Orgesa Zaimi: Njerëzit janë lodhur me muzikë “fastfood”

Orgesa Zaimi: Njerëzit janë lodhur me muzikë “fastfood”
 

Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, këngëtarja e njohur Orgesa Zaimi: “Ajo që çalon në Shqipëri është që mungon dikush që të na ndihmojë, menaxheri artistik është shumë i rëndësishëm por këtu paragjykohet, këtu e shikojnë me një sy tallës kur një kolege ka menaxher por sa i domosdoshëm është ai rol. Por unë ende nuk kam gjetur të duhurin që të merret me produktet e mia, i kam bërë gjërat vetë gjithmonë dhe kjo është shumë e gabuar. Duhet investim mbi artistin, menaxheri, një studio, dikush që shikon tek ti një kapacitet dhe investon tek ti.”

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

E lindur dhe e rritur në Poliçan, shumë shpejt Orgesa Zaimi do të shndërrohej në vajzën e talentuar, të shkathët, unike në veshje dhe në stil muzikor. Një princeshë e rrokut dhe muzikës alternative. Profili i saj i veçantë qëndron në faktin se ajo kurrë nuk ka bërë kompromis me muzikën që bën dhe se e ndan jetën me shumë larmi mes mëmësisë, radios dhe muzikës, pa lëshuar pe në cilësi tek asnjëri pasion. Ky rrëfim i saj vjen ekskluzivisht për Albanian Free Press.

 

Je një nga garueset në Festivalin e Këngës në RTSH, me një këngë nga Genti Lako, “Hijet”, po prek një pjesë të njeriut që nuk është e lehtë...

Ka qenë një subjekt të cilin ne e diskutuam me Gentin, kompozitor dhe shkrues i tekstit të këngës. Ky diskutim përfundoi me realizimin e tekstit, duke e thjeshtëzuar po e them këtë. Kënga erdhi shumë organike, në bazë edhe të zhanreve muzikore që ne të dy preferojmë dhe kjo ka qenë kimia e parë me Genti Lakon. Në bazë të zhanrit vjen edhe tematika. Është nga ata muzikantë të cilët e ruajnë ende atë flamurin e muzikës alternative në Shqipëri. Mua më pëlqen shumë  që ai ta vazhdojë këtë gjë, sepse në Shqipëri janë shumë të rrallë njerëzit që bëjnë muzikë alternative, përveç Bojken Lakos. Është i pari, i vetmi e që nuk ndryshon kurrë. Unë disa kompromise i kam bërë, kam hyrë edhe në muzikën pop. Duke u rikthyer tek tema “me peshë të rëndë” e këngës, mua asnjëherë nuk më kanë pëlqyer temat e thjeshta dhe jam futur në procesin krijues gjithmonë kur ka të bëjë me subjektin. Më pëlqen që të mos jem shumë “limonadë” në tekst, nuk e kam  bërë asnjëherë këtë. Madje mund të them që në fillim teksti, mbi këtë temë, më ngjau i lehtë, por kur i bashkëngjitej ritmit të çmendur që bën Genti, pashë se i shkonte shumë. Ne e kemi diskutuar gjithmonë këtë temë, mendoj, edhe njerëzit e diskutojnë që pasi vdesim, çfarë bëhet me ne? A ka realisht njerëz që mbeten në këtë botë? Nuk është edhe aq kinematografi ose film fakti që njeriu vërtet e mendon, sidomos kur ke të bësh me njerëz të dashur, të afërm që të duket sikur të ndjekin, me praninë e tyre, janë aty me ty, edhe kur nuk janë më në jetë. Pak a shumë subjekti është për këtë.

Por një këngë e fortë edhe për një artiste si ti...

Po, ka qenë një sfidë edhe për mua. E kam mik Gentin, kemi pasur bashkëpunime jo vetëm për këngë në festival por edhe në studion e tij të produksionit. Por kur më telefonoi Genti unë e kisha me dyshim sepse e kisha vendosur që nuk do të merrja pjesë në festival.

Ka një arsye për këtë?

Vitin që shkoi unë isha pjesëmarrëse në festival me një këngë shumë të mirë, u bë shumë “evropian” festivali i vjetshëm, edhe nga pikëpamja e mbulimit mediatik, ato shkruan shumë për mua si favorite me këngën e vitit që shkoi. Kjo ma ngrohu zemrën e më erdhi shumë mirë që u prit kaq mirë. Ndaj pas saj, i thashë Gentit që o do të bënte një këngë të atij niveli ose do ta superonte. Në momentin që unë i fola kaq drejtpërdrejtë, pati një nxitje të madhe e më ka nisur një demo të mbaruar për 24 orë. E thashë edhe më lart, është kimia e përbashkët e rrymës alternative që na bashkon dhe nuk është zgjedhje. Ose e ke dhe e ndjen si zhanër ose e ke të pamundur ta zgjedhësh dhe të thuash që ec dhe e bëjmë një këngë alternative. Ka një bagazh të tërë pas kësaj rryme, nuk është kaq e thjeshtë për t’u realizuar e as interpretuar. Muzika pop është shumë e thjeshtë, e bën një të tillë sepse dy akorde ka kurse ajo alternative ka nevojë për më shumë njohje. Duhet të jesh tek bota e Bjork-ut, artiste që gjithashtu më lidh me Gentin. Pra nuk e kemi anashkaluar në asnjë moment procesin krijues edhe të tekstit, nuk bëmë vetëm një përshtatje me muzikën.

Po titulli “Hije” nga lindi, sepse ne të gjithë nuk i ikim dot hijes tonë...

Nuk po gjendej një titull i duhur, që të godiste që në fillim. Ashtu si ti e the, nuk ka të bëjë vetëm me atë botën e përtejme por ka të bëjë edhe me atë hijen për të cilën jemi kuriozë në vegjëli se përse na ndjek nga pas.

Por ndërkohë ishe në jurinë e të rinjve tek “Kënga Magjike”, më në fund një juri profesionistësh...

Këtë vit mendoj se artistët e rinj ishin shumë të mirë, në shumë raste edhe më të mirë se këngëtarët Big. Unë telefonatën e parë nga Ardit Gjebrea e kam marrë në korrik, imagjino se sa i qartë ka qenë Arditi në idenë e tij se këtë vit donte një juri më ndryshe se herët e tjera. Kur ma propozoi e pyeta nëse e kishte menduar mirë sepse unë jam ende e re. Më tha se ishte i sigurt sepse donte dikë që t’i thoshte gjërat siç ishin dhe i nevojitej energjia që përcillja. Më pëlqeu si ide e më pas u befasova nga talentet e mira që ndesha. Unë kam dalë vetë nga një talentshow, “Ethet”. Në një Shqipëri kaq të vogël ne kemi kaq shumë talente dhe ne juria kuptuam që ishim dëshmitarët e një gjëje shumë të mirë që po ndodhte. Kishim një dilemë të madhe në juri sepse do të kishim dashur të hynin sa më shumë në finale. Por edhe momentet miqësore me Manjola Nallbanin, Arben Skënderin, Armand Rexhepagiç dhe Orinda Hutën kanë qenë të jashtëzakonshme.

Ndërkohë ti vetë po konkurron në Festivalin e Këngës në RTSH, i cili nuk është shumë komercial, por po ruan shumë muzikën në larmishmërinë e saj. Mendon se duhet forcuar kjo panoramë e vetme e muzikës tuaj?

Ke shumë të drejtë sepse muzikën alternative nuk e bën dot tek “Kënga Magjike” sepse nuk e kuptojnë të gjithë, preferojnë muzikë më të lehtë. Për herë të parë kam marrë pjesë në festival me një këngë nga Diana Ziu, e cila kompozoi për mua një këngë shumë të bukur, me poezinë e Agron Tufës, kunatit tim të nderuar ha ha ha, bashkëshortit të motrës time. Mbresa ime nga ajo pjesëmarrje ishte madhështia që ndjeva, të cilën e kisha në mendje që në fëmijëri por nuk e ndjen derisa je brenda. Orkestra është ajo që e bën diferencën, në festivalin e RTSH-së, është një mrekulli që shoqërohesh nga një orkestër e madhe, këtë e them jo vetëm unë. Kur këndova me orkestër përjetova një përgjegjësi shumë të madhe dhe me seriozitetin më të madh të mundshëm. Ndërsa viti që shkoi, në duart e dyshes Pali Kuke-Adi Krasta ishe me një impakt ndryshe, më modern. Shikoj që këtë vit është po ajo ide kontemporane, me shumë rikthime artistësh të njohur. RTSH-ja të jep hapësirën, kjo edhe për të rinjtë që në skenë barazohen me ne. Ndihem pozitive këtë vit, ndihem komode sepse ndihem shumë në qejf kur këndoj këtë këngë.

Ke shumë vite që ushqen një tjetër pasion të madh tëndin, atë për radion. Sa vite u bënë që merresh me këtë magji?

Ngacmimet e para i kam pasur në Radio+2, aty kam filluar në një periudhë vere si folëse. Kur e kujtoj tani, qesh me veten, sepse kam pasur një zë të hollë e të paformuar, por më pas u bë i impostuar. Pata fatin që disa vajza të reja, ndër to Gerta Heta, më kanë mësuar shumë dhe më mbështetën. Kam kaluar edhe një eksperiencë në Kiss Fm e në fund erdha në Radio Club Fm ku po hyj në vitin e 8-të. Një dashuri radio që vërtetë nuk e lë dot, diçka që të shkëput nga çdo gjë tjetër që ti bën. Në momentin që unë flas në radio përpara atyre njerëzve që më ndjekin, dhe janë shumë fatmirësisht, ndjen diçka që nuk mund ta shpjegoj. Më bëjnë shpesh pyetjen se kë do të lija nga pasionet e mia, por unë i dua të gjitha pasionet e mia, nuk dua të lë asnjërën. Madje kur jam me pushime, edhe larg radios, më mungon diçka brenda meje. Puna në radio, për mua që jam këngëtare, është edhe shumë e mirë sepse unë zgjohem herët dhe kjo më bën mjaft mirë edhe për zërin.

Je nënë e dy fëmijëve që po rriten. Si arrin të përputhësh punën me kujdesin ndaj tyre?

Vajza ime është në klasë të parë ndërsa djali është 4 vjeç. Më ka ndihmuar shumë nëna ime por tani më ndihmon jashtëzakonisht bashkëshorti im, Mentori sepse kemi vendosur bashkërisht që ta ndajmë kohën me njëri-tjetrin e të kujdesemi të dy për fëmijët. Duam që të jemi ne të dy shumë të rëndësishëm në jetën e tyre, i respektojmë shumë gjyshërit ose tezen por duam që ata të ndiejnë e të kuptojnë që në këtë fazë të jetës kanë të dy prindërit pranë tyre. Java që unë kam qenë e impenjuar me “Këngën Magjike” ka qenë shumë e frikshme sepse unë kam qenë shumë e zënë, i lija në gjumë e i gjeja në gjumë.

Je nënë nga ato tipiket shqiptare?

Jam shumë e lidhur me fëmijët, shumë aprensive, dua të flas me ta e të jem pranë tyre sa më shumë, e bëjmë rrugën në këmbë me vajzën që në mëngjes që të bisedojmë. Unë jam një nënë e re por tani e kuptoj shumë nënë time, atë këmbënguljen e saj që unë të shikoja shkollën pikësëpari e më pas të merresha me “tralala” siç thoshte ajo, pra me këngën, ha ha ha.

Por babai yt është marrë me art...

Ai ka qenë drejtor i qendrës kulturore, është marrë me Festivalin e Gjirokastrës, me festivale fëmijësh, imagjino rekrutonte çobenj që t’i çonte në festival. Nëna ka qenë mësuese matematike dhe ka qenë shumë e rreptë në regjimin tonë dhe këtë unë e kam marrë prej saj. Prindërimi është një sfidë shumë e madhe, veçanërisht në këtë kohë kur “agjentë të jashtëm” ndikojnë në rritjen e tyre. Por pak nga pak po e kuptoj se shkolla duhet të jetë e para. Bora, vajza ime ka një vesh absolut edhe pse është shumë e ndrojtur, aq sa habitem duke qenë se unë kam qenë e para që dilja në publik. Nëse do të dëshironte një ditë që të merrej me muzikë, nuk do ta kundërshtoja, por për momentin dija vjen e para.

Përpara disa vitesh i ke lidhur disa “antena” me botën ndërkombëtare të muzikës. Ku qëndron vështirësia e lidhjeve të artistëve shqiptarë me diskografinë ndërkombëtare?

E para vështirësi është që jeton në një vend të vogël në një “botë” të vogël, mosbesimi, negativiteti dhe askush që të do të mirën, një familje ujqërish. Në nisje mendon se të gjithë të duan por më pas zhgënjehesh e unë jam një natyrë që i përjetoj shumë këto. E kam provuar eksperiencën evropiane dhe kam punuar seriozisht me muzikantë shumë të mirë. Projekti zviceran u punua në një studio shumë të mirë, në anglisht, u regjistrua në studion në Los Anxhelos ku shkojnë Adele dhe Beonce por ja që erdhën fëmijët e mi në këtë botë dhe unë u dhashë atyre përparësi. Mua më duhej të rrija në Evropë, të merresha me marketingun, një minitur po organizohej, por unë gjithmonë mendoja se do të shpenzoja shumë kohë larg familjes. Në momentin që u bëra nënë, për mua ndaloi bota. Ajo që çalon në Shqipëri është që mungon dikush që të na ndihmojë, menaxheri artistik është shumë i rëndësishëm por këtu paragjykohet, këtu e shikojnë me një sy tallës kur një kolege ka menaxher por sa i domosdoshëm është ai rol. Por unë ende nuk kam gjetur të duhurin që të merret me produktet e mia, i kam bërë gjërat vetë gjithmonë dhe kjo është shumë e gabuar. Duhet investim mbi artistin, menaxheri, një studio, dikush që shikon tek ti një kapacitet dhe investon tek ti.

Ti ke 12 vite që këndon live...këndon ende?

Po, këndoj por jo në një vend stabël por jam edhe shumë selektive, shkoj vetëm nëpër evente të qenësishme. Por këndoj edhe cover-a, edhe popullore qytetare madje, kur ma kërkojnë, edhe pse nuk është në karakterin tim. I kam përjetuar edhe kohët e arta të muzikës live në 2005 e deri në periudhën e krizës. Krizë sepse preferohen këngë playback, ende lulëzojnë këngët e “fastfood-it” si i quaj unë. Por është me zgjedhje. Unë personalisht nuk do të shkoja asnjëherë të shikoja një këngëtare që është gjysmë e zhveshur, këndon playback dhe njerëzit e shikojnë si ujqër për të ngrënë diçka të mirë. Unë jam për muzikën live ku artisti këndon me band. E dashuroj band-in dhe tingëllimin e muzikës së tillë, ka shumë njerëz që e dashurojnë. Pastaj në këngët e mia kam krijuar atë tipin tim artistik, nuk ka kompromis aty sepse nuk e kam ndjerë të nevojshme ta bëj. E dua suksesin dhe çfarë vjen me përfitimet prej tij por nuk jam në hall, s’kam pse bëj kompromise.

Mendon se të avantazhon fakti që je e vetmja këngëtare në llojin tënd?

Edhe kjo është, më pëlqen që t'i jap një ngjyrë të veçantë ylberit të muzikës. Këtë pa asnjë sforcim, kam qenë dhe jam kështu.

E kam pyetur veten gjithmonë, ku i gjen veshjet?

Më gjejnë ato mua ha ha ha. Shumë gjëra i kam sartori’, d.m.th të qepura. Unë jam kjo edhe në përditshmëri, e kam të vendosur në kokën time se çfarë do të vesh, si disa drita që të ndriçojnë në kokë. Kam qenë kështu që e vogël. Shikon kollare, jaka pa fund, kapele, në veshjet e mia si fëmijë. Kam qenë dhe jam e mendimit që detaji i veçantë e bën veshjen. Kur përballesha me dikë që kishte veshur diçka si timen, menjëherë e modifikoja, e doja unike veshjen, që fëmijë. Ka arritur deri aty saqë drejtoresha në gjimnaz më ka nxjerrë përpara shkollës sepse isha me xhinse të grisura dhe me ngjyra, edhe pse kam qenë nxënëse e dhjetës. Rrjedh lumi Osum në një drejtim? Unë kur lahesha në lumë, notoja kundër rrymës. Ta them sinqerisht.

Si një salmon?

Po, ha ha ha pikërisht.

Je duke realizuar diçka të re këto kohë?

Përsëri me Genti Lakon, i cili më propozoi kolonën zanore të filmit komedi “Dy gisht mjaltë”, me Ermal Mamaqin dhe Elvana Gjatën. Një eksperiencë fantastike për mua. Unë e adhuroj kinemanë, i adhuroj regjisorët italianë si Fellini, Tarantino, Bertolucci. Genti më tregoi disa pjesë të filmit dhe jemi futur në studio. Muzika goditi aq sa producenti turk e ka vendosur në trailer muzikën. Mendoj madje të vazhdojë ky bashkëpunim me muzikën e filmit.

Ka shpresë muzika e mirë në Shqipëri?

Ka shpresë por jo shumë të madhe, ka një dritë të vogël në fund të tunelit, jo një prozhektor të madh. Njerëzit janë lodhur me muzikë “fastfood-i”, shikoni talentet tek “Kënga magjike”, mjafton të dëgjosh Wendi Mancakun, kantautore aq e re, që vjen nga shkolla e muzikës, një shpresë për muzikën shqiptare. Janë të rinj të gatuar me muzikë të mirë. Kemi të rinj të talentuar por duhet t’u hapen dyert. Unë i kam hapur vetë dyert, me shumë forcë e këmbëngulje. Është një pjesë tek kënga “Hije” që thotë ‘institucione të braktisura më pritën sot, më lanë të hyja, më hapën derën përsëri’. Në këtë fazë jam unë, tani nuk pyes fare nëse më hapen dyert ose jo,  unë e bëj një derë vetë, e hap dhe e mbyll si të dua unë.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: