e njeriut, futja e përdorimi i tyre, krijojnë koncepte të qarta për aplikim. Në këtë mënyrë do të hiqet ndrojtja ndaj këtyre pajisjeve të sofistikuara, dhe do krijohet bindja që mikrokompjuteri është vërtet i fuqishëm, por vetëm në duart e njeriut. 4. Sigurohet gatishmëria për të marrë informacionin nga çdo person që i lejohet, mjafton të ketë disa njohuri me sistemet analoge ndërkombëtare, si të INTERPOL-it, në mënyrë që në të ardhmen të krijohen lehtësi më të mëdha në shkëmbim informacionesh, me shtetet e tjerë të Evropës e më gjerë. 5. Me zhvillimet e vrullshme dhe me dobi të përdorimit të kompjuterave, janë kryer e kryhen keqpërdori- me, por dhe krime nëpërmjet tyre. Prandaj duhet t’i ku- shtohet kujdes përgatitjes së ekspertëve të profilizuar, si  t’i parandalojnë “keqpërdorimet dhe krimet e keqbërës- ve me kompjuter”.