Bojken Lako: Prej vitesh thonë se muzika rrok do të vdesë, por ka diçka që e mban gjallë në çdo brez

Bojken Lako: Prej vitesh thonë se muzika rrok do të vdesë, por ka diçka që e mban gjallë në çdo brez
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press kantautori i njohur Bojken Lako: “Çdo këngëtar i një rryme të caktuar alternative, kur ka një projekt, edhe do të përshtatet. Komercialiteti është në shpirtin e suksesit të një krijimi, por artisti alternativ është i hapur për bashkëpunime por duke ruajtur përsëri linjën e vet. Pra, edhe ato produkte, këngë, krijim, kompozime, bashkëpunime, ku unë ose të tjerë artistë alternativë, jemi përshtatur, përsëri mbajnë vulën tonë, gjurmën tonë.”

Kantautori Bojken Lako mbërriti në vitin e tij të 25-të të karrierës dhe po e feston në mënyrën e tij, me një koncert recital në sallën e Akademisë së Arteve”. Unë e Bojkeni kemi qenë shok klase në shkollën famë-mirë të muzikës “Kongresi i Përmetit” dhe memoria ime nuk ka harruar djalin e vetëm të zyshë Mirës dhe aktorit të madh Bujar Lako, teksa i binte pianos dhe këndonte këngë të ndaluara për kohën. Virtuoz, i talentuar, me karakter mjaft të çiltër, aspak si një djalë i përkëdhelur, Bojken Lako, pavarësisht turbullirave që hasi brezi ynë pas ndërrimit të sistemeve, qëndroi në panoramën e muzikës shqiptare si një nga artistët më avangardë që kemi edhe sot. Në këtë përvjetor çerekshekulli, nuk mund të mungonte edhe intervista jonë si një bisedë miqsh të një brezi.

Intervsistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Bojken, 25 vite karrierë, një stad i rëndësishëm i aktivitetit të një artisti. Me se lidhet ky përvjetor?

Në mënyrë ekzakte, 25 vite karrierë në muzikë, janë në muajin maj, pra dëshira ime ishte që ky koncert recital të zhvillohej në maj. E lidh këtë me daljen e albumit tim të parë, më 9 maj 1993, në ditën e ditëlindjes së babait tim, Bujar Lako. Edhe në atë vit, më 1993, isha shumë i lumtur që qëllimi im që të publikohej një album në ditën e ditëlindjes së babait tim, u realizua. Por për shkaqe normale që në art dihen e njihen, u vonuam disa muaj. Janë shkaqe organizative dhe në pjesën e krijimtarisë. Por hera e parë që unë jam paraqitur në televizion ka qenë muaji dhjetor i viti 1992, pra 26 vite më parë.

Për mua që të njoh që në klasë të parë, karriera jote nis që në ato vite shkolle ku ti i bije pianos dhe këndoje këngë të Beatles, fshehurazi.....sa ka ndikuar në formimin tënd muzikor familja, një nënë muzikante e një baba aktor?

Po ndjej kënaqësi që po më kujton këto detaje e po më pyet për ato vite. Kam folur përciptazi për atë kohë edhe më parë por bashkë njihemi që në atë kohë. Për të vazhduar unë me muzikën ka qenë dëshira e të dy prindërve. Babai im ndonëse ishte aktor, ka pasur një ndjesi shumë të veçantë e të fuqishme të lidhur me përjetimin e muzikës dhe artistëve të muzikës. Ka spikatur fakti që Bujari ka ndjekur e pëlqyer artistë që nuk kishin fare me brezin e tij. P.sh në vitet ’90 kur doli në vizion Kurt Cobain, përfaqësuesi më i madh i rrymës “grunge”, Bujari atë kishte idhullin e tij. Pra ai e pëlqente shumë muzikën dhe e kishte ëndërr që fëmija e tij të bëhej muzikant. Pëlqente shumë pianon si instrument dhe besoj që ka që shumë dëshira e tij që unë të studioja pianon. Kësaj dëshire, normalisht, i bashkohej edhe ajo e nënës time, muzikante gjithashtu. Kjo është një pjesë e rëndësishme e orientimit tim në muzikë, por nuk është vetëm orientimi por kultura që mora prej tyre gjatë gjithë viteve të formimit tim. Njeriu ose artisti, meqenëse po flasim për artistin, besoj se në atë moshë formohet, nga 12 vjeç e deri në vazhdim, janë ato vitet kur nis dhe ndërton rrugën që i jep drejtimin e jetës. Në rastin tim, orientimi nga prindërit, edhe për atë që kam bërë, edhe për shijet muzikore, kanë qenë nga të dy prindërit. Ishin shije të cilat ata mendonin se ishin të bukura e me vlerë jo vetëm për veten e tyre por edhe për mua, në mënyrë që unë t’i thithja ato vlera. Gjithmonë, edhe në muzikën klasike, jam gatuar që të pëlqej dhe interpretoj disa kompozitorë të caktuar. Dikush pëlqente Bahun dhe Bethovenin, unë jam edukuar me krahun e Moxartit, pra talentit të paparashikueshëm. U orientova nga prindërit që të dalloja njerëzit të cilët kishin aftësi ose talent ekstrem, veçanti shumë të madhe. Mbaj mend p.sh që unë kam pas pëlqyer, në vitet fundi i ’80 fillimi i viteve ’90 grupin e madh “U2”. Babai im asnjëherë nuk pajtohej me këtë shije ose me ftohtësinë e zërit të solistit, ishte sipas, grup i mirë por nuk përcillte emocion. Kënaqej kur unë pëlqeja David Bowie ose Jim Morrisson dhe “The Doors”. Nuk kishte shumë kënaqësi kur unë dëgjoja Beatles por lumturohej kur unë dëgjoja Freddie Mercury dhe “Queen”. Pra unë jam gatuar me këtë artistin e fuqishëm emocionalisht, që përcjell vlera të mëdha. Pavarësisht kësaj, gjatë jetës time shkollore e në rini, i rrethuar me shokë, kam përqafuar shumë rryma, por 99% e asaj që pëlqej, vjen nga formimi dhe orientimi i atyre viteve.

Ndikon kjo në kompozimet e tua?

Eh, po, shumë, kur ulem e kompozoj, ose më rrjedh një kompozim imi i pamenduar, del një lloj miksi midis disa artistëve që unë kam dëgjuar në vitet ’80-’90.  Kjo nuk përputhet me shijet e bashkëmoshatarëve të mi në Europë, ata s’kanë shanse të kenë dëgjuar “The Doors” sepse i përkasin viteve ’70, pra në një kohë të shkurtër, brezi im dëgjoi muzikën e 30-40 viteve, të mbledhur bashkë, në 5-6 vite. Mbase kjo bëri që ky lloj stili eklektik të ndikojë karrierën tonë muzikore. Janë shpesh gjëra të pamenduara por brenda së cilave rrjedhin shijet e disa dekadave muzikë, del pak si çuditshëm dhe kjo nuk është meritë e imja por është shansi i momentit që unë u gjenda në kohë, në Shqipëri.

Në vitet kur mblidheshin në klasat e pianos dhe luanim “muzikë të huaj”, pavarësisht se kishe nënën mësuese në shkollë, ti pate një rebelizëm artistik. E ke ruajtur edhe më pas?

Rebelizëm në ide dhe kompozim, por edhe jam përshtatur ndonjëherë, por gjithmonë pa cenuar atë që jam. P.sh kënga e parë që kam nxjerrë në publik të gjerë, në festivalin e vitit 1999, “Asgjë e largët”, është një variant që e kam pasur komplet anglisht që në vitin 1996. Orkestrimi i mëparshëm ishte më alternativ, versioni i dytë u bë shqip, më i zbutur. Nëse kjo mund të quhet përshtatje, edhe jam përshtatur. Pra shpesh nuk kam mbajtur një rrok klasik.

Po ti thjesht i ke bërë këngët pak më të dëgjueshme për një publik më të gjerë mendoj....

Çdo këngëtar i një rryme të caktuar alternative, kur ka një projekt, edhe do të përshtatet. Komercialiteti është shpirti i suksesit të një krijimi, por përsëri artisti alternativ është i hapur për bashkëpunime por duke ruajtur përsëri linjën e vet. Pra, edhe ato produkte, këngë, krijim, kompozime, bashkëpunime, ku unë ose të tjerë artistë alternativë, jemi përshtatur, përsëri mbajnë vulën tonë, gjurmën tonë. Chris Cornel, që sot nuk jeton më, solisti “Soundgarden” bëri një bashkëpunim me Timbaland, por përsëri aty është gjurma e tij, sepse ai nuk dilte dot nga vetja. Edhe unë jam përshtatur aq sa më lejon fakti që të kem një publik më të gjerë.

Megjithatë ti njihesh edhe nga një publik më i ri, pse ndodh kjo?

Në tërë këto vite, është menduar se rroku, si rrymë muzikore, mund të vdesë. Por duke organizuar zbulon se ka një lloj energjie që jeton në çdo brez. Ka shumë të rinj që janë bij të prindërve që i kanë edukuar si unë. Po të hysh në rrjet shikon se ka shumë grupe që krijojnë ose interpretojnë rrok në botë. Përveç kësaj, për disa vete, kam bërë koncerte live me grup që kishte brenda 20 vjeçarë, morëm pjesë tek kënga magjike e lëvizje si këto.

Këtë vit je përsëri pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në RTSH. Më thuaj si erdhi kjo pjesëmarrje?

Për hir të së vërtetës, nuk desha shumë të isha pjesë e festivalit. E thënë popullorçe, vjen një kohë kur duhet me hap pak krahun. Në këtë vend nuk është se ka shumë skena që të rinjtë ose artistët me më pak vite karrierë të performojnë e të shpalosin talentin e tyre. Ku do dalin ata? Që të vetë-menaxhohet një artist do shumë para’. Nuk po them që aty të dalin të rinj që sapo kanë dalë nga shkolla, por pse jo mund të bëhet një superfestival me të rinj 28 deri në 32 vjeç. Këtë e pashë shumë nga afër kur isha vetë pjesë organizative e festivalit. Këtyre u them të rinj. Aq janë, Juela, 22 vetë, pra nuk është e lehtë të marrësh pjesë. Unë kam marrë pjesë shumë herë në festival e sinqerisht këtë herë nuk doja. Por ndjeva një dëshirë të madhe nga ata që më rrethoni që të isha pjesë dhe vendosa për po. Unë kam disa vite, që në vitin 2010 kur mora pjesë në festival dhe mendoja që edhe mund të shkoja në Eurosong, ishte një këngë e realizuar me disa miq nga Italia e jugut, një këngë interesante. Pas atij viti realisht, kanë qenë këngë të lehta, me të cilat kam pasur më tepër sukses, si një stacion i radhës për të paraqitur diçka më të dëgjueshme. Për këngën e këtij viti, i kërkova bashkëpunim një poeti shumë të njohur, pedagog i poezisë në New Mexico, kosovarit Xhevdet Bajraj. Është një figurë e poezisë në botë. I tregova se kisha një këngë për dashurinë dhe ai më ftoi që nga librat e tij të gjeja vargjet që preferoja. Ky është bashkëpunimi ynë i parë që unë, sinqerisht, dua shumë që, i ideuar si duhet, pse jo, të shtrihet edhe në disa këngë të reja, në një show muzikor.

 

Po dal pak nga tema, kërkoja foto mbi ty dhe më dilje gjithmonë me look të ndryshëm, sot të gjej me flokë të gjatë kapur bisht...

Me flokë të gjatë më donte shumë Bujari por edhe Mira, nëna ime. Por unë nuk besoj se do të rri dot pa ndryshuar sërish ha ha ha.

Ka qenë pjesë partnerja jote, Semi, në këtë recial?

Unë vjet kam qenë në një dilemë të madhe, a do të vazhdoj me muzikën apo të mos vazhdoj. Të iki diku jashtë apo të rri në Shqipëri. U puqa sërish me Alban Laron, kompozitorin që e kam mik prej shumë vitesh, një kompozitor nga më të mirët që kemi sot. Doli një bashkëpunim shumë i mirë me këngën për babin, Bujon, vjet në festival. Mendova dhe ja thashë që të shikonte thellë disa këngë të miat, 12 ose 13 këngë, e të sillte një përpunim të tyre. Ai nuk deshi të bënte thjesht një ndryshim në to, por preferoi t’i rikonceptonte nga e para. Pra t’ua prishte fare formën, si të jenë këngë të reja. Vendosëm të bënim një koncert dhe e nisëm këtë gjë, me 13 këngët e mia më të njohura. Por në punë e sipër pamë që donim diçka me shumë seriozitet, ndaj kur ta mbarojë recitali e ndërkohë edhe këto këngë të kenë përfunduar, të bëjmë një album, të regjistruar diku jashtë, e më pas të bëhet një koncert. Nga këto këngë, 6 prej tyre do të shfaqen në recital. Në të gjitha këto projekte të miat, Semi është pjesë, i di, merr pjesë e më mbështet, është menaxherja ime. Por vetë ajo ka lënë shumë pas veten e saj, po formohet shumë si artiste në pjesën e produksionit por si këngëtare nuk merret me veten e saj. Unë shpresoj shumë që kjo të jetë hera e fundit që ajo merret me mua dhe uroj që të fillojë të merret shumë me karrierën e saj.

Kësaj i thonë ta duash tjetrin në shumë dimensione, një dashuri e rrallë...jeni dy artistë në Shqipëri...

Ka dashuri të tilla plot dhe Shqipëria nuk është vend i keq, është vend i mirë por çdo gjë do vitet e veta.

I ke hedhur sytë jashtë ndonjëherë për muzikën?

Këto materialet që po bëj me Alban Laron edhe mund të shkojnë jashtë, është një muzikë që nuk ka kohë, një muzikë që nuk identifikon një shqiptar, një amerikan, një grek, një muzikë klasike e bashkuar me melodi rroku. Do tentoj ta çoj jashtë.

Po një përpunim i tillë ose bashkëpunim si ai me DJ e njohur Vin Veli mund të ndodhë përsëri?

Në fakt unë tani, mbas këtij koncerti recital, vetëm të tilla bashkëpunime do të bëj. Në duar kam edhe dy këngë të tjera me Vin Velin që kanë ca kohë dhe  duhen përfunduar. Po merrem pak me muzikën dance këto kohë. Edhe kënga që do të nxjerr në ditët e para të janarit quhet “Dance on the weekend”, pak si retrodance me një motiv pak popullor, një këngë për diskoteka.

Je instiktiv në krijimtari?

Jam shumë, krijoj me kitarë ose me piano dhe më rrjedh vetë muzika e në këto kohë është një muzikë dance por me shumë detaje nga ajo që folëm më parë, nga formimi im. Jam në një periudhë kur nuk e di, por kam nevojë të eksperimentoj, pse jo edhe me materiale të njerëzve të tjerë. Pra me këto këngë që janë punuar me Alban Laron ky kapitull i këtyre këngëve epike me definicione për jetën më duket se mbyllet.

Sepse je më i sigurt për atë që je dhe që do?

I sigurt jam vetëm për atë që kam përpara e që më sheh syri.

Këto vite je në drejtim të një institucioni të Bashkisë së Tiranës...

Nuk është një post, është një pozicion drejtues në një qendër rinore siç është Qendra “Ten”, pjesë e Bashkisë së Tiranës. Kam mbi 10 vite që unë zbuloj talente dhe kam dëshirë që t’i nxis të futen në rrugën e muzikës, jo si bamirës por si pjesë e profesionit tim. E kam bërë edhe në televizione me programe promovuese për muzikën. Paka nga pak kjo më hyri në qejf dhe tani them që ky është profesioni im i momentit, një lloj talentscouti ose promovuesi talentesh muzikore. Të qenit drejtor në Qendrën “Ten” në varësi të Bashkisë së Tiranës ishte një tjetër mundësi dhe kënaqësi sepse kam një kontakt më të drejtpërdrejtë me rininë. U bënë tre vite që unë merrem me një festival “Tirana rinfest” e gjithë këta njerëz me të cilët bashkëpunoj më kanë mbështetur, me sallat, me veglat etj. Pra nuk është një post por është ai vend ku unë mund të jap më shumë për atë qëllim që kam. Kjo më ka plotësuar, jam brenda natyrës time. Më ka ndodhur të kem bërë shumë punë që, në jetën normale, që nuk kanë pasur lidhje me formimin tim muzikor, kam xhiruar p.sh “Kutia e fundit” tek Klan, gjëra rutinë por për mua kjo është harxhim kohe. Ndaj them që këtu është vendi më i mirë sepse më ndihmon për aty ku dua të dal. Momentalisht po bashkëpunoj edhe në një radio online dhe aty po shikoj më nga afër se si funksionon industria muzikore. Janë punë ku unë kam edhe sodisfaksionin të puq hapësirat që më jepen me pasionin që kam për të promovuar talente të reja. Derisa të vijë një ditë që të kem kanalin tim dhe duke mbështetur një formë të muzikës së re që të qarkullojnë energji më të reja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: