Protesta, studentët afat deri në orën 16.00 për plotësimin e 8 kërkesave

Protesta, studentët afat deri në orën 16.00 për plotësimin e 8 kërkesave
Protestuesit kanë vendosur si afat të fundit ditën e martë, ndërsa kanë paralajmëruar edhe përshkallëzimin e veprimeve. Sipas tyre gjatë ditës së sotme nga ora 7.00 deri në orën 10.00 nuk do të lejohet që pedagogët të hyjnë në auditore për të zhvilluar mësim. Nga ora 10.00 e dëri në orën 16.00 protestuesit do të jenë para Ministrisë së Arsimit për të pritur plotësimin e kërkesave. Në rast se nuk ka plotësim të 8 kërkesave studentët pritet të marrin vendime të tjera, duke përshkallëzuar format e protestës

Studentët nuk pranojnë dialog me Qeverinë apo Ministrinë e Arsimit, por vetëm një letër ku të firmosen 8 kërkesat e tyre. Me anë të një letre ata i kanë kërkuar kreut të Qeverisë, atij të Parlamentit dhe Ministres së Arsimit të plotësojnë kërkesat e tyre deri në orën 16. 00 të ditës së martë, ose në këtë kundërt protesta do të përshkallëzohet.

Protesta

Ndonëse e hëna ka qenë një ditë pushimi  për administratën, për studentët ka qenë një ditë e zakonshme ashtu sikurse 6 ditë më parë, përpara Ministrisë së Arsimit, duke i drejtuar institucioneve kryesore në vend një letër ku shprehin 8 kërkesat e tyre, të cilat pjesa më e madhe duhet të jenë në mënyrë të menjëhershme dhe pjesa tjetër brenda këtij vitit akademik. Ndonëse gjatë paradites së djeshme kreu i qeverisë Edi Rama ka pasur një komunikim live me anë të rrjeteve sociale ku u ka ofruar studentëve edhe më shumë se nga ato që kanë kërkuar, por miratimi  tyre sipas Ramës duhet të behet me anë të dialogut. Kjo gjë nuk është pranuar nga studentët të cilët kanë pohuar se askush nga studentët nuk mund të shkojë të dialogojë, pasi të gjithë ata që janë në shesh dhe protestojnë, janë  të barabartë me njëri-tjetrin.

Të ndodhur në këto kushte, studentet i kanë lenë Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit afat deri sot në orën 16.00 për plotësimin e kushteve në të kundërt do të ketë përshkallëzim të protestave. “Protesta e ditës së sotme (e hënë) mbyllet këtu. Nesër do të rifillojmë që në orën 7 me universitetet ku nuk do të lejojmë pedagogët të zhvillojmë mësim dhe më pas të gjithë studentët do të nisen nga universitetet përkatëse, për tu bashkuar tek Rruga e Durrësit, para Ministrisë së Arsimit. Protesta do të zhvillohet deri në orën 16.00. Në rast se deri në këtë orë nuk ka një reagim për plotësimin e kërkesave tona atëherë jemi përballë faktit për të marrë te tjera vendim” pohon një prej studentëve të protestës.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, pritet që numri i pjesëmarrësve në protestë të jetë edhe më i madh për shkak se ftesa u është bërë edhe studentëve të rretheve, si dhe maturantëve të shkollave të kryeqytetit.

Kundërshtimi i dialogut

Edhe pse kryeministri Edi Rama tejkaloi kërkesat e tyre duke vendosur subvencionimin 100% të tarifës për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, modernizimin e konvikteve, shkarkimin e bordit të administrimit të universiteteve apo dhe punësimin e studentëve të shkëlqyer pa konkurse në administratë, sërish studentët kanë refuzuar thirrjen për dialog.

Ata kanë qenë të prerë në përgjigjen e tyre se nuk do të ketë dialog, pasi kërkesat e tyre janë të panegociueshme. Ata janë shprehur se nuk do të ngrenë përfaqësi nga radhët e tyre për të dialoguar me kryeministrin. Nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit studentët i kanë kërkuar kryeministrit përmbushjen e të gjitha pikave të tyre, pa qenë nevoja për negociata apo dialog.  “I thoni z.Rama që jemi shumë të lumtur, por kemi edhe 7 kërkesa të tjera. Nuk jemi grup, unë dua të përfaqësoj veten, edhe unë dua të jem atje (në takim). Të flasë edhe për shtatë pikat e tjera. Nuk janë vetëm këto, është edhe mesatarja që kemi kërkuar të hiqet. Nuk ka dialog. Në momentin kur nuk shohim plotësimin e këtyre 8 pikave nuk shohim vend për dialog dhe as negociata” pohojnë studentët.

 

Letra dërguar institucioneve me kërkesat e studentëve

Në një letër e cila u është drejtuar Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Arsimit, Universiteteve Publike, studentët që protestojnë që prej 7 ditësh parashtrojnë 8 kërkesa. Në letrën drejtuar institucioneve thuhet se studentët do të bojkotojnë mësimin deri kur 8 kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. “Kushtet janë të panegociueshme”, thonë studentët.

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 %  e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Evropiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

 

Protesta e studentëve dhe në Korçë, Elbasan e Gjirokastër

Studentët e Universitetit të Korçës, të cilët janë bërë pjesë e protestës thanë hapur se janë kërcënuar nga politika dhe pedagogët! Por, pavarësisht kërcënimeve ata janë të vendosur për ti shkuar deri në fund rrugës që tashmë ka nisur.  “Shumë nga ne kanë qenë të kërcënuar nga segmente të ndryshme të politikës dhe jo vetëm dhe disa pedagogë” pohojnë studnetët e Korccës.

Edhe studentët protestues të Gjirokastrës thonë se po përballen me kërcënime politike që kanë për qëllim të çorganizojnë rezistencën e tyre. “Disa ia kanë dalë që të heqin studentët nga kjo protestë.”

Studentët e Elbasanit, e kanë mbajtur gjallë frymën e protestës edhe gjatë ditëve të fundjavës, por edhe të hënën. Ata janë të bindur për ta mbështetur deri në fund. Ndaj të martën, pas grumbullimit në Elbasan thanë do të udhëtojnë për t’iu bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Krahas atyre që do të udhëtojnë drejt Kryeqytetit, të tjerë do të protestojnë para Universiteteve respektove në rrethe, ku presin tu bashkohen edhe maturantët dhe qytetarë të thjeshtë!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: