Veza e Kolombit

Veza e Kolombit
Nga Juela Meçani

Mandatet u shpëtuan, rroga do të kalojë në bankë, edhe shpërblimet gjithashtu, por ndërkohë kryeministrit të gjatë ju bë xhaketa pis me një vezë a dy. Një mjet i rëndomtë u përdor për të treguar një mllef ose për të përligjur një veprim që nuk pritej nga opozita e vendit, hyrjen e saj në parlament dhe shpëtimin kështu të mandateve. Por kryeministri i gjatë e priste, edhe rihyrjen në parlament të opozitës, edhe vezën. Kjo dukej shumë qartë. Por a mundet dot vallë që një akt “revolucionar” të fshijë faktin se ajo opozitë që duhet t’u dalë në krahë studentëve, në shtëpi të vet bën lista nate pa drita dhe e çon meritën dhe peshën e votës reale për dreq? Si mund të rikthehet besimi dhe shpresa tek të rinjtë, në një kohë kur varros një pjesë të mirë të mendimit ndryshe? E ndërkohë që veza bëri pis xhaketën mijëraeuroshe të kryeministrit, harruam të gjithë se pensionistët “do të ngopen” me thërrimen e 50 mijë lekëve të vjetra, çmimet janë ngritur në stratosferë, në kopshte bie zjarr që në mëngjes, ngrohemi me episode sepse dritat nuk përballohen dot më as me rrogë të “lartë”, me spitalet e ilaçet nuk po merret më njeri se helbete, veza bën më lajm, nafta po na nxin jetën e ka arritur pikun e çmimit, ndërkohë që Euro është në nivele katastrofike. E kështu ato detaje që na e bëjnë jetën të papërballueshme, nuk gjejnë zgjidhje. Veza bën pis xhaketën e kryeministrit por nuk cenon në asnjë sekondë ndërgjegjen e tij e të aparatit burokrat që ka pas vetes, nuk cenon aspak pushtetin. Një vezë por që të bën pis staturën e jo xhaketën ishte dhe tërheqja e dhjetëra kandidatëve nga lista e Këshillit Kombëtar të PD-së, por për sa kohë nuk lë njollë të dukshme, ikën dhe e merr era. A nuk u “pengua” protesta nga “dyshimet” e ngritura fort nga “kanalet jozyrtare” të opozitës se në krye të saj ishte “Mjaft-i”? Kujt i shkonte për shtat shumë që të nxitej lufta e brendshme Rama-Veliaj e sa e ndihmon kjo realisht ardhjen në pushtet të së djathtës? E ndërsa ne do të shikojmë me qindra herë videon e vezëve në parlament, sa të tjera “gola” në miliona euro do të bëhen ashtu si tangjent? Mjeti justifikon qëllimin por a e di qartë opozita qëllimin e saj? Kë të besojnë votuesit, vezën zhurmëmadhe prej deputeti të inatosur me realitetin apo takat, purot e peliçet që hynë në kuvend ditën për diell? Midis kujt mendimi opozitar të zgjedhin, mes Sali Berishës e Rudina Hajdarit që thonë aq shpesh se duhet të lihen mandatet dhe se ky parlament nuk ka më kuptim të ekzistojë po Bashës që shpreh “europianizmin” e tij etik dhe dashurinë për zgjedhjet, edhe pse e di mjaft mirë që i ka të humbura që në nisje? Midis PD-së që godet lali Erin apo LSI-së që e ledhaton hapur?

Rama nuk arriti dot t’i bënte për budallenj studentët në asnjë moment, pavarësisht “ushtrisë mediatike” dhe aparatit të frikshëm administrativ që ka ndërtuar. Atëherë, të mendosh se studentët do të “mungojnë” në inteligjencë e do të besojnë se deputetët e opozitës hynë në parlament për ta, është, më së paku, utopi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: