Historia e Bejkush Birçes: Babain e humba në luftë, pasioni për sportin më lindi në Shtëpinë e Fëmijës

Historia e Bejkush Birçes: Babain e humba në luftë, pasioni për sportin më lindi në Shtëpinë e Fëmijës
Intervistoi për “Albanian Free Press”, Aranit Muraçi

Dosier/Rrëfim ekskluziv për “Albanian Free Press” i Bejkush Birçes, ish-trajnerit të shquar të Partizanit, Flamurtarit, Dinamos, Teutës, dhe i Kombëtares, rreth jetës së tij në rininë e hershme

Sapo i ka kaluar të 80-at, por jeton me pasionin e një 18-vjeçari. Është i dashuruar aq shumë pas sportit, saqë çmon çdonjëri tjetër që e do ashtu si edhe ai, sportin. Ngre tonet ndonjëherë kur flet...për sportin, të krijon përshtypjen se është i ashpër, por tregon më të drejtë sesa pas ka mbetur Shqipëria në kulturë dhe infrastrukturë sportive. Dhe mbi këtë gjendje që e shohin sportin në vend, njerëz si ai, nuk mund të pajtohen lehtë.

Sot gjithçka vërtitet rreth politikës dhe mungesa e ndonjë vizioni për zhvillimin e sportit ka bërë që të humbë edhe shkëlqimi  i dikurshëm, kohë kur kaloi thuajse tërë karrierën e tij Bejkush Birçe. Pas 90’, me hapjen e kufijve në vend që të zhvillohej, sporti mbeti pas në shumë aspekte. Vendi ynë ka pasur dhe ka njerëz të rrallë, si Bejkush Birçe, të cilët pa hezitim e vënë gishtin mbi “plagë” dhe tregojnë “recetën” sesi duhet ringritur sporti. “Sigurisht, - thotë ai, - në një rrëfim ekskluziv për “Albanian Free Press”, - “nevojitet roli i shtetit dhe kërkohet vizion politik. Por kjo klasë politike që ka qeverisur në 28 vite, nuk premton më asgjë. Shpresa e vetme është tek e ardhmja e një klase të re politike, që mund të lindë, e cila duhet të jetë e përgjegjshme për rëndësinë që ka sporti në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit.”

Bejkush Birçe shpenzoi një jetë të tërë si mësues i Edukimit Fizik dhe trajner i suksesshëm i disa prej klubeve më me zë të vendit tonë, por edhe i ekipit Kombëtar gjatë viteve të ndryshimit të sistemeve. Karriera sportive e tij nisi në fillim të viteve ‘50 dhe përfundoi në fund të viteve ’90. Birçe thotë se ajo si për të gjithë kaloi plot peripeci, pati ulje e ngritjet e veta, por ndryshimi nga shumë të tjerë, është tek jeta e tij, që ai e kujton kur ishte fëmijë.

Në fillimet e para, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i rritur në kushte të vështira, Bejkush Birçe kujton se, “dashurinë për sportin dhe kulturën fizike e mori në shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Pas luftës, familja ime doli e dëmtuar. Më është vrarë babai gjatë saj dhe për këtë arsye, që në vitet e para, për t’u shkolluar më dërguan në shtëpinë e fëmijës në Tiranë. Në jetë njeriu duke u rritur harron edhe të kaluarën dalëngadalë dhe gjen në përgjithësi elementë që e bëjnë të harrojë edhe hallet e jetës. Në fëmijëri, të gjithë kanë ëndrrat e tyre: dikush dëshiron të bëhet artist, dikush sportist, dikush ka një ëndërr tjetër. Unë kisha sportin pasion. Gjatë shkollës bëja pjesë në klasat sportive, me disa sporte si volejboll, basketboll, futboll, gjimnastikë, apo edhe not.” Në përkujdesjen e mjaftueshme të shtetit, më tej me mbarimin e shkollës, Birçe duhet të zgjidhte të ardhmen. “Pas mbarimit të 7-vjeçares, duhet të vazhdoja shkollën e mesme dhe prej pasionit zgjodha pa u menduar Institutin e Kulturës Fizike, një shkollë me nivel shumë të lartë. Mësuesit në këtë shkollë kishin mbaruar thuajse të gjithë jashtë vendit dhe kishin përgatitje dhe kulturë të gjerë sportive. Mora edukimin dhe kulturën e duhur prej tyre dhe mendoj se isha me fat, ashtu si edhe të tjerët. Përveç disa lëndëve, sidomos ato të shkencave ekzakte, ato të Edukimit Fizik i mbylla me rezultate maksimale. Doja të profilizohesha në këtë degë dhe isha i kënaqur. Kishte edhe rregulla në atë kohë, që sot çuditërisht nuk ekzistojnë më: tre muaj para se të përfundoje shkollën, emëroheshe në detyrë, si mësues i Edukimit Fizik. Mua më emëruan në vendlindjen time, Vlorë. “

Kështu nisi jeta e re si sportist dhe mësues i Edukimit Fizik për Bejkush Birçen, në qytetin e vendlindjes së tij, aty ku jetonte edhe nëna. Përveç se mësues, ai pasditeve nisi edhe karrierën sportive, në disa sporte njëkohësisht, si futbollist, basketboll, volejboll, notar (hedhja nga trampolina), por shtoi edhe hendbollin. Në futboll u bë pjesë e ekipit Teknikumi që u ngjit në Kategorinë e Dytë. “Patëm një sezon të shkëlqyer, shkuam deri në finale, por në fund fitoi Dinamo e Shkodrës, duke humbur mundësinë për të qenë në Kategorinë e Parë. Por isha njëkohësisht edhe pjesë e skuadrave të volejbollit dhe të basketbollit të skuadrës së Vlorës, Puna. Këto dy ekipe në Vlorë,gjatë kohës që isha pjesë e tyre, u ngjitën në Kategorinë e Parë. Më tej u bëra pjesë e Flamurtarit, që ishte ëndrra ime.” Dhe teksa karriera e Birçes si futbollist te Flamurtari sapo kishte nisur, ai thirret ushtar, moment kur jeta e tij merr një drejtim tjetër. “Në ‘55 së bashku me dy-tre shokë të tjerë emërohem ushtar në Tiranë. Vendimi erdhi pas një ndeshje me Partizanin. Menjëherë sapo vijmë në Tiranë, më thërrasin për futboll. E vështirë të bëhesha pjesë e skuadrës së parë, sepse nuk kisha as përkrahje. Deri në ‘57, përfaqësova Partizanin, në një sport tjetër, atë të boksit, ndërkohë që aktivizohesha me ekipin shpresa të Partizanit, në futboll.” Birçe ishte pjesë e klubit të Partizanit deri në vitin ‘57, kur u lirua nga ushtria. I duhej të rikthehej në Vlorë. - “Por më propozuan të filloja si pedagog në shkollën ushtarake “Skënderbej”, - shton ai. “Por duheshin dokumentet  të kthehesha nga Vlora në Tiranë. Fakti që unë vija nga Shtëpia e Fëmijës në Tiranë më ndihmoi, duke nisur kështu punën si pedagog në “Skënderbej”. Menjëherë pas rikthimit, shteti më pajisi edhe me shtëpi në Tiranë. Por me t’u kthyer nuk hoqa dorë nga futbolli. Në vitin e parë pas emërimit në “Skënderbej”, dola kampion vendi me të rinjtë e Partizanit. Karriera ime më tej vazhdoi  te ky klub, si dhe paralelisht vazhdoja edhe atë të pedagogut në shkollë.”  Për Bejkush Birçen nisi karriera në Tiranë, ku ai e vazhdon me plot pasion deri sa emërohet papritur trajner i Partizanit në vitin ’71. Emërimi ishte krejt e papritur, aq sa ai nuk e besonte fillimisht!  Ai më tej rrëfen për “Albanian Free Press” vitet e karrierës si trajner i Partizanit dhe i disa klubeve të tjera shqiptare, përplasjet dhe peripecitë që e shoqëruan, por edhe vendosmërinë që e karakterizoi për t’ia dalë mbanë, derisa sa u ngjit në fund të regjimit komunist në krye të Kombëtares së Shqipërisë.

 

Jeta në Shtëpinë e Fëmijës, Birçe: Mora dashurinë që më mungonte  

Nuk është e lehtë jeta e një fëmije, kur i duhet të rritet pa familjen pranë. Bejkush Birçe tregon megjithatë, se vitet kur kaloi në Jetimoren e Tiranës, shteti e asaj kohe iu plotësonte të gjitha kushtet, madje ai thotë se ato ishin edhe më të mira se të shumë prej fëmijëve të tjerë, që jetonin me familjen edhe në Tiranë. “Nuk na mungonte asgjë. Që nga përkujdesja, veshjet, dhe deri tek pushimet që bënim gjatë verës në kampet e pushimit. Madje na jepnin veshje si të fëmijëve anglezë, që nuk i kishin apo nuk mund t’i blinin shumë fëmijë të tjerë që jetonin me familjet. Nuk na duket vetja aspak të diferencuar. Ajo më kryesorja ishte përkujdesja, plot dashuri e punonjësve, që na zëvendësuan familjet.” Për ta mbyllur Birçe shton se kjo përkujdesje ndaj fëmijëve dhe të rinjve në nevojë sot nuk ndodh më.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: