Elton Deda: Nuk bëj "pakt me djallin" në kurriz të muzikës

Elton Deda: Nuk bëj "pakt me djallin" në kurriz të muzikës
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, kantautori i njohur, Elton Deda: “Në një nivel i cili është i ulët intelektualisht, nuk ke se çfarë të presësh që të ketë poezi ose mesazh, të krijojë diçka të kompletuar ose le ta quajmë të rafinuar. Në momentin që nuk është e rafinuar, atëherë shumica e teksteve janë të tipit “a më don”, “ti nuk ban”, “t’lagi me shampanjë”, “mariuhana”, “kolumbiana” e gjëra si këto. Për mua këto janë kaq shumë infantile dhe unë sigurisht që nuk e kuptoj dot se si mund të shkruash tekste të tilla. Por ja që edhe modeli i jetës tonë është i tillë dhe në klubet tona rinia argëtohet në këtë format.”

***

Elton Deda është një nga kantautorët që çmoj më shumë, në muzikën shqiptare. Miq dhe bashkëpunëtorë dikur, pavarësisht se është bërë sot më shumë perfeksionit se kurrë, në muzikë, Elton Deda ka mbetur po ai në seriozitetin me të cilin e merr një kompozim, një event, miqësinë. Pavarësisht  “hijes së rëndë” së Ferdinand Dedës, atit me figurën e tij madhore në muzikën shqiptare, Elton Deda ka lënë në fletët e muzikës shqiptare dhjetëra këngë që janë sot nga këngët më të kënduara e dëgjuara të të gjitha kohërave në muzikën shqiptare. Dikur me birra e sot me çaj bio, biseda jonë shtrohet e sinqertë dhe lexoj aty shqetësimin mbi të bërit muzikë të përciptë e pa nivel por edhe vlerësimin për atë publik elitar që e ndjek ngado. Një pionier i rrokut dhe pop-rrokut shqiptar, Elton Deda vjen në këtë rrëfim, nga të rrallët në karrierën e tij.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Në Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH, more pjesë me një këngë, “Fjalët”, teksti i së cilës më ka lënë shumë mbresa. Ka një mesazh shumë të fortë social mbi mungesën e dialogut.....

Teksti është nga Orges Toçe, ishim duke pirë një birrë bashkë dhe unë i tregoj se kisha gati këtë këngë dhe i shpreh mendimin tim se në këngët e mia i kisha konsumuar temat mbi dashurinë apo romancat dhe Orgesi menjëherë më thotë se ai kishte një ide mbi mungesën e dialogut mes njerëzve, mbi shqetësimin  se si ata nuk gjejnë dot më fjalët e duhura, se si jeta tashmë është shumë virtuale, zhvillohet vetëm në Instagram e në Faceboouk. E ke vënë re që njerëzit inatosen se përse nuk u bën një ‘like” në FB? Ka arritur marrëdhënia në një nivel tmerrësisht të vështirë për t’u pranuar, por fatkeqësisht tashmë është kështu. Ka një moment në këngë kur thuhet “dritës blu që vret”, referuar qartë Facebook-ut, me ato ngjyrimet blu. Mua më pëlqeu ideja e Orgesit dhe se në këtë temë duhet të qëndronim e të thelloheshim. Ai për dy orë e kishte bërë tekstin dhe nuk i lëvizëm asgjë, vetëm disa zanore për të rregulluar rimën në tekst. Është një këngë me mesazh të drejtpërdrejtë, i kuptueshëm, pa konotacione letrare ose filozofike të forta, por i lexueshëm qartë nga njerëzit me mesazh të pastër se ne kemi harruar fjalët. Brez i ri /kërrusur ecën /diellin vetëm la! /Fjalët, kan’ harruar, /s’flitet si më parë!

Mungesa e dialogut ndikon familjen, rininë, a e ndikon artin?

Çdo gjë është e lidhur me eksperiencat që ne kalojmë.

U ndala tek teksti sepse një pjesë e madhe e këngëve, po t’u ndash tekstin pa muzikë e t’i lexosh, kthehen në humor...

Po, pjesa më e madhe e këngëve është e tillë. Fatkeqësisht më duhet ta pranoj që një pjesë e mirë e këtyre që i thonë vetes këngëtar ose që merren me muzikë, janë shumë larg të qenit profesionistë. Në një nivel i cili është i ulët intelektualisht, nuk ke se çfarë të presësh që të ketë poezi ose mesazh, të krijojë diçka të kompletuar ose le ta quajmë të rafinuar. Në momentin që nuk është e rafinuar, atëherë shumica e teksteve janë të tipit “a më don”, “ti nuk ban”, “t’lagi me shampanjë”, “mariuhana”, “kolumbiana” e gjëra si këto. Për mua këto janë kaq shumë infantile dhe unë sigurisht që nuk e kuptoj dot se si mund të shkruash tekste të tilla. Por ja që edhe modeli i jetës tonë është i tillë dhe në klubet tona rinia argëtohet në këtë format. Është kjo arsyeja që unë mendoj se nuk është faji i atyre që i shkruajnë por është faji tendencës që i shkon për shtat nivelit të shoqërisë tonë. Fatkeqësisht nuk po arrijmë dot të shkojmë në nivele të mira e të ngopura kulturalisht, drejt edukatës së mirë, drejt kulturës së mirë, sepse kultura e ndan nivelin e njerëzve.

Por ka çudira, shikon edhe njerëz me kollare që dëgjojnë jazz thjesht për modë, ka që e duan muzikën e mirë dhe që duartrokasin edhe këngët tuaja por sapo nis një “tallava” fillojnë kërcejnë...

Nuk është e mundur që të diktohet shija. Derisa publiku shkon tek një artist do të thotë që ai është lideri. Që në momentin që ai është në skenë dhe njerëzit janë duke pritur që ai të këndojë, kjo do të thotë që në atë moment në ato orë që ai performon, është ai artist lideri. Ata vijnë për të dëgjuar muzikën e tij dhe për të marrë mesazhet e tija, pra në rast se artisti jep mesazhe me dimensione shumë të mëdha, ai duhet të shikojë pak edhe nivelin e publikut, është edhe kjo. Në Shqipëri niveli i publikut është shumë i përzier, nuk është homogjen. Në vitet ’90 ishim si ishim, të varfër e të këputur por ka pasur një lloj homogjeniteti në shije sepse dëgjonim pak a shumë po të njëjtën muzikë. Lëvizjet demografike, njerëzit që ikin e vijnë, sollën përzierje edhe në nivelin kulturor e arsimor. Shto këtu edhe celularët nëpër duar, sa lodhemi ne për të fituar para, si e kuptojmë në jetën. Pra artisti është thjesht një produkt i shoqërisë. Në momentin që ai e shikon që shoqëria është me kërkesa minimale, është normale që ai do të japë një lloj arti minimalit, pa u lodhur shumë për mesazhe të thella e të mëdha. Por që turma të drejtojë artistin, jo, kjo nuk ndodh. Pavarësisht se një artist jeton mes njerëzve, ai ka një identitet artistik të vetin dhe një ide të qartë se çfarë do të bëjë. Prandaj 90% e këngëve janë pa identitet, ngjajnë të gjitha njëra me tjetrën, kanë po të njëjtin tekst e ritëm sepse bëhen nga njerëz jo profesionistë dhe nga njerëz të cilët janë pjesë e turmës nuk janë me identitet artistik pra nuk e kanë atë yllin e talentit që u ndrin mbi kokë. Kur del ndonjë këngë ndryshe, njerëzit mundohen ta kuptojnë, por nuk ka nivel për të kuptuar gjithçka. Dëshira ime është shumë e madhe të shkruaj për të gjithë njerëzit por ja që unë e shumë kantautorë të tjerë si unë, që bëjmë muzikë specifike, nuk bëjmë muzikë për të gjithë. Ka një kastë që e pëlqen, që është një kastë elitare që pëlqen këngët e mia. Mundohem të këndoj për të gjithë njerëzit po për aq vëmendje sa unë i kushtoj tekstit ose këngëve, për disa njerëz mund të jetë edhe e lodhshme. Unë do i pranoj të gjitha realitetet, ata njerëz do i lë te “a më do apo s’më do” dhe do të vazhdoj punën time.

Por pavarësisht kësaj, ke arritur të gjesh ekuilibrin e të jetuarit mirë e me dinjitet me muzikën tënde specifike...

Artisti është njeri si të gjithë, me kërkesat e tija të një standardi jetese të mirë e që t’i japë mundësinë e gjetjes së mjeteve edhe për krijimtarinë dhe vërtetë që deri tani ja kam dalë kësaj.

Shikoj që ka një gjallërim të performancave të tua live me band-in tënd, edhe në Kosovë.....

Punoj shumë edhe në Kosovë por më shumë në Shqipëri. Ka gati  një vit që shkoj shpesh i ftuar në Kosovë, ku në të vërtetë unë kam performuar shumë vite më parë, shumë herët. Për këtë arsye e kuptoj shumë mirë atë vend, njoh mentalitetin atje, njeh nga afër një pjesë të elitës kosovare dhe këngët e mia në Kosovë pranohen shumë mirë. Muzika ime pop-rrok pëlqehet edhe në Shqipëri shumë, edhe në Kosovë. Unë lëviz shumë me trion time, nuk më pëlqen që “të kalbem” në një vend, shkoj në të gjithë Shqipërinë. Kam gjetur shumë ngrohtësi. Kosova ndoshta na sheh më rrallë dhe janë ende të malluar sepse e lidhin nostalgjinë me përcjelljen e shumë këngëve, madje kur këndojmë ndonjë hit të vjetër, ata e shoqërojnë me ne e ja dinë të gjitha fjalët. Më pëlqejnë kosovarët, janë njerëz të ngrohtë e me shumë edukatë e vazhdoj ta them se aty ku unë shkoj, edhe në Kosovë, nuk ka njerëz rastësorë, ka publik që niset për të parë Elton Dedën.

Ti, Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi erdhët nga vitet ’90, me salla, stadiume e pallate sporti të mbushura plot. Unë kam qenë vetë dëshmitare se për ju publiku reagonte si për Beatles-at, vajzat shkulnin flokët e njerëzit mbanin radhë për një autograf, kjo sot nuk ndodh më për askënd. Koncerti i madh e vitit që shkoi ose ai tek Liqeni ua shpagoi disi mungesën e atyre koncerteve madhështore?

Absolutisht po. Për mua mbetet një koncert memorial, historik. Vështirë që të konkurrohet ai koncert por unë dua që ai koncert të konkurrohet sepse dua zhvillim në muzikë. Pjesa e nostalgjisë dhe e historisë tonë e bashkë me profesionizmin e orkestrës dhe band-it bënë që të mblidheshin bashkë shumë elementë. Unë mendoj se e justifikoi plotësisht organizimin pasi aty u mblodhën njerëz që kishin 20 vite pa u parë me njëri-tjetrin. Aty kam parë njerëz që kisha harruar edhe unë që ishin në Tironë dhe aty kuptova që ai ishte një koncert ëndrrash dhe dëshirash e ndoshta edhe pengjesh të munguara. Unë me çunat bëmë më të mirën që publiku të gjente veten aty, koncerti zgjati shumë më tepër se sa ishte planifikuar dhe publiku u përfshi shumë. Duam apo s’duam ne, Tirana i ka këto njerëz brenda vetes. Mosha jonë tashmë nuk është mjaft e dhënë pas të dalave, shumica e njerëzve janë mbledhur në familjet e tyre, mendojn se si do i rrisin ata dhe nuk janë shumë shumë aktivë ne jetën e natës ose koncertet.

Disa nuk janë aktivë por disa edhe nuk gjejnë ambientet e përshtatshme për ta...

Po, edhe kjo qëndron. Në Tiranë janë disa ambiente por janë pak, por sado pak të jenë bëjnë dika. Këtu shtohet edhe fakti se pjesa më e madhe e publikut që pëlqen muzikën time janë shtresa e mesme, intelektualët, zyrtartë, njerëz të shkolluar por me të ardhura të pakta sepse mos harrojmë që shtresa e mesme është varfëruar. Nëse shtresa e mesme do të kishte të ardhura të mjaftueshme, ai fansi im do të merrte bashkëshorten ose ajo bashkëshortin e do të thoshte “eja shkojmë të dëgjojmë Elton Dedën ose Bojken Lakon, ose Sandër Gjokën e Redon Makashin”. Por edhe në këtë mish-mash ku ndodhet shoqëria shqiptare, unë e gjej veten mes njerëzve që na presin ngrohtë e na duartrokasin e unë mundohem të jap më të mirën timen.

Vjet dhe këtë vit ishe në një rol të dyfishtë në festivalin e këngës, si kantautor por edhe si drejtues i band-it..mendon se kishte këngë më të mira në këto vite? A po kthehet festivali ai që ka qenë?

Më duket sikur po e shtyjmë pak artificialisht këtë punë. Festivali nuk ka nevojë të rikthehet ku ishte dikur. Ai është aty prej 57 vitesh. Në kohërat që jetojmë ne tani ka të bëjë marketingu. Ne si muzikantë e mbarojmë punën tonë, në një farë pike. Pasi kemi dhënë shpirtin tonë, misioni ynë mbaron dhe fillon misioni i institucionit me marketingun. Kur këto bashkohen, aty ngrihet niveli i festivalit. Pra duhet gjetur strategjia e duhur, tipike për festivalin. Përpara disa ditësh, për herë të parë, u bë një analizë e përgjithshme mbi festivalin, me pjesëmarrjen e të gjitha departamenteve. Vura re një interesim serioz, veçanërisht nga Drejtori i Përgjithshëm, Thoma Gëllçi për një festival kualitativ, pra ne kemi nisur punën që tani për festivalin e ardhshëm. Duam që artistë sa më interesantë të vinë në festival, s’ka rëndësi nëse janë të rinj apo me eksperiencë. Për mua festivali është një festë e muzikës. Ka shumë artistë që duan të fitojnë, unë nuk e kam këtë qëllim aspak, për mua çmimet më të mira janë këngët e mia me të cilat jetoj sot dhe fitoj jetesën time dinjitoze. Këngët e mia e kanë realizuar misionin e vet, festivali duhet të jetë qejf. Versioni akustik i natës së dytë ishte kryevepër, këngëtarët bënë qejf aty, një version unlplugged që kudo në botë po të shkojë, konkurron denjësisht. Elementët janë atje dhe festivali duhet të shikohet si qejf, kënga e bukur do të jetojë dhe jo me qëllimin për të shkuar në Eurovizioni.

Çfarë kujtimesh reale, objekte, ke kujtim nga babai, nga i madhi Ferdinand Deda?

Kam shumë, kam partitura, libra, kam pianon në shtëpi, me ato tastet e djegura nga cigarja e babit, veçanërisht tastet e fundit ku linte tavllën e cigares, kam foto të vjetra shumë, dorëshkrime të tijat, çmimet e Ferdit, kostumet e tija dhe kravatat janë atje, kemi ruajtur gjithçka.

Ka ndikuar babai që të bëheshe muzikant?

Ferdi plasi që unë të bëhesha muzikant klasik ha ha ha.

Por ti i dole nga duart...ai që mbante nën shkopin “magjik” gjithë orkestrën, ty nuk të lidhi dot...

Po, nuk më bëri dot muzikant klasik. Nuk më lidhi dot por vetëm për muzikën klasike. Kur më pas fillova eksperiencat e para me grupet, e pa që po më shkonte mirë e më la të qetë sepse pa që pasioni im ishte aty. Shkollën e kreva me rezultate të shkëlqyera, por pasioni im ishte të krijoja këngë, madje vetëm për veten time pasi unë përgjithësisht këndoj vetëm këngët e mia e nuk para krijoj për të tjerë. Më pëlqen ta mbaj atë ciklin tim brenda identitetit tim artistik, i mirë i keq qoftë ashtu më vijnë këngët. Nuk jam këngëtar profesionist, bëj aq sa mundem por dua që këngët të kenë mesazhe të forta dhe shumë njerëz e gjejnë veten në këngët e mia.

Ferdinand Deda ka qenë gjeni, jo thjesht një muzikant i madh, kam pasur fatin e madh ta njoh personalisht. Një rast i rrallë që këtë peshë që të jesh biri i tij ta mbash me sukses, si ti...

Babai nuk e shprehte shumë krenarinë për mua, se kishte merak mos më rriteshin veshët. Brenda në muzikë ne ishim të dy, ai sigurisht që kishte profil tjetër e unë shkova drejt një rryme tjetër. Unë për një gjë jam munduar në karrierë, të mos e bëj pis emrin e Ferdinand Dedës dhe kjo u arrit vetëm duke mbajtur identitetin tim pa bërë kompromise që do të turpëronin emrin e babit, por mua mund të më kishin dhënë një famë e një lek të shpejtë. Ideja që të bësh pakt me djallin në kurriz të muzikës nuk është për mua dhe unë e kam kundërshtuar fort, ashtu si edhe ai. Në atë ambient jam rritur. Ferdi ishte shumë i lumtur për këtë gjë, që unë ruajta identitetin dhe dinjitetin tim në muzikë. Pra sigurisht Ferdinand Deda ishte dhe mbetet gjeni në muzikë por edhe Elton Deda ka lënë një vend në historinë e muzikës shqiptare. Kur dal në rrugë nuk më ngatërrojnë e thonë se jam Altini apo Artani, thonë se ky është Elton Deda. Kaq më mjafton e kjo më pëlqen shumë.

Djali juaj, i cili jeton në SHBA, ka marrë diçka nga delli artistik?

Fiordi, kur bisedojmë, tregon se ka një ide të qartë se ku jeton e se në New York, që të ecësh përpara në muzikë duhet të kesh supertalent, pra më shumë se talent. Një qytet shumë i vështirë dhe shumë xhungël. Talente ka pafund, në çdo cep. Ai ka preferenca edhe për shkencat, biologjinë marine ndaj mendoj se muzikën nuk do ta ketë parësore por një pasion. Është e vështirë të jetosh me muzikë në SHBA. Por mendoj se kjo do të ndahet më vonë. Për tani ai e gjen veten mirë edhe në veglën e trombës, profesorët thonë që ka shumë të dhëna. Për mua ai duhet të bëjë çdo gjë që pëlqen ai. Po të derdhet djersë dhe njeriu lodhet për të çuar bukë në shtëpi, për mua, është vlerë. Jeta është e tija dhe i takon vetëm atij ta menaxhojë.

Në cilën periudhë të jetës je?

Në një periudhë shumë të balancuar, një jetë e rregullt, jam shumë i ngarkuar me punë por që më jep mundësinë edhe që të argëtohem me miqtë dhe familjen. Kjo jetë kaq në ekuilibër po më pëlqen shumë.