BE shikon në Shqipëri përpjekje serioze për hapjen e negociatave, “por lipset dialog”

BE shikon në Shqipëri përpjekje serioze për hapjen e negociatave, “por lipset dialog”
Një axhendë e ngjeshur europiane me vizita nga pala europiane është paralajmëruar nga ambasadori i BE, çka për autoritetet europiane do të thotë mbështetje dhe monitorim të arritjeve. Apeli i drejtpërdrejtë i ambasadorit europian, por edhe atij rumun ka qenë ai më i përsërituri për politikën shqiptare, dialogu

Ndërsa ka mbërritur në mes të termave kohorë për periudhën që i është dhënë një raporti tjetër nga Komisioni Europian prej këshillit për Shqipërinë, zërat europianë miratojnë rrugën që po ndjek vendi për çeljen e negociatave. Ambasadori i BE në Tiranë Luixhi Soreka e ka deklaruar këtë dje, në prezantimin e presidencës rumune të BE, në kryeqytetin shqiptar.

“Ka pasur operacione shumë inkurajuese të zbatimit të ligjit gjatë muajve të fundit, të cilat jo vetëm që duhet të vazhdojnë, por edhe të ndiqen nga një historik i vazhdueshëm ndjekjesh penale dhe dënime përfundimtare. Po ashtu kohët e fundit kemi parë progres shumë të rëndësishëm lidhur me reformën në drejtësi, me piketën e ngritjes së institucioneve të reja, kjo shtron udhën për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë si dhe për ngritjen e SPAK dhe BKH. Por ajo çka nënkupton thellësisht është se reforma e drejtësisë bazuar në veting po funksionon dhe është e pakthyeshme”, - tha zoti Soreka.

Një axhendë e ngjeshur europiane me vizita nga pala europiane është paralajmëruar nga ambasadori i BE, çka për autoritetet europiane do të thotë mbështetje dhe monitorim të arritjeve. Apeli i drejtpërdrejtë i ambasadorit europian, por edhe atij rumun ka qenë ai më i përsërituri për politikën shqiptare, dialogu.

“BE është e angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, siç tregoi vizita e komisionerit Hahn javën e shkuar, por vendi duhet të orientojë të gjitha përpjekjet e tij drejt këtij objektivi. Për këtë nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Gatishmëria e tyre për tu bashkuar për të mirën dhe interesin e të gjithë shqiptarëve është thelbësore për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Reforma zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR paraqet një mundësi të menjëhershme për të demonstruar pa mëdyshje këtë gatishmëri për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak” tha zoti Soreka.

“Inkurajojmë të gjitha palët që të përshpejtojnë përpjekjet për Reformën Zgjedhore. Kemi besim se do të jetë një proces i suksesshëm” tha amasadori Rumun në Tiranë Mircea Perpelea.

 

Çelja e negociatave në qershor, premtimi i presidencës së radhës të Bashkimit Evropian

“Rumania do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme që të lehtësojë në qershor 2019 miratimin e vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë”. Kjo deklaratë u bë dje publikisht nga ambasadori i Rumanisë në Shqipërisë, Mircea Perpelea, me rastin e marrjes së Presidencës rumune të Këshillit të Bashkimit Europian. Presidenca e radhës kjo, pas asaj të Bullgarisë gjatë periudhës 1 janar-1 korrik dhe të Austrisë më 1 korrik-31 dhjetor 2018. Që të dyja, të shoqëruara gjithashtu me premtimin e mbështetjes ndaj Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, gjë e cila nuk u arrit dot të ndodhte në fakt gjatë muajit qershor të vitit të kaluar. “Rumania do ta mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit në BE”, tha më tej përfaqësuesi i Bukureshtit zyrtar në Tiranë, duke shkuar edhe më larg. Me premtimin e  çeljes së negociatave të anëtarësimit edhe për Maqedoninë

“Dhe për ta arritur këtë rezultat në përputhje me përfundimet e nxjerra nga Këshilli në qershor të vitit 2018, do të kërkohet konsensus nga shtetet anëtare të BE-së”, pohoi gjithashtu Perpelea. Në këtë mënyrë, ai ka paraqitur qartë dëshirën e vendit të tij për t’i ndihmuar këto dy vende të Ballkanit Perëndimor të sigurojnë anëtarësimin drejt BE-së, njësoj si ajo shumë vite të shkuara. Porse pa dhënë dot detaje konkrete sesi do të mund të arrihet një gjë e tillë, teksa qytetarët shqiptarë ende gjenden në dilemën nëse edhe këtë qershor do të mund të çelen negociatat e vendit të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo edhe sepse, sipas Rumanisë, Ballkani Perëndimor është një zonë me interes strategjik për Bashkimin Evropian. “Dhe presidenca  rumune do t’i kushtojë një kujdes të veçantë Ballkanit Perëndimor me synim stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e kësaj zonë të fqinjësisë së mirë. Ne do të ndjekim progresin e të ardhmes së BE-së duke u bazuar te merita dhe kriteret specifike të secilit vend”, nënvizoi ambasadori.

 

Apeli: Realizoni reformën zgjedhore, mbetet kriter kyç për negociatat në BE

“Gjatë mandatit tonë, Rumania do vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive të gjithë përpjekjet e partnerëve shqiptarë për anëtarësim në BE. Presidenca rumune e Këshillit të BE-së, do të kërkojë që t’i kanalizojë këto përpjekje në një drejtim pozitiv, në mënyrë për të avancuar me tej të ardhmen europiane të rajonit dhe të Shqipërisë”

Nëse gjatë presidencave të mëparshme, autoritetet evropiane e ngrinin zërin kundrejt Shqipërisë për realizimin e reformës në drejtësi, këtë herë vëmendja e tyre duket se është kthyer tek ajo zgjedhore. Kjo mesa duket, për arsyen pasi e para është duke dhënë rezultatet e saj të para, si me vetingun, edhe me krijimin e institucioneve të reja. Kurse ajo zgjedhore gjendet në një ngërç të plotë, teksa opozita nuk pranon propozimet e bëra nga mazhoranca dhe gjenden shumë larg realizimit të tyre çështje të tilla si votimi elektronik apo vota e emigrantëve. “Në veçanti, ne do të inkurajojmë të gjitha palët dhe partitë që të përshpejtojnë reformën zgjedhore pasi kohës po i vjen fundi dhe është pjesë e përparësive dhe prioriteteve që Shqipëria duhet të mbushë në lidhje me çështjen e negociatave”, cilësoi ambasadori rumun, lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se në tërësi, autoritetet evropiane i kanë inkurajuar partnerët shqiptarë që “të vazhdojnë të gjitha përpjekjet për reformat në nivel politik dhe institucional”.

 

Një vit më parë, ne i dhamë Bullgarisë një minoritet, por nuk i hapëm dot negociatat

Një vit më parë, (1 janar-1 korrik 2018) Presidenca e BE-së i takoi Bullgarisë, autoritetet e së cilës i premtuan palës shqiptare mbështetje për çeljen e negociatave në muajin qershor. Kujtojmë deklaratat e bëra rreth kësaj nga kryeministri Bojko Borisov, homologut të tij Edi Rama. “Shqipërisë duhet t'i jepet një datë dhe një rrugë për fillimin e negociatave. Po bëjmë përpjekje të mëdha të bindim këto vende deri në fund të qershorit”, tha ai gjatë një vizite në Tiranë. Teksa edhe zv/presidentja bullgare, Iliana Iotova, i premtoi të njëjtën gjë presidentit shqiptar, Ilir Meta. Por një gjë e tillë nuk u mundësua dot gjatë qershorit të kaluar. Ndërsa pala shqiptare nga ana e saj mund të thuhet se i bëri një “dhuratë” asaj bullgare, në pritje të një rezultati konkret për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Fjala është për emërtimin e pakicës bullgare në vendin tonë, me termin e një “minoriteti zyrtar”, gjë e cila u shoqërua me mjaft debate në qarqe të ndryshme të vendit. Deri edhe si një “kompensim” ndaj presidencës së radhës së BE-së për çeljen me çdo kusht të negociatave në muajin qershor të vitit të kaluar.

 

Austria, më shumë e fokusuar tek emigracioni, sesa te zgjerimi i BE-së

Presidenca e fundit e Bashkimit Evropian, ajo e Austrisë gjatë periudhës 1 korrik-31 dhjetor 2018, më shumë sesa çështjes së zgjerimit, i mëshoi asaj të emigracionit. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore se përse gjatë saj nuk është se pati ndonjë zhvillim pozitiv për Shqipërinë. Por edhe për shkakun pasi premtimi i autoriteteve evropiane ka qenë i qartë, që vetëm gjatë qershorit të sivjetshëm do të ketë një vendim mbi çeljen apo jo të negociatave të Bashkimit Evropian me Shqipërinë. Prandaj, sido që të lobonte Vjena zyrtare, i takon Bukureshtit të jetë aktori kryesor në këtë proces. Gjithsesi, duhet thënë se autoritetet e larta austriake, në deklaratat e tyre të njëpasnjëshme gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar kanë treguar mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë. Mjafton të kujtojmë këtu ato të bëra nga kancelari federal i Austrisë, Sebastian Kurz. "Dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt bisedimet e pranimit", ka pohuar ai.