“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoqja Elisa Spiropali zbulon: Skënderbeu nuk donte arsim falas!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoqja Elisa Spiropali zbulon: Skënderbeu nuk donte arsim falas!
Satirë

Të na falin lexuesit e rubrikës sonë që nuk po sjellim ndonjë lajm nga zgjedhjet në PD, apo edhe qoftë një ndodhi nga protestat e studentëve.

Këto mund t’i gjeni, kuptohet të ndara pro edhe kundër në palë politike, në gazeta të tjera ditore dhe natore.

Sot menduam të sjellim një historik të shkurtër rreth të debatuarës çështje, Arsimit Falas. Pyetjen a s'e ka përfunduar shoku Erion Veliaj universitetin apo jo, nuk do t'i përgjigjemi, pasi njerëz të përmasave të mëdha si shoku Erion, nuk kanë nevojë që ta përfundojnë atë. Kujtojmë madje se populli ynë, pavarësisht se shoku Enver nuk e kishte mbaruar universitetin në Monpelje, e deshi më shumë se shokët e tij. Kthehemi te ajo që thamë në fillim.

Ky lloj arsimi, i kundërshtuar fuqishëm me të drejtë nga socialistët e vërtetë të vendit tonë, e ka origjinën që në kohën e mesjetës. Telenovelat turke që janë shfaqur dhe priten të shfaqe dhe që kanë drithëruar dhe do shokojnë shikuesin, e kanë faktuar këtë gjë që po themi.

Ne po ju zbulojmë disa gjera, ekskluzivisht, nga telenovela që pritet të shfaqet së shpejti. Kur ushtria osmane erdhi në Arbëri, gjeja e parë që bëri ishte marrja e fëmijëve të vegjël nga familjet e tyre, me qëllim që t'i shkollonte ata falas, në të mirë të vendit tonë.

Mirëpo u vu re një fenomen. Arbërit nuk donin që t'i shkollonin fëmijët e tyre falas. Ata filluan që ta kundërshtonin me armë këtë gjë që po hynte në jetët e tyre.

Luftime të ashpra u zhvilluan midis arbërve që ishin kundër shkollimit falas dhe ushtrisë osmane dhe përpiqej për shkollimin e fëmijëve. Nuk po zgjatemi t'ju tregojmë se ç'hoqën Sulltanët që të shtonin numrin e fëmijëve që do çonin në shkollat falas në Stamboll. Këtë dhe të tjera jo si këto, do t'i mund t'i shikoni, siç ju spiunuam, në telenovelën më drithëruese të jetes së sulltan ... (emrin nuk po ja themi). Duke mbetur te ky argument: Një nga të parët që kundërshtoi arsimin falas, ishte babi i Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar. Sulltani u përpoq që t'i mbushte mendjen Gjonit që ta çonte djalin në Stamboll me studime falas, por ku i mbushej mendja atij. E meqë ra llafi te Skënderbeu. Faktet e zbuluara deri tani tregojnë se Gjergji u rrit nën frymën e mos dëshirës për arsimimin në veçanti dhe atë falas në përgjithësi.

Nëse nuk na besoni, pyesni shoqen Elisa Spiropali dhe ajo ja u sqaron këtë gjë. Dihet botërisht se Sulltani e mori, i dha ushqim në konvikt dhe arsim pa paguar asnjë mexhite, por Skënderbeu i iku dhe i la të gjitha ato dhe u kthye në vendin ku nuk kishte shkolla falas. Kjo tregon që Heroi ynë ishte kundër Arsimit Falas. Gjithsesi këto dhe të tjera si këto, do mund t'i shikoni në telenovelën drithëruese rreth jetës së Sulltanit, që u përpoq me mish e me xhan që ta përparonte miletin që kishte nën yçëm.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: