Arritën titanet!

Arritën titanet!
Nga Juela Meçani

Festivali i Këngës në RTSH është shumë i dashur për publikun shqiptar, disa sepse i përkasin një brezi që kujton përpjekjet mbinjerëzore që të ishte një urë për modernizimin e Shqipërisë, kjo me Festivalin e dhimbshëm 11, disa kujtojnë zërat e mrekullueshëm të Vaçe Zelës, Irma Libohovës, Liliana Kondakçiut ose Ema Qazimit me shoqe, disa kujtojnë maestrinë e Avni Mulës e Gaqo Çakos, disa e identifikojnë me shkopin “magjik” të Ferdinand Dedës e disa, si unë, e kujtojnë me grupet e para të rrokut, me dëshirën për revolucion kulturor e politik në fillimin e viteve ’90. Festivali i Këngës në RTSH ka qenë, e për mua mbetet, një dashuri e madhe, nga ato të përjetshmet e të vetmet që nuk i lëkund as shkëlqimi i modës, as ndriçimet ose skenografitë të teknologjisë së fundit, as trendi i frikshëm i të bërit show për të bërë show, pa mesazh, pa profesionalizëm, pa talent. I marrë në duar nga shumë duar, festivali shpesh nuk i ka rezistuar kohës, është tulatur në indiferencën e publikut, në largimin e rinisë, në mungesë koncepti diskografik. Por përsëri, ashtu si një bukuroshe natyrale, erdhi koha që tregoi se me pak punë më shumë, mund të kthehej ai që kishte qenë. E dua festivalin ndoshta sepse kam qenë një nga prezantueset më të reja të tij dhe ende sot, pas 25 vitesh, atë sallë që më dukej madhështore, orkestrën që më mbushte shpirtin dhe artistët që më kalisnin me dije në rini, i kam të freskëta në memorie sikur të kishte ndodhur dje. Por mbi të gjitha, mendoj thellësisht se është e vetmja skenë që është e hapur për të gjitha rrymat muzikore, për të gjitha moshat, për të gjitha kohët. Ndaj më kuptoni se sa shumë u gëzova kur vura kufjet e dëgjova disa prej këngëve që do të kapërcejnë shkallët e do të jenë aty. Pas një sezoni “këngëtor” këngësh vaji, me femra të lëna, të trishta, të ulura në gjunjë, që luteshin që “ai” të mos ikte, ose që pyesnin se “kush ishte tjetra”, që e barazonin mashkullin me Zotin e që ja linin atij në dorë jetën e tyre, lumturinë dhe gjithçka, këto këngë ishin një çlirim. “Arritën titanet”, këtë mendova dhe pëshpërita, si një rikthim në filmin e famshëm e të vjetër por me emër të madh. Jonida Maliqi na ngacmon ndërgjegjen dhe me maestri në thërret të jetojmë me rrënjët e tokës ku lindëm, Eranda Libohova e ëmbël si mjalti me një baladë dashurie por që kurrsesi nuk të huton, të deh por nuk të humbet arsyen, Soni Malaj kapërcen malet me zë e ritëm dhe interpreton një himn për femrën shqiptare, që rrëzohet por ringrihet edhe më e fortë dhe Orgesa Zaimi me ritmin e çmendur të muzikës alternative prek botën e përtejme dhe “hijet” që na ndjekin kudo në jetë e prej të cilave nuk ikim dot. Ahhhh më në fund, frymëmarrje, melodi, poezi, ashtu siç muzika duhet të jetë. Një antidot kundër helmimit të muzikës që po ecën paralel me helmimin e shpirtit të shqiptarit. Zonja të muzikës, të ndërtuara me brumë të vet e që këtë fundvit do të jenë, me siguri, mbretëreshat e artit të vërtetë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: