“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Arsim Falas si në Evropë?! What a F..K!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Arsim Falas si në Evropë?! What a F..K!
Satirë

Antena Jashtë Familjes ka menduar mos të vijë me ndonjë lajm të mirë. Kjo për arsye se ato kanë qenë të shumta dhe nuk dinim kë të veçonim. Sidomos lajmi i uljes së ekonomisë së vendit dhe pakësimi i udhëtarëve nga Kosova, na ka gëzuar pa masë...

Kthehemi te Arsimi Falas! Kjo ka qenë tema e diskutimit dhe e protestave të studentëve, deri para lak ditësh. Protesta që priten të kthehen pas energjive rinore të fituara pas ngrënies së kaposhit të fundvitit.

Rreth kësaj çështje, redaksia e rubrikës sonë u mblodh dhe vendosi të sjellë me fakte, zhvatjen që ju bëhet studentëve në shumë vende të Evropës.

Pa humbur kohë, po ju japim një kuriozitet që na vjen nga shteti verior me emrin Norvegji.

Në këtë vend, rroga mesatare mujore është 30 mijë korona, apo e thënë me monedhën që shqiptarët blejnë shtëpitë, përafërsisht 4 mijë euro. Në këtë shtet, një student është i detyruar që të paguajë çdo semestër nga 300 deri 600 korona, apo e thënë më thjeshtë, 32-64 euro. Kujtojmë se studentët kanë dy semestre.

E meqë nuk ra llafi. Në Gjermani studentët detyrohen të paguajnë 100 euro për semestër. Këto para mbulojnë edhe transportin e studentit dhe shërbimet logjistike në universitet.

Po ju japim socialistëve tanë një lajm të mirë. Në këtë vend ka zona me biografi të keqe.

E kemi llafin që edhe në Gjermani studentët paguajnë. Kjo ndodh që prej vjeshtës së vitit të kaluar, në shtetin Baden-Württemberg, zonë e i cila ndodhet në jug të vendit të tyre.

Studentët në këtë shtet janë të detyruar të paguajnë një shumë prej 1500 eurosh për semestër. Pra në shumatoren e vet, 3 mijë euro, në vitin studimor.

A e ka ulur cilësinë e universiteteve fakti që ato janë pa pagesë? Rilindësit që punojnë në redaksinë tonë, besojnë se po. Mirëpo si ata çuditërisht nuk beson bota që i vëzhgon, e cila rendit 40 universitete gjermane, në listën e më të mirave në planet.

E meqë prapë nuk ra llafi. Kalojmë në vendet veriore, apo siç i themi ndryshe, nordike. (Nuk preferuam të shkonim në Francë, pasi siç na tha shoqja Lindita Nikolla javën e kaluar, në atë vend studimet janë falas, se kot nuk e çoi çupën atje). Vizitën tonë e bëjmë në Islandë. Ky vend ka katër universitete publike. Studentët janë të detyruar të paguajnë 400 euro në vit.

Shkojmë tani në tre vende së bashku. Në Danimarkë, Suedi dhe Finlandë të rinjtë dhe të rejat nga vendet e BE-së, janë të detyruar që mos të paguajnë.

Një lajm i mirë vjen për të gjithë ata shqiptarë që duan të studiojnë doktoraturë. Studimi i këtij niveli në vendet e sipërpërmendura, bëhet pa patur nevojë të paguhet. Mesa kuptohet numri i doktorantëve në këto vend është i ulët dhe duan të shtojnë numrin e tyre, duke marrë kandidatë doktorantë nga vend të tjera. Kujdes! Kopjimi i doktoraturës atje është i vështirë, kështu që deputetët dhe pedagogët tanë duhet ta kenë parasysh këtë fakt.

Austria, vend ku jeton dhe vuan një prej socialistëve më të ndershëm, (nuk bëhet llafi për shokun Fatos), afron universitete falas. Mjafton që të jenë shtetas të vende të BE-së.

Për ata që duan të studiojnë master në to, gjerat bëhen më të vështira. Këtu nuk të falin fare. Studentët janë të detyruar të paguajnë plot 363 euro për semestër. Ndërsa për studentët si puna e shqiptarëve që nuk janë bashkim-evropianas, çmimi dyfishohet.

Belgjika, është një tjetër vend ku çmimet janë të kripura, si vetë toka e tyre që para disa dekadave përmbytej prej detit. Studentët e këtij vendi si edhe bashkim-evropianasit e tjerë, janë të detyruar të paguajnë, e shumta 835 euro në vit.

Greqia...! Për këtë vend nuk po flasim, se nuk ma mban se mos më quajnë të shitur...

Italia. Këtu qëndrojmë sa të duam, meqë kemi plot shqiptarë me emrin Kristiano, që edhe po të mbetemi në rrugë, janë të gatshëm që të na hapin derën. Studentët italianë janë të detyruar të paguajnë si Çeçua, apo siç i thonë në Itali, Çeçiano.

Kuota në këto universitete shkon nga 850 euro deri 1000 euro, për një vit studimor.

Si përfundim: Arsimi i Lartë në Shqipëri ka qenë një luks, e si për çdo gjë luksi, shqiptarët janë të mendimit që ja vlejnë të paguajnë, siç thotë populli, "sa shqiptari pulën".

Nuk po e themi fjalën "frëngu" pasi iç e kemi thënë frëngët nuk paguajnë shumë për arsimin e lartë. Në mbyllje fare; Siç edhe e paraqitëm, pak prej vendeve evropiane afrojnë çmime të lira, apo studime falas për studentët. Kështu që, "What a F*ck!" na duhet, që të bëhemi si ata!

Post Scriptum: Për këtë artikull u shfrytëzuan shumë artikuj nga botime të huaja, të cilat vetëm budallenj të tillë si gazetarë të redaksisë sonë, marrin mundimin t'i nxjerrin.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: