EKSKLUZIVE/ Soni Malaj: Në festival me një rrëfim mbi jetën time

EKSKLUZIVE/ Soni Malaj: Në festival me një rrëfim mbi jetën time
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press këngëtarja e njohur Soni Malaj: “Kur rritesh në skenë ti këndon për çdo etapë të jetës tënde, si atë profesionale edhe atë personale dhe pas dy dekadash në skenë ku unë kam kënduar edhe këngë që deri diku kanë qenë private, e ndjeva që të vija në këtë festival të këngës me një përvojë jetësore. Është në qendër njeriu, pra jo vetëm femra, kam pasur dëshirë që të vë në pah vlerat e një personi që arrin që me besimin në Zot, me besimin në vetvete dhe me punë, me talent, pa kompromise, arrin të ringrihet.”

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Për Soni Malaj mund të thuash pa asnjë hezitim se është nga këngëtaret e skenës shqiptare që i ka arritur vlerat e saja në këngë me shumë punë dhe eksperiencë ndër vite. Pjesë e grupit të njohur të vajzave “Spirit Voice”, më pas ajo nisi karrierën solistike duke u kthyer shumë shpejt në një nga këngëtaret më të ndjekura në vend. Soni kërcen, këndon, performon në grup, nuk gabon me veshjen, shkëlqen në spektakle e juri prestigjioze, e gjen gjithmonë në formë e ndërkohë rrit me përkujdesje vajzën e saj Ana. Në pamje e brishtë por në realitet një femër që tashmë e di atë që do. Ndoshta në këtë frymë, produkt i një pjekurie artistike të arrirë, erdhi edhe kënga e saj në festivalin e RTSH. Këngë që më goditi edhe mua menjëherë, për faktin e thjeshtë sepse përmes saj pashë një femër shqiptare të fortë e të palëkundur nga tallazet e jetës dhe më dha një frymë optimizmi që rrallë e has në këngët tona. I rrëmbeva një kafe mes një dite të ngarkuar me përpjekje festivalore, ekskluzivisht për Albanian Free Press.

Po rikthehesh pas më shumë se një dekade në Festivalin e Këngës në RTSH, një rikthim në kulmin e karrierës tënde, pjekurie artistike, një këngë e fuqishme. Si erdhi kënga “Më e fortë”?

Ka një fije logjike në realizimin e këngës, nëse ndalesh tek autorët e saj. Unë Petro Xhorin e kam pasur në kategorinë time, në grupin e djemve, në “X Factor” dhe ka qenë shumë mik me Irkenc Hykën. Pra mund të them se janë dy djem të talentuar, derivate të spektaklit “X Factor” kështu që pritej në fakt një këngë rinore, një këngë për “nightclub” karakteristike, ritmike por ndodhi plotësisht e kundërta. Kur u ndalëm të bisedojmë mbi këngën, isha unë që doja diçka më personale. Kur rritesh në skenë ti këndon për çdo etapë të jetës tënde, si atë profesionale edhe atë personale dhe pas dy dekadash në skenë ku unë kam kënduar edhe këngë që deri diku kanë qenë private, e ndjeva që të vija në këtë festival të këngës me një përvojë jetësore. Është në qendër njeriu, pra jo vetëm femra, kam pasur dëshirë që të vë në pah vlerat e një personi që arrin që me besimin në Zot, me besimin në vetvete dhe me punë, me talent, pa kompromise, arrin të ringrihet. Është si puna e asaj breshkës fisnike, ngadalë ngadalë ecën e shkon në destinacion. Më gëzon fakti që autorët e këngës e kanë kuptuar se çfarë doja unë. Mund t’ju tregoj një detaj, kam biseduar me Big Basta, autor i disa këngëve të mia, pavarësisht se ai jeton në Zelandën e Re, ku unë i shpreha se çfarë doja nga kënga, që të mblidheshin të gjitha përvojat e mia jetësore në një këngë. Por i shpjegova se nuk e doja me fjalë shumë, por e desha me pak fjalë por që të godisnin, një fjalë të përmbante një kuptim shumë të madh, pra jo një libër për të lexuar por një mesazh të qartë që të lexohej nga publiku. Për këtë ka edhe një kor populist në këngë, pra një thirrje për forcë. “E dua si ajo kënga, jam rrëzuar 9 herë e jam ngritur 10”-i thashë Big Bastës. Edhe ai si një tironc që është, ha ha ha, më tha: “Nona fare. Unë e di si e do këngën sepse kam qenë pranë teje.”

Pra duke të të njohur shumë mirë ka ditur çfarë të shkruajë...

Po, pikërisht. Dhe pastaj Petro Xhori i vë vulën me një frazë shumë të bukur “një femër nuk është thjesht një femër”. Një frazë fantastike.

Por ka edhe një fjalë tjetër të fortë që unë e kam të preferuar tek këngë, “ajër”, ajri shndërrohet, fluid, avullon e vjen përsëri si shi...pra si femra...

Dua ta shpjegoj frazën. Që në fillim të këngës “e pandarë si oksigjen për ajër”. Pra jam unë që i drejtohem publikut, ju drejtohem juve, me sinqeritet më pas nis rrëfej jetën time. Pra unë jam rrëzuar e jam ngritur, e të ngrihesh është minimale, por çfarë duhet të bësh më pas. Kjo ishte ideja e unë vërtetë i falënderoj autorët që e kapën menjëherë mesazhin tim drejtuar publikut.

Më ka bërë përshtypje që një pjesë e madhe e femrave, edhe të personazhe publikë, ishin identifikuar me këngën. Ke dashur të japësh një mesazh direkt për femrën shqiptare?

Përveç se është një këngë autobiografike, unë të gjitha mikeshat e mia në art, të divorcuara si unë ose jo, bëjnë në jetë nga dy, tre por edhe më shumë punë, aktivitete, për t’ja arritur që të dalin në fund të ditës me një buzëqeshje përpara fëmijës, përpara publikut. Mënyra se si luftojnë, përballen  me një realitet të vështirë, ku ndoshta mund të meritonin më tepër, është aq fisnike. Këtë këngë, dua ta dalloj, nuk e kupton çfarëdo lloj femre, e kuptojnë ato femra që kanë luftuar fort, që në një periudhë të jetës së tyre kanë gjetur një forcë të jashtëzakonshme. Më kanë telefonuar shumë mikesha të miat për këngën, pjesë e artit por edhe jashtë artit. Njëra prej tyre, e cila në një moment të jetë, kur bashkëshortit të saj i ndodhi diçka, u gjend nga një grua me çdo gjë të sigurt, në një femër që duhet të përballonte shumëçka. Ajo më tha “O Zot, kur më ndodhi kjo histori, u mbylla brenda e nuk doja të dilja më. Nuk di se ku e gjeta forcën që të ringrihem e t’i bëj jetës ballë”. Kjo mikeshë, nënë e grua, sot ka ndërtuar një biznes ekselence, është lider në sektorin e saj. Nga një vajzë që e çonte bashkëshorti kudo sepse as rrugët e Tiranës nuk i njihte, në një moment të jetës kur çdo gjë ju përmbys e “ra në greminë”, gjeti forcën e brendshme të ringrihet. Pra unë jam frymëzuar shumë edhe nga eksperienca e shumë femrave të forta që njoh personalisht. Juela, në fushën e artit, ti këtë e di mirë, pavarësisht se ne dalim në skenë e në ekran të kuruara, të buzëqeshura, ne kemi një luftë me një opinion patriarkal që ne kemi, jo pse u nda, po pse u vesh ashtu, se kjo e ka fajin, asnjëherë nuk fajësohet mashkulli. Por theksoj, kjo këngë është për forcën shpesh mbinjerëzore të çdo njeriu, pavarësisht se në një realitet shqiptar, femra del vetvetiu në plan të parë. Prozhektori, në këngë, e thënë metaforikisht, dua të bjerë fort tek forca, besimi brenda vetes dhe besimi në Zot. Këtë e thërras fort në këngë, besimin në Zot. Por edhe një falënderim ndaj Zotit dhe dashuri ndaj tij.

Je nënë e një vajze të vogël, është kjo këngë një mesazh i rëndësishëm edhe për të?

Më beso, është gjëja e parë që kam menduar. Ka ndodhur që të bëjë ndonjë prapësi se kjo vajza ime e gjen ndonjë gjë të re çdo ditë, ha ha ha, dhe i flas shpesh, i tërheq vëmendjen sepse dua që të ndjekë shembullin e focës time, domethënë që jam përballur me vështirësi në jetë. Nuk dua kurrsesi që asaj t’i vijnë gjërat e mira shumë thjeshtë. I them vajzës time se gocat lindin princesha por jeta të kërkon të bëhesh shumë luftëtare, sepse duhet të përballesh me sfida. Ndaj unë që tani e përgatis që ajo të ketë një karakter të fortë dhe këtë këngë unë e kam edhe këngën përfaqësuese timen si artiste ndaj sigurisht që është një mesazh i drejtpërdrejtë që unë i jap vajzës.

Përpara kësaj interviste, siç e kam zakon, vura kufjet dhe i mora këngët e tua me radhë. Nuk më ndodh shpesh, por ndër vite shumë këngë ishin hit-e. Mendon të bësh ndonjë recital?

Unë nuk kam bërë një recital timin personal, por kam bërë një recital bashkë me këngëtarin Sinan Hoxha. Por do të vijë ai momenti që të realizohet një recital solo. Patjetër që këtë e dëshiroj shumë dhe dëshiroj një recital vetëm timin, pa bashkëpunime. Unë dua ta kem timin nga fillimi deri në fund që të më ndjekin në 360 gradë të miat.

Ti vjen nga grupi “Spirit Voice” por më pas karriera solo mori menjëherë ngjitje. Si ndihesh kur të thërrasin shpesh “diva” siç e lexoj edhe në komentet e fansave?

Unë nuk se e kam mirëpritur fort këtë lloj titulli. Në rrugëtimin tim nuk është se e kam përforcuar atë personazhin perfekt, të them të drejtën. Kam dashur po të jem një personazh me virtyte por edhe gabimet e mia, të them të drejtën, unë i kam bërë publike, ndoshta edhe për të treguar se një njeri nuk duhet të jetë perfekt, bën gabime dhe mëson nga gabimet, ose nuk kam dashur që të përdor fraza banale tek këngët ose të dal me mesazhe qe nuk do të doja që t’i përvoja tek rinia, kjo po. Gabimet, qoftë personale qoftë në muzikë, i kam pranuar edhe korrigjuar. “Diva” më bën qejfin, më ngacmon por nuk e shikoj veten aty.

Kjo ndoshta ka ardhur edhe nga fakti se ti shpesh shfaqesh me performanca të plota, me kërcim profesional, veshje skenike të kuruar...të gjithë e dinë që është shumë e vështirë të kërcesh e të këndosh live njëkohësisht...

Ndihem shumë mirë për vlerësimin por për këtë punoj shumë. Këtë herë performanca është 3 minuta e 12 dhe unë punoj tërë ditën, nga mëngjesi deri në darkë. Kur kam festival është tmerr, orë të tëra në trajnime, palestër e kanto, që të kesh rendiment.

Ky festival vjen mbas një periudhe që ke qenë me ture ndërkombëtare, mund të na tregosh disa mbresa?

Unë isha në Australi, një vend shumë i largët në imazhin tonë, por më dha shumë kënaqësi që u takova me të gjithë komunitetin tonë atje.

Je selektive me turnetë?

Po, shumë, kjo edhe sepse kam një vajzë të vogël që ka nevojë për kujdesin dhe praninë time ndaj nuk mund të rend si më parë me valixhet gati, çdo fundjavë. Ana e ndjen shumë mungesën time. Ndaj koncertet përzgjidhen duke preferuar ato më mirë të organizuarat.

Kënga fituese shkon në “Eurovizion” që këtë vit është në Izrael. Kënga, sipas kritikës, është shumë e përshtatshme për atë skenë. E ke pasur parasysh këtë aspekt?

Sinqerisht, nëse është kështu, ka ardhur shumë spontane. Kjo këngë nuk ishte zgjidhja e parë, kemi konsultuar shumë kompozitorë dhe tekstshkrues, nga studio prestigjioze, deri në SHBA. Ishte rastësi që ndodhi që kjo këngë më goditi, e fortë dhe ritmike, ka harmoni, ka mesazh. Erdhi shumë natyrshëm.

Këtë herë ke zgjedhur stilistin Joni Peçi për veshjen skenike. Nga erdhi ky bashkëpunim?

Mbaj mend që një herë më tregoi një veshje dhe unë i thashë se nuk më pëlqente. Pas një muaji atë veshje e veshi Lady Gaga. Joni ka një vizion absolut mbi veshjen. Ose ka pasur dhe raste të tjera, psh te “Kënga magjike” unë dola me një trupore blu në kadife. Unë bëja shaka, sikur dukesha si Spideman ha ha ha. Por pas një muaji del Iggy Azalea, reperja e famshme, me të njëjtën veshje, me shumë pak diferencë, ndaj nuk i flas më Jonit për asgjë. Edhe veshjet e balerinëve janë shumë interesante.

Edhe këtë herë je me balerinë?

Është e pashmangshme, unë nuk e konceptoj dot që muzikën time të mos e shpreh me gjuhën e trupit. Edhe në balada nuk rri dot statike.

Në fakt edhe videoklipet e tua janë si filma me metrazh të shkurtër...

Ha ha ha këtë pyetje më bëri edhe një gazetar i huaj i Eurovizionit.

Disa artistë të mirë më kanë ngritur shqetësimin e mungesës së menaxhimit artistik. Sa mendon se roli i menaxherit artistik është i rëndësiëhm?

Unë e kam filluar rrugëtimin tim artistik e përzgjedhur nga një menaxher, që e kam edhe sot. Që e vogël, unë shikoja artistët botërorë. Ata kishin një mbështetje shumë të madhe, një shtyllë shumë të fortë nga menaxhimi. Në fund të ditës artisti duhet të japë më të mirën e vetes nga ana artistike. Por kush do të merret me të gjitha gjërat teknike? Ne jemi shoëbiz, ka detaje biznesi, nuk mund të merret këngëtari me të gjitha. Shumë kolege ose kolegë paraqesin dikë si menaxheri i tyre por ai bënte vetëm “alo alo”. Por nuk është menaxheri vetëm “alo alo”. Unë vija nga një eksperiencë shumë profesionale se çfarë do të thotë menaxhim. Në vitin 1997 ne kemi pasur palestër më vete ku stërviteshim me vajzat e “Spirit Voive”. Hyja në incizim dhe menaxheri na shtynte të këndonim me trup e tru, jo kot. Përpara një koncerti ne punonim orë të tëra, menaxheri merrej edhe me imazhin tonë. Ju tregoj një detaj, ishim vajza të reja fare dhe na pëlqente ndonjë djalë, bëhej mbledhje me prindër. Sepse menaxheri kujdesej edhe për imazhin tonë jashtë. Ne duhet të përcillnim mesazhe të shëndetshme për rininë e jo të rrinim lokaleve me kafe, alkool e cigare. Imazhi është kryesori sepse jemi edhe vend i vogël. Unë kam qenë me fat dhe jam edhe sot, kam një menaxher ashtu siç unë e dua dhe si e meritoj. Kjo edhe sepse atë kam kërkuar dhe zgjedhur. Nuk dua tre koncerte më tepër por një karrierë me baza e të qëndrueshme.

E ke menduar ndonjëherë që të luash në film?

Ha ha ha po, madje kam bërë një herë edhe një kinoprovë por jo, tani mendoj se aktrimi është nga profesionet më të vështira në globin artistik.

Të nxit lufta në ambientin artistik apo të ka lodhur?

Unë jam sabotuar e luftuar shumë, një televizion për një vit e gjysmë nuk ka transmetuar asnjë këngë timen...

Deri këtu?

Po, po, edhe në Kosovë kam pasur luftë artistike. Mund të them se kam pasur madje luftë të drejtpërdrejtë. Është karakter imi, jam shumë konfidente me talentin, ndaj unë vazhdoj rrugën time. Unë jam për të mesmen e artë. Më beso, sukseset e mëdha më stepin pak, i dua suksese graduale. Me pjekurinë personale dhe artistike di t’i përballoj sukseset e mëdha por nuk i dua. Unë jam për luftë të ftohtë si kundërpërgjigje ndaj kujtdo që më vështirëson jetën. Mendoj se më ka ndihmuar shumë edhe sporti. Duke shtyrë veten fizikisht të kalit vullnetin, të ngulitet edhe në karakter.

Festat e fundvitit ku do të të gjejnë?

Do të jem në Londër në koncert por do të jem edhe direkt pas finales së festivalit në koncert, jemi në një koncert të madh në mesnatë.

Më zbulon ndonjë projekt të ri tëndin?

Menjëherë pas festivalit është edhe një projekt shumë i dashur për mua, një këngë drejt traditës tonë popullore, bashkë me një patriotin tim, me kërkesë nga tropojanët e mi të dashur, do të dalim me një këngë të përbashkët me Gëzim Nikën, e kam nder dhe privilegj që të këndoj me të, një personalitet i muzikës së asaj treve. Një këngë me muzikë po nga Irkenc Hyka dhe tekst nga i madhi Jorgo Papingji.

Diaspora, kjo dashuridhënëse e pafund për shqiptarët...si ndihesh në ato salla plot njerëz të përmalluar?

Kur kam jetuar jashtë dhe dëgjoja këngë popullore dëgjoja këngë shqiptare, dëgjoja Bujar Qamilin p.sh e atëherë e kuptova çfarë ndjejnë bashkëkombësit e mi në diasporë. Por më gëzon fakti se edhe diaspora është bërë selektive, kërkon të dëgjojë muzikë të mirë nga artistë të vërtetë. Dallojnë qartësisht nivelin e mirë artistik. Kur shkoj tek ata bëj një përgatitje të madhe dhe kam përgjegjësi kur dal përpara tyre.

Çfarë ke ti brenda vetes nga Tropoja?

Shumë nga këngët e mia janë me ritme nga ajo zonë, më pëlqen ritmika e veriut të Shqipërisë. Kërkoj shumë të ketë perkusion, bateri, dinamikë në këngë, që veriu e ka me shumicë. Edhe tek e kënduara këndoj si në Veri, në balada veçanërisht, me nota të larta e të ulëta menjëherë.

Je e lumtur në këtë moment?

Asgjë nuk është perfekte, duhet të kënaqemi çdo ditë me atë që kemi. Kam vajzën mirë, kam besim e respekt, kam bashkëpunëtorë të mirë, një familje të mrekullueshme. Kjo më bën të lumtur e më mjafton.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: