SKANDON AFATI/ Studentët e ndarë në 3 grupe, sot sërish protestë para Ministrisë së Arsimit

SKANDON AFATI/ Studentët e ndarë në 3 grupe, sot sërish protestë para Ministrisë së Arsimit
Pas skadimit të afatit të vënë nga studentët për pranimin e 8 kushteve nga ana e qeverisë, që ishte ora 16.00, studentët janë ndarë në tre grupe. Një pjesë prej tyre ka vendosur të qëndrojë përpara Ministrisë së Arsimit, një pjesë tjetër përpara Kryeministrisë dhe në "Zog të Zi", ku bllokuan qarkullimin rrugor. Protestuesit para Ministrisë së Arsimit pohojnë se protesta do të zhvillohet sërish nesër në po të njëjtin vend, ndërkohë që ata para Kryeministrisë vazhdimin e protestës deri në mesnatë.

Përfundimi i afatit për plotësimin e 8 kushteve të vendosura nga studentët, duket se solli edhe përçarjen e këtyre të fundit. Pas orës 16.00 shumë prej studentëve ishin të paqartë  për se çfarë do të ndodhte më tej. Ndërkohë që dy grupe të ndryshme u drejtuan drejt Kryeministrisë dhe rrethrrotullimit të Zogut të Zi. Këta të fundit bllokuan për një kohë të gjatë qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që protestuesit para kryeministrisë deklaruan se qëndrimi i tyre aty do të ishte deri në mesnatë. Më të organizuar ishin studentët të cilët protestuan para Ministrisë së Arsimit të cilët pohuan se protesta do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme ashtu sikurse është zhvilluar edhe përgjatë këtyre ditëve. “Ne do të vijojmë protestën këtu para Ministrisë së Arsimit, këtu ku kemi filluar. Ky është institucioni i cili mund të marrë vendimet për ne. Sa i takon grupimeve të tjera nuk dimë se si ata do të vazhdojnë, ndoshta disa prej tyre janë edhe anëtare të forumeve të ndryshme rinore dhe duan ta përdorin edhe politikisht, por ne jemi të bindur për ta vazhduar këtu protestën” pohoi një prej studentëve.

Ndërkohë që ndarja e studentëve është komentuar edhe nga kreu i qeverisë i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale u ka drejtuar të rinjve një pyetje, se kush i përçau tani? Rama thotë se ai do të jetë në anën e studentëve dhe jo me “maskat e LSI dhe PD”. “Ju mbytën me presionin kundër Dialogut se do ju përçaja unë,po tani kush ju përçau?! Mos e vrisni mendjen,unë jam me studentët jo me maskat e LSI-PD dhe s'ju le në baltë. Jo ato pikat, po shumë më tepër se aq do bëjmë së bashku. Me të nisur Dialogun, s'ndalemi më #përUniversitetin” shkruan Rama.  Ndërkohë që më herët, para përfundimit të afatit të vendosur nga studentët, kreu i qeverisë u kërkoi të rinjve sërisht të dialogonin. Sipas tij 140 prej studentëve mund të shkonin në parlament për dialog. 'Kujdes nga kushdo ju mëson t'u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?” shkruante Rama. Po kështu edhe me anë të një fotografie të shkëputur nga protesta e vitit 2018 në Evropë, përmban studentë të cilët brohorasin dhe mbajnë në duar një parullë ku shkruhet "All we need is Talk". Rama ka zgjedhur pikërisht këtë mënyrë komunikimi, për t'i përcjellë edhe njëherë studentëve kërkesën për të dialoguar rreth 8 pikave për të cilat po protestojnë tanimë për të tetën ditë.

Protestës së djeshme të studentëve iu bashkuan dhe gjimnazistë të kryeqytetit që braktisën procesin mësimor. Protesta të studentëve u zhvillua njëkohësisht edhe në disa në disa rrethe.

 

Gjatë protestës, studentët “hartojnë kushtetutën”

Studentët kanë lexuar në protestë 7 pikat të cilët ata e quajnë si “kushtetuta” e studentit dhe duhet të zbatohet nga të gjithë studentët protestues. Një nga pikat është edhe bojkotimi i mësimeve deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

1- Ne jemi të barabartë

2- Studenti për shqiptarët, shqiptarët për studentin

3- Nuk kemi përfaqësi, nuk kemi kryesi

4- Jo negociata, jo dialog, jo bisedime!

5- Kemi vetëm 8 kërkesa të cilat janë të panegoiueshme

6- Protesta dhe bojkot të mësimit deri sa të plotësohen kërkesat

7- Në protestë janë të lirë të bashkohen të gjithë gjimnazistët, mësuesit, pedagogët, prindërit dhe kushdo që është në mbështetje të çështjes sonë.

 

Universiteti i Shkodrës, plotëson 3 nga kërkesat e studentëve

Studentët e Universitetit të Shkodrës kanë arritur të plotësojnë tre kërkesat që ata i kanë drejtuar Rektoratit të këtij universiteti. Në kërkesën që ata kanë firmosur më datën 7 dhjetor ata kërkonin ndryshimin e notës mesatare për studentët në përfundim të ciklit studimor bachelor nga nota 9 në notën 7 e cila përkon dhe mesataren e  nevojitur për ndjekjen e studimeve më të specializuara. Përveç ndryshimit të notës të mundësohet liria e studenti për të zgjedhur mes provimit dhe temës së diplomës. Pika e dytë kishte të bënte me mundësin e kryerjes së aktiviteteve që i shërbejnë përgatitjes akademike siç janë ekspeditat. Rektoriati ka vendosur që të mos operohet me sistemit e rimbursimit por të përfshihet në buxhetin e USH. Ndërkohë që godina e re e këtij universiteti do të jetë në funksion të studentëve brenda muajit janar 2018.

Rektorati u ka kthyer sot përgjigje që kërkesat e tyre plotësohen. Tashmë Këshilli Studentor  i këtij universiteti do vendosë nëse do të vazhdojnë të  solidarizohen me protestën e Tiranës.

 

Fakulteti i Mjekësisë, shërbime falas për studentët

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Xheladin Dreçani i ka dërguar një propozim rektorit të Universitetit të Mjekësisë, ku i kërkon miratimin e e shërbimeve falas për studentët. Kështu vërtetimet e ndryshmet studentëve të cilat deri më tani kanë qenë me pagesë, pritet të ofrohen falas.  “Dekani i Fakultetit të Mjekësisë ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimin e protestës studentore të ditëve të fundit dhe në përgjigje të kërkesave të tyre, të bëra publike përmes mediave, propozon në vëmendjen Tuaj ofrimin falas të shërbimeve studentore (vërtetime, programe, lista notash etj.) në të tre ciklet e studimit” thuhet në propozimin e dërguar rektoratit të UMT-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: