“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Erion Veliaj po parandalon vetëvrasjen

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Erion Veliaj po parandalon vetëvrasjen
Satirë

Rubrika jonë ka disa kohë që nuk ka llafosur me analistin e saj, ndaj menduam që ta hiqnim për pak çaste nga sauna që po bënte. Me të kryem një bisedë të këndshme dhe të hapur, në verandën e mbyllur.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku analist! Deshëm të dinim se ç'ju ka bërë përshtypje këto ditë?

Analisti: Ku e gjete atë telefon të shtrenjtë...?

Antena: Po pse talleni, i nderuar koleg. Ky telefoni që kam unë as sa një e dhjeta e telefonit tuaj që jeni i papunë, nuk kushton.

Analisti: Nuk të pyeta ty, or jo! Kështu e pyeti Rama atë studentin nga Vlora, i cili i tha; "... ti Kryeministër, ku i ke gjetur paratë për ndërtimin e vilës tënde?

Antena: Po kështu i tha. Ku qëndron problemi këtu?!

Analisti: Këtu problemi qëndron te paaftësia e qeverisë.

Antena: Nuk ju kuptoj. A mund të...?

Analisti: Nëse i riu do e kishte blerë telefonin e shtrenjtë me lekë krimi, do të thotë se policia në përgjithësi dhe qeveria që drejton këtë organ në veçanti, ka qenë e paaftë që të bënte të mundur kapjen e këtij personi. Apo po?

Antena: Kështu i bie me rregullin e treshit. Diçka rreth vizitës së shokut Erion Veliaj në Japoni, deshëm të na analizoni. Si mendoni, përse shkoi atje?

Analisti: Lajmi i përhapur se Rama nuk do ta kandidojë Erionin, është një goditje e madhe psikologjike për këtë të fundit. Dihet se në Japoni ka shumë vetëvrasje, për shkak të kulturës së tyre shekullore samuraje.

Antena: Po e vërtetë është kjo. Ju doni të thoni që...?

Analisti: Psikologët e këtij vendi janë nga më të mirët në shmangien e situatave të rënda. Ndaj shoku Erion ka shkuar të takojë ndonjë prej tyre, që të parandalojë stresin që do e pësojë, pas moskandidimit. Ka stres ai djalë dhe ka filluar të mos kontrollojë fjalët që flet.

Antena: Ç'doni të thoni shoku analist?

Analisti: E dëgjova kur erdhi nga Janina teksa tha që bashkia e tanishme, nuk është si e kaluara që paguante firmat, pa bërë punën. Kjo nxjerr bllof shokun Edi, kur thoshte për disa vite me radhë, që po paguante borxhet që i kishte lënë Saliu.

Antena: Lidhur me masat që mori shoku Edi për studentët. Mora vesh që iu uli kuotat financiarë të sistemit "baçellër". A mund të na...?

Analisti: E prisja këtë vendim prej tij. Kisha besim te ai djalë, d.m.th. tek Edi. Di të vlerësojë dhe është tolerant. Fundja ai i uli atij biznesmenit pa shkollë, vlerën e një kilometri rrugë. Nga 22.5 milionë euro ja bëri 22. E si mos t’ia u ulte studentëve me shkollë...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: