Mit’hat Frashëri, si u gjend në kahun e gabuar të historisë

Mit’hat Frashëri, si u gjend  në kahun e gabuar të historisë
 

Demagogjia sociale dhe ajo antizogiste, por edhe demagogjia e Shqipërisë së Madhe me Kosovë e Çamëri, si edhe demagogjia e gogolit komunist nuk ishin vetëm parulla të fashistëve italianë, por edhe të Ballit Kombëtar

 Ardhja e eshtrave të Mit’hat Frashërit pak kohw mw parw, u shoqërua me debate tw shumta. Nga disa u cilësua edhe si   një tjetër fletë partiture mbi historinë për t’u luajtur nga qeveria e Tiranës, përveçse asaj për debatin mbi festat e 28-29 Nëntorit. Por a ia vlente kjo sipërmarrje shtetërore për ta respektuar Mit’hat Frashërin? Ja disa fakte nga mediat nw kohw, qw flasin pwr veprimtarinw e vwrtetw tw krerëve të Ballit Kombëtar dhe si u gjendwn ata nw kahun e gabuar tw historisw...

***

Nëse i rikthehemi gazetës “Bashkimi” të vitit 1945, gazeta organ qendror i të ashtuquajturit Fronti Nacional-Çlirimtar, ajo flet pikërisht për veprimtarinë e krerëve të Ballit Kombëtar, si Qazim Koculi, Ali Këlcyrës, Sejfi Vllamasi dhe Mustafa Kruja, të cilët si anëtarë të Këshillit të Bashkimit Kombëtar kishin marrë një vendim qysh në vitin 1938. Atë për “të kërkuar një princ nga gjaku i Savojës për mbret të shqipëtarëvet”.

“Na të nënshkruemit:

Tue besue se përfaqësojmë vullnetin e shumicës së madhe të popullit shqiptar dhe tue e quajtur vehten përgjegjës moralisht për fatin e tij, të dedikuem mos me kursye asnjë mundim e fli për ta shpëtue nga rreziqet që i kërcënohen jetës së tij politike, ekonomike, shoqnore e morale dhe nga të zezat që e kanë pllakosur. Të bindun se rramja e burimi i të gjitha këtyne rreziqeve dhe të zezave asht regjimi i ferrit, i mjerimit, i turpit, dhe i tradhtisë, që ka ngrehun, ka më shumë se 14 vjet Ahmet Zogu. Të bindun gjithashtu nga provat e këtyne 15 vjetëve të fundit, si dhe nga situata ndërkombëtare që kemi sot parasysh dhe nga pozita gjeografike e vendit tonë, se vetëm duke u mbështetun në përkrahjen e qeverisë fashiste, munt ta shpëtojmë na popullin tonë prej regjimit të Zogut që asht burimi i të gjithë të zezave, se vetëm me ndihmën e Italisë që është e vetmja fuqi e madhe e interesueme drejt për së drejti në Shqipni, munt të sigurohet rimëkëmbja ekonomike dhe përparimi i qytetnuem i vendit tonë, se vetëm një miqësi e ngushtë dhe reale me Italinë fashiste mund të favorizojë aspiratat tona kombëtare si mbas frymës së re të Konferencës së Mynichut e të boshtit Romë-Berlin: Vendosi që të kërkojë një princ nga gjaku i Savojës për mbret të shqipëtarëvet dhe themelues të dinastisë së ardhëshme për monarkinë tonë.

Nënshkruem nga:

Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Ali Këlcyra”.

Por këtyre emrave u shtohen edhe Terenc Toçi, Shefqet Vërlaci, Qemal Vrioni, Xhafer Ypi, Fejzi Alizoti, Zef Sereqi, Mark Kodheli, Nush Bushati në Durrës Shefqet Çelkupa, Xhaferr Taga, Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Kol Tromara e të tjerë, që bënin pjesë në atë kohë në organizatën “Bashkimi Kombëtar” e më pas u bënë krerët kryesorë të “Ballit Kombëtar”. Demagogjia sociale dhe ajo antizogiste, por edhe demagogjia e Shqipërisë së Madhe me Kosovë e Çamëri, si edhe demagogjia e gogolit komunist nuk ishin vetëm parulla të fashistëve italianë, por ishin edhe parullat e të gjithë atyre që bashkëpunuan me pushtuesit. Kështu, kur pas luftës italo-greke prestigji ushtarak dhe politik i Italisë fashiste filloi të bjerë, klika e Mustafa Krujës doli hapur me demagogji e terror nëpërmjet milicisë. Internoi, burgosi e pushkatoi rininë dhe popullin. Ndërsa në qeverinë e Mustafa Krujës bënin pjesë ata që më vonë do të ishin krerët kryesorë të “Ballit Kombëtar” si Hasan Dosti, Qazim Koculi, Jup Kazazi, të cilët ishin ministra. Hasan Dosti, si ministër i Drejtësisë nxori ligje dragoniane dhe terrorriste të Mustafa Krujës. Bahri Omari dhe Kol Tromara, Rexhep Mitrovica ishin këshilltarë të shtetit. Ali Këlcyra bënte tregti të madhe me dërrasa dhe qymyr, por në fakt ishte më aktiv se këshilltarët e shtetit. Faik Quku dhe Rasim Babameto ishin prefektë dhe kryetarë bashkish, kurse të tjerë si Koço Muka, Azis Çami ishin kuestorë. Pra, siç del nga këto rreshta nuk besojmë se ka ndonjë dyshim që këta krerë të “Ballit Kombëtar” u gjetën rastësisht në krahun e gabuar të historisë.

Dokumenti tjetër komprometues

Edhe një fakt tjetër që jepet nga dokumenti “Notizario del giorno 8 Magio 1943, uficcio 1. del Comando Superiore Forze Armata Albania”, ku thuhet saktësisht: “Lajmërohemi se Ali Bej Këlcyra ka sukses të madh në shëtitjen propogandistike antikomuniste në krahinën e Gjirokastrës. Qeveria e Maliq Bushatit dhe Eqerem Libohovës kanë patur marrëdhënie shumë të mira me “Ballin Kombëtar”e veçanërisht me Mit’hat Frashërin, Ali Këlcyrën, Faik Qukun dhe Bahri Omarin, sipas dëshmive të Jakov Miles, Qemal Vrionit, Javer Hurshitit”.

Nga ana tjetër, Mit’hat Frashëri më 27 gusht të vitit 1943 i shkruante kështu Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, prej Lure ku kishte vajtur për të lidhur besën me bajraktarët kundra Lëvizjes Nacional-Çlirimtare: “Duhen organizuar skuadra nacionaliste, të rregulluara militarisht për të mbajtur qetësinë dhe për të ndaluar anarshinë në momentin që do tërhiqet ushtria italiane. Kjo pikë, si edhe forcimi i propagandës nacionaliste duhet të jetë kujdesi i veçantë i Ballit”. Kurse në një trakt të janarit 1944, me titull “Spitali Civil i Tiranës” shkruhej: “Më 18 tetor 1943, Qarkori i Ballit Kombëtar të Vlorës del me komunikatë: Në qoftë se vritet në qytetin e Vlorës ndonjë i Ballit Kombëtar, menjëherë si hakmarrje do të hidhen në erë shtëpia, ku hyjnë e dalin kriminelët dhe do të pushkatohen prej skuadrave tona pjesëtarët madhorë të atyre shtëpive. Në qoftë se nuk diktohen shtëpitë nga ku kriminelët hyjnë dhe dalin, atëherë nëpër rrugë e kudo që të gjenden, do të shtihet kundra atyre që njihen si komunistë”. Ndërkaq, ja seç udhëzime jep Mit’hat Frashëri kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komiteteve Krahinore me shkresën Nr. 87 d-11-II-1944 kur ofensiva e madhe e dimrit ishte lëshuar me furinë më të egër kundra zonave të lira të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare: “Duhet të kini kujdes të madh, që nëpër vendet e liruara të bëhet një“pastrim rrënjësor”.

Marrëveshja për bashkimin me Greqinë

Është fjala për një marrëveshje e cila u arrit në parim mes delegatëve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të botës politike greke, me dijeninë dhe aprovimin e qeverisë së Kajros.

Ish-kryeministri Koço Kota dhe Xhavit Leskoviku iu drejtuan disa faktorëve politikë grekë dhe propozuan që menjëherë mbas dëbimit të gjermanëve, të realizohej një bashkim federativ midis Greqisë dhe Shqipërisë nën kushtet si më poshtë: 1. Vorio-Epiri do t’i lëshohej pa kushte Greqisë dhe nuk do të përfshihej në marrëveshjet, të cilat do t’i përkisnin pjesës tjetër të Shqipërisë. 2. Shqipëria do të bënte pjesë në Mbretërinë Greke me disa të drejta autonomie, teksa do të gëzonte edhe lirinë e gjuhës dhe të fesë. Do të kishte një forcë xhandarmarie të vendit, që do të komandohej nga oficerë grekë. Populli shqiptar do kishte të drejtë të zgjidhte kryetarët e bashkive dhe komunave. Kurse Greqia do merrte përsipër përfaqësimin diplomatik të  Shqipërisë në botën e jashtme. Dhe në shkrimin tjetër me titull “Nga planet kriminale të armiqve të popullit” përshkruhet se cilët ishin personat që morën pjesë në këto bisedime. Kështu, ato iu ngarkuan një komision,i cili nga pala shqiptare përfaqësohej nga Koço Kota, Xhavit Leskoviku e Dhimitër Fallo. Por EAMI lajmëroi Partinë Komuniste Shqiptare, e cila arrestoi dhe e ekzekutoi në Korçë Dhimitër Fallon. Kurse Selim Mborja u ndoq, por mundi të ikte dhe të shpëtojë. Edhe ish- kryeministri Koço Kota, së bashku me Xhavit Leskovikun u ndoqën nga Partia Komuniste Shqiptare.

Përgatiti: Kastriot Kotoni

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: