INTERVISTË/ Kryeredaktori i parë i RD-së: Shkëlqimi dhe rënia e “Fjalës së Parë”

INTERVISTË/ Kryeredaktori i parë i RD-së: Shkëlqimi dhe rënia e “Fjalës së Parë”
Intervistë me z.Frrok Çupi, opinionist i përhershëm i gazetës së përditshme “Albanian Free Press”, publicist dhe gazetar prej mëse tre dekadash, ish kryeredaktori i parë i gazetës së përditshme “Rilindja Demokratike”, media e parë e lirë në Shqipëri pas afro gjysmë shekulli regjim diktatorial komunist

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Edison Kurani

Ju do të mbaheni mend si kryeredaktori i gazetës dhe njëkohësisht, medias së parë antikomuniste në Shqipëri, pas afro gjysmë shekulli diktaturë. Mbaj mend shumë mirë atë periudhë, pak javë pas lindjes së PD, teksa përgatitej të nxirrej numri i parë i gazetës Rilindja Demokratike.

Dhe më 5 janar 1991, gazeta e shumëpritur, doli në treg. Më kujtohet sesi ajo u përpi nga blerësit anembanë Shqipërisë. Madje u kthye në mjet fitimi për disa, që po e shisnin deri 100 herë më shtrenjtë se çmimi mos gaboj, 1 lek, që nisi ajo gazetë.

RD, kujtoj mirë edhe se në të kishte, të paktën muajt e parë, emra të rëndësishëm që kishin nisur të ravijëzohen në ato kohë dhe po ashtu emra të terë që u bënë protagonistë të medias sikurse janë edhe sot.

Dua t’ju pyes, që të ndani me mua dhe lexuesit tanë, përshtypjet e asaj kohe.

Së pari, na përshkruani ethet e vigjiljes së daljes së gazetës....

Vigjilja?... Mosbesim them së pari. Në numrin e dytë të “Rilindjes Demokratike”, shkrova një shkrim të shkurtër: “Numri i dytë doli, vallë a do të dalë i treti...?’ shkrim i cili tronditi publikun. Por doli edhe numri i tretë e i tridhjetë... Diktatura qulloset më shpejt para një gazete se para armëve; armët nuk i bëjnë gjë diktaturës... Vigjilja më duket se zgjati një shekull. Ajri e kishte përhapur lajmin se do të dalë një ‘gazetë demokratike’; ose vetë ata të nomenklaturës e kishin nxjerrë lajmin. S’e besoni sa e rëndë: Kaloja rrugës që në mëngjes dhe shikoja radhë të gjatë me njerëz para librarive – sepse në librari shiteshin gazetat; kush më njihte por edhe kush nuk më njihte, linin radhën dhe më afroheshin:

“As sot nuk del?”.

“Jo”...

Ata davariteshin si retë në atë të ftohtë tiranas.

Të nesërmen përsëri e njëjta gjë. Derisa ditët e fundit të dhjetorit u mbylla në shtëpi e shpëtova nga dhimbja prej vështrimit të atyre që prisnin gazetën në rrugë. Miliona ishin ata që e prisnin lajmin në shtëpi, o nuk guxonin të dilnin, o ishin ‘të Partisë’, por gazetën e prisnin. Aty në apartamentin tim me një dhomë e kuzhinë, përgjatë festës së vitit shkrova editorialin: “Fjala e parë”, dhe bëra gati thuajse gjithë numrin e parë të RD...

Vigjilje!, më pyet?... Nuk kishim letër, në një moment qeveria komuniste vendosi të na japë letër sa për 100 mijë kopje, pjesën tjetër e gjenin vetë tipografët, shkonte 125-130 mijë kopje në ditë. Prapë nuk mjaftonte...

Vigjilja një shekull, them?... Si do të pritej gazeta?, çfarë do të shkaktonte?, a do të na e merrte dikush nga dora dhe ta përdorte për keq?, a do të hynin turmat tona të ‘demokracisë’ në redaksinë e gazetës dhe të na kërcënonin: ‘bëni gazetën siç duam ne!’, a do të kisha gazetarë aq të lirë saqë të mos shkruanin më me gjuhën e drunjtë?... O Zot!... Kryeministri i kohës na thirri që të firmosim se ‘me gazetën nuk do të nxisim luftë’, shkuam me Preç Zogajn dhe firmosëm. Ministri Alfred Uçi, një estet dhe ish profesori im, më tha duke iu dridhur pak mjekra: “Ja ku firmosa për letrën, tani ti studenti im ke në dorë ta shkatërrosh a të mos e shkatërrosh vendin”... Vigjilje?

Kujtimet tuaja po i shprehni plot emocion dhe pse kanë kaluar 28 vjet, janë të ndjera dhe tronditëse, sidomos për shumëkënd të lindur pas viteve ’90. Na thoni diçka edhe për kryeartikullin që ju kishit në numrin e parë...

Kryeartikulli i parë?... Nuk mund të them siç thonë zakonisht se ‘u ula të shkruaj!’. Mandej nuk e di a kisha ku ulesha në atë hapësirë aq të ngushtë apartamenti. Por nuk kisha as pikën e ndjenjës heroike dhe as e di kur e shkrova. Ndoshta e belbëzova para se ta shkruaj. Veçse më dukej si “biblike” për kombin tonë të rrënuar nga diktatura, që të niste fjalën e lirë me një gazetë. Titulli i editorialit ishte “Fjala e parë”, që më buronte nga bekimi se “fjala është e para”...

“Rilindja Demokratike ka marrë për detyrë që të shkruajë fjalën e vërtetë dhe të lirë, se vetëm kur e vërteta është e lirë, atëherë liria është e vërtetë..., gazeta në çdo fjalë e germë do të ketë çështjen e kombit..., që askush të mos ia kthejë fjalën atdheut..., gazeta nuk do të ketë kurrë lustër e lajka, as sofizma e fraza të gjata boshe me formë zyrtare... Ajo do ta ketë fjalën të dlirë, për ta pirë me etje...”.

Ja kështu e kam ndërtuar editorialin “Fjala e Parë”.

Ashtu si ju më 1991, edhe ne më 2017, na kishte përfshirë pasioni i numrave të parë, duke dashur të dimë si pritej nga lexuesit. Për ju ka qenë një situatë krejt ndryshe, sepse ishit media e parë e lirë pas shumë vitesh monizëm, ndaj keni pasur në vëmendje kërshërinë për të ditur si u prit ajo gazetë...

Lindja e “RD” është vërtet një ngjarje nga më të ndriturat në historinë tonë. Pse? Sepse ishim në kulmin e diktaturës dhe doli një ‘Fjalë’ e lirë kundër diktaturës. Sepse fjala në diktaturë ishte vepër penale dhe dënohej deri me vdekje; por gazeta doli. Ne ishim të izoluar si në një kuti të çeliktë, e si mund të shkruanim si perëndimorët; por ia arritëm... Dhe më në fund, sepse kjo ngjarje: lindja e “RD”, nuk mund të përsëritet më as edhe për një milion vjet. Kurrë nuk do të ketë më arsye që të përsëritet një ngjarje si kjo; shumë e shumë gjëra të tjera lindin e rilindin, kjo jo. Sepse nuk kthehet më diktatura si ajo që ishte..

Por si u prit?, më pyete. Po tregoj një fakt: Që në ditën e 5 janarit 1991, pasdite, më sjellin në redaksi një kopje gazete që ishte lexuar nga banorët e dy pallateve. Gazeta ishte kthyer si në një copë basme e vjetër, jo si letër; në të nuk lexohej më asnjë shkronjë... Njerëzit e kishin marrë nëpër duar me qindra dhe e më në fund gazeta ishte bërë si një copë basme...

Por çfarë tjetër?... Nuk dua kurrë që të tregoj histori. Ajo ndodhi, ndodhi një herë!

Kaluan muaj dhe PD, forca politike që kishte RD si organ zyrtar shtypi, u përfshi në botën e pushtetit, fillimisht me qeverinë e Stabilitetit dhe më tej duke marrë mbi vete të gjitha pushtetet. Ishte ajo kohë kur gjërat nisën të ndryshojnë. Ju atëherë vendosët të largoheshit. Na përshkruani ju lutem cilat ishin pikënisjet e vendimit për ta lënë RD që me aq mund u themelua. Dhe, cilët ishin faktorët kryesorë. Duke mos harruar dhe çka cituat më sipër nga editoriali, ku theksohej “gazeta nuk do të ketë kurrë lustër e lajka, as sofizma e fraza të gjata boshe me formë zyrtare”...

As kjo nuk dua të tregohet si histori. Por gazeta bën histori qoftë edhe sikur një ditë të jetojë... Gazeta “RD” jetoi disa muaj si fjalë e lirë, pastaj nuk mundi më. As unë...

Përsëritja e sjelljeve të Byrosë Politike në një epokë ‘demokratike’ (ndaj gazetave, ndaj gazetarisë, ndaj lirisë, ndaj individualitetit, ndaj letërsisë dhe artit...), është njëmijë herë më e rëndë se vetë epoka e diktaturës së Byrosë së vërtetë Politike. Nuk mund të duroja që gazeta të invadohej nga partia, qoftë edhe PD; nuk mund ta shikoja gazetën duke vdekur si vegël pa frymë; nuk munda t’i shikoja gazetarët të frikësuarit nga liderët politikë...

Kaq ishte... Merrini numrat e parë të gazetës, aty, poshtë emrit të gazetës, nuk kisha shkruar “RD, organ i Partisë...’, por ‘RD, gazetë e PD’, me qëllim që të mos ishim si gazetat e PPSH, ku gazeta quhej një ‘organ’, emërtim që mund të rrëshqiste në organ ‘dhune’ ose organ ‘jashtëqitjeje’. Kishim menduar me kolegët që gazetën “RD”, hap pas hapi, ta kthenim në gazetë të lirë e të pavarur, që të bëhej gazeta kryesore e vendit. Kishim ndërtuar edhe një Këshill Botues me shkrimtarë dhe artistë, me qëllim që Këshilli të shërbente si sanduiç mes gazetës dhe ‘byrosë politike’... Sepse dyshonim se pas komunizmit, çdo parti do të kishte një ‘byro politike’...

Por ja që nuk paskemi qenë në kohën e duhur dhe nuk e bëmë dot gazetën të lirë.... Megjithatë ajo gazetë është një akt i pavdekshëm.

Siç e thatë, kaluan vetëm pak kohë, që kjo ndodhi, RD, u shndërrua në një “ZP” të dytë, duke mënjanuar misionin për të cilin lindi, fjalën e lirë dhe duke u përqendruar tek elozhet për PD dhe sulmin ndaj PS. Kjo u shoqërua me një humbje të ndjeshme të interesit të shqiptarëve për ta lexuar...

Gazeta na u kthye kundër e gati na rrënoi - ne që e kishim lindur dhe ushqyer. Sulmoi mua, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Teodor Kekon, Neritan Cekën, Ritvan Peshkëpinë, një pas një..., të gjithë. Tipike gazetë staliniste. Po të dëgjonin, si dikur, gazetën “RD”, turmat do të na kishin linçuar në rrugë. Por megjithatë gazeta vetë - si letër e shkronja - nuk kishte faj, lindja e saj është një akti i pashlyeshëm në historinë e lirisë...

Si e përjetuat këtë periudhë?

Ajo periudhë nuk ka kaluar; periudha e keqe më duket se vetëm vjen. Nëse sot e kësaj dite nuk do të isha duke reflektuar rreth saj (edhe pse tredekadëshe), atëherë do të thotë se nuk paskemi qenë gati për gazetë të lirë, as për lirinë.

Nuk e kam përjetuar me ‘melankoli’, siç dëgjoj disa që thonë; “po si, ore, krijesa e vet i doli kundër!?”. Kjo është një gjë vulgare. Gazeta ishte ajo që ishte, ne jemi këta që jemi. Po përpiqemi të përballojmë lirinë, por përditë e më e pamundur duket. Në vend të demokracisë na duhet të përdorim një sistem tjetër, por cilin? Marksizëm? Mosvlerë? Anarki? Libertarianizëm? Fashizëm? Hoxhaizëm?... Demokracia ka rënë, secili nga ata që kërkojnë pushtet ngrihet që në mëngjes për të qëlluar me gurë mbi Republikën. Të gjithë ia kanë kaluar medidokritetit dhe ‘moçalit’ të Byrosë Politike, nuk ka asnjë zyrtar politik të lartë që ka më pak se dy dekada rrotull nëpër zyra e nëpër këmbë. Lidershipi, edhe ai që invadoi gazetën “RD”, është kthyer në kastë sunduese. Ka vdekur opozitarizmi dhe pluralizmi politik; të gjithë ngjiten në të njëjtën pemë ku duken disa fruta pushteti. Nuk ka ide as grupime konservatore - sikur kombi ynë të ketë lindur sot në shkretëtirë. Nuk ka ide sovraniste - gjë që i bën të gjithë shërbëtorë të përunjur - njësoj si RD-në.

Si e përjetoj?... Unë vazhdoj ta përjetoj, por jo historinë.

RD, megjithatë nuk vuajti vetëm nga arsyet që përmendëm më sipër, por edhe nga rënia e popullaritetit të gazetave. Unë mendoj se mbushja e “RD” dhe gazetave të tjera kryesisht partiake, me akuza dhe shashka nga më agresivet, bëri që të bjerë besueshmëria e tyre. A pajtoheni edhe ju me këtë mendim?

Gazetar ‘partiak’... Janë dy fjalë që nuk rrinë me njëra tjetrën: Edhe gazetar edhe partiak nuk mund të ketë. Partia nuk bën dot kurrë gazetarë; madje edhe po të jesh gazetar dhe t’i afrohesh partisë, shëmtohesh e nuk besohesh më. Teoricienë britanikë të gazetarisë kanë shkruar se ‘një gazetar që kapet duke pirë kafe me ndonjë politikan, nuk besohet më’. E jo më të paguhesh nga partia dhe të vegjetosh si ‘gazetar’...

Shpesh herë thonë se media ‘bën mëkat’ që merr anësi politike. Sigurisht që është mëkat, por nuk mund të ketë paanshmëri të kulluar. Ka anësi profesionale, të kulturuar, që nuk e bezdis as kundërshtarin. “RD” ka një fat të keq, të tmerrshëm, ajo nuk është as e anshme. “RD” nuk mban as anën e PD, qoftë edhe duke ‘denigruar’ armiqtë. “RD” është futur në një poçe me një klikë familjare, që e quajnë ‘Parti”’ , dhe i thotë vetes me krenari se ‘jam gazetë e PD’. E pavërtetë qysh prej fillimit. E shkreta po vdes keq. Nuk ka më në botën e qytetëruar ‘gazetë partie’, veç “RD”. Ja shikoni nesër në festën e “RD” do të flasë kryetari i PD, si deri më sot. E shikoni sa turp është... Ju lutem mos ia tregoni botës.

Ky është opinioni juaj dhe ju e dini se artikujt e intervistat tona përkthehen edhe në anglisht...

...Megjithatë, kaluan vite dhe “RD” vazhdon të jetë në treg, ndryshe nga “ZP” që u mbyll. Kush ishte vendimi më i zgjuar, i PS që e mbylli organin e saj, apo PD që vazhdon ta mbajë, ndonëse me tirazh modest dhe mungesë të dukshme turravrapi për ta blerë...

Nuk mund ta quaj “të mençur” as PS-në që mbajti gazetën “ZP” për gati 25 vjet, në post diktaturë. Nuk duhej mbajtur asnjë ditë. Por të vazhdosh të dhunosh gazetën e parë të “Fjalës së Lirë” si organ të Partisë (PD), ky është absurd dhe hajde luaj me absurdin.... Me siguri nuk gjen përgjigje.

Edhe pse vazhdon të jetë prej 28 vitesh në tregun mediatik, RD nuk ka mundur të bëhet zëri kryesor mediatik i opozitës. Në kushtet kur pjesa më e madhe e medieve, ca nga rrekja për të qenë të pavarur e ca nga mbështetja ndaj të majtëve apo thjesht të forcës që është e radhës në pushtet, i krijojnë lehtësia të bollshme mazhorancës për të qenë e pranishme në çdo mjet komunikimi që aksesojnë shqiptarët, a është e nevojshme që RD të shndërrohet edhe një herë të dytë, si zë i fuqishëm opozitar, edhe pse situatat nuk janë të njëjta? Nëse po, si mund të arrihet kjo dhe çfarë elementësh të numrave të parë mund të shërbejnë si rifillim i vrullshëm i një zëri që opozitës dhe votuesve të saj i duhet me patjetër për të mbajtur nën fre pushtetin dhe për të bërë progres në aspiratat e saj?

Po dëgjoj dy gjëra: Gazeta një “zë kryesor i opozitës” , dhe e dyta, gazeta “zë opozitar”. Janë dy gjëra të ndryshme.

Që gazeta “RD” të kthehet edhe një herë si “zë kryesor i opozitës” është njësoj si të ngjallen të vdekurit nga varri. Por ta zëmë se u ngjall. Atëherë duhet “opozita” që të ketë zë opozitar. Ju e dini se të gjithë e ndjejnë që këtu mungon opozita. Për ta krahasuar na duhet të kthehemi tek idetë e Leninit mbi “Dogmatizmin dhe liria e kriticizmit”. Opozita është kthyer në dogmatike leniniste që nuk e kupton askush, dhe i ka dhënë vetes lirinë e kriticizmit, asgjë më shumë. Por nuk ka ide, nuk ka alternativë, nuk ka moral opozitar, nuk ka qëllime të mira për kombin.. Atëherë si do të jetë gazeta ‘zë i opozitës’?

E dyta, që gazeta të jetë ‘zë opozitar’, kjo - po, kjo është e mundur. Por gazetës i duhet që të shkëputet krejtësisht nga Partia- e para. Dhe të vetë kulturohet- e dyta. Duhet kulturë, dmth mjeshtëri dhe mendje të hapura. Ndryshe njerëzit nuk mund t’i marrësh si bagëti që vijnë në grazhdin e një gazete injorante... A mund ta bëjë “RD” këtë gjë? Akoma nuk është vonë, ajo ka një emër shumë të mirë nga janari i vitit 1991.

Së fundi, një pyetje që lidhet me gazetat, por këtë herë me këtë ku ju shkruani që nga fillimet e saj. “Albanian Free Press” është tashmë në vitin e tretë të botimit. Cili është opinioni juaj për këtë media të pavarur dhe çfarë mendoni se duhet bërë për të sjellë më shumë materiale që i shërbejnë lexuesit shqiptar.

Gazeta “Albanian Free Press” ka zënë vend në publik, po të mungojë kërkohet - ky është një tregues njësoj si për një fëmijë që shkon vetë në shkollë. Jemi në një xhungël mediatike, sot kemi mbi tre milionë “gazeta”, aq sa banorë ka vendi. Është shumë e vështirë.

Çfarë bën tjetër, “Albanian Free Press”? Shkruan shqip; Po sa shumë është kjo në këtë epokë!? Gazeta të tjera po e shkatërrojnë shqipen; pas ca dekadash kjo jona do të duket ‘gjuhë që nuk shkruhet’.

Çfarë vlerësoj, tjetër? Është njësoj si të çmosh një njeri normal mes dallkaukëve. Gazeta “Albanian Free Press”, nuk fyen, nuk shan, nuk flet pisët, nuk sulmon si idiot, nuk shpif... Të gjithë e kemi për detyrë të mos i bëjmë këto, por ja që janë shumica ata që i bëjnë... Prandaj është vlerë që “Albanian Free Press” nuk i bën.

Është edhe gazetë gjithëpërfshirëse: kategori njerëzish, rubrika, pikëpamje, mosha, ngjarje - siç ndodhin në jetë.

A mund të kërkoja ndonjë gjë më shumë nga “Albanian Free Press”? Mund të kërkoja ‘temp’, por sipas temperamentit tim si gazetar.

Faleminderit për mendimet tuaja z. Çupi, në fakt ne jemi duke bërë sondazhe me lexuesit për të mësuar më shumë se çfarë duan të lexojnë ata çdo mëngjes kur e marrin në dorë dhe idetë tuaja na shërbejnë për t’iu afruar sa më shumë lexuesve në mbarë Shqipërinë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: