Masterchef Arjan Ceka: Krishtlindjet, respektohet tradita por e risjellë në mënyrën tonë!

Masterchef Arjan Ceka: Krishtlindjet, respektohet tradita por e risjellë në mënyrën tonë!
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, Masterchef Arjan Ceka, fitues i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare në kulinari: “Të gatuash është art, por të zgjedhësh produktet është pjesa më e rëndësishme dhe më e vështirë.  Japim maksimumin, duke kërkuar prodhime ose produkte Bio me çdo kusht. Kemi kontakte me disa shitës të rrethinave të ndryshme të cilët na sigurojnë prodhimet më të mira që kanë.

Sot, kur çdo gjë po rritet brenda natës, ne duam t’u ofrojmë më të mirën e stinës, ndaj të na falni nëse ndodh që nuk përmbushim kërkesat tuaja në çdo kohë, por nëse ushqehesh Bio, menyja juaj diktohet nga stina.”

 

Fitues i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare, ku së fundmi u nderua me “Urdhrin e Meritës” nga “Shoqata botërore e Master Chefs”, Arjan Ceka është një nga përfaqësuesit më dinjitozë të kulinarisë shqiptare. Me dhjetëra vite eksperiencë, sot Chef Arjani, siç e njohin të gjithë, nuk i mban me xhelozi “sekretet e tija” për vete, ai përçon eksperiencën e tij, me shumë kujdes të veçantë, edhe tek brezat e rinj të të pasionuarve me gatimin. Në një kohë kur kuzhina shqiptare ka njohur një ripërpunim e përshtatje me atë botërore, Masterchef Arjan Ceka zgjedh të tregojë kujdes madhor me produktet që përdor, me detajet estetike që syri kërkon e mbi të gjitha me pjatanca ngjyrash e shijesh shumë fine në mish e në prodhime deti, me rigorozitet, Bio. Kërkuam një mendim prej tij mbi gatimet dhe tendencat në kulinari për këto Krishtlindje 2018.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 Çfarë recetash keni menduar që të përgatisni për vigjiljen e Krishtlindjeve si dhe drekën?

Simboli i festës së Krishtlindjeve, përveç dhuratave poshtë pemës që presin të hapen, është  gjeli i detit. Ndonëse për traditën tonë, gjeli gatuhet për festën e Vitit të Ri, në mbarë botën është pjata kryesore  e vigjiljeve. Normalisht kjo nuk do të mungojë në menynë tonë, edhe pse sjellë në një mënyrë ndryshe nga shijet që kemi provuar.

Unë personalisht preferoj menu të përzier me produkte deti dhe toke. Ndonjë sallatë oktapodi, karpaço levreku  dhe pjata të para rizoto me krem panxhari dhe fileto peshku.

 

Ka ndryshuar mentaliteti ne kuzhinë ose kërkesat e klientëve mbi pjatat e zgjedhura në festat e fundvitit?

Mentaliteti …le të themi më mirë mënyra e të shijuarit. Sigurisht  që po.

Njerëzit sa vijnë e bëhen më kërkues ndaj shijeve të reja. Tentojnë të provojnë shije specifike dhe kultura ushqimore të ndryshme. Kanë më tepër guxim dhe janë të gatshëm për risi.  P.sh gjelin tradicional të gatuar ndryshe nga përsheshi i traditës,  me përbërës të ri dhe një shije të këndshme, pse jo me lëkurë krokante të ëmbël me mjaltë dhe portokall, shoqëruar me një salcë marrë nga oshafet (kumbulle).

 

Cila është veçantia që i pret ata që di shijojnë gatimet tuaja këtë vit?

Çdo kush që vendos të shkojë në një restorant të caktuar, normalisht ndikohet nga menyja dhe veçantia e saj. Për çdo event unë personalisht mundohem të sjell shije dhe cilësi në produkt.

Siç e përmenda më sipër, e veçanta e menysë është përzierja e tradicionales me modernen, në gatimin e mbretit të tryezës, gjelit të detit.

 

Sa me kujdes zgjidhen produktet që përdorni dhe keni ndonjë sekret që mund të na e rrëfeni se si i zgjidhni produktet?

Të gatuash është art, por të zgjedhësh produktet është pjesa më e rëndësishme dhe më e vështirë.  Japim maksimumin, duke kërkuar prodhime ose produkte Bio me çdo kusht. Kemi kontakte me disa shitës të rrethinave të ndryshme të cilët na sigurojnë prodhimet më të mira që kanë.

Sot, kur çdo gjë po rritet brenda natës, ne duam t’u ofrojmë konsumatorëve më të mirën e stinës, ndaj të na falni nëse ndodh që nuk përmbushim kërkesat tuaja në çdo kohë, por nëse ushqehesh Bio, menyja juaj diktohet nga stina.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: