Reinaldo Gaçi: Jam shumë i rreptë me veten

Reinaldo Gaçi: Jam shumë i rreptë me veten
Flet pjesëmarrësi në festivalin “Kënga magjike”, këngëtari Reinaldo Gaçi: “Kritika pranoj vetëm nga njerëz që vërtetë janë të aftë për të dhënë një kritikë. Pastaj varet se çfarë kritike. Nëse ka të bëjë me profesionin tim, unë jam shumë i rreptë me veten time dhe sigurisht që s’do ta lija të gabonte. Nga miq të afërt dhe nga familja është normale të pranoj dhe dëgjoj kritika, pasi janë të vetmit që realisht mi thonë për t’u përmirësuar, diku, në ndonjë detaj të vogël.”

Me baladën “Ku je”, këngëtari Reinaldo Gaçi u ngjit përsëri në skenën e festivalit “Kënga Magjike”. Me një zë të plotë e të shtruar, një veshje shumë stil dhe me romantikë në interpretim, Reinaldo Gaçi vjen me përpjekjen e tij për të sjellë edhe një herë një këngë profesionale e me mesazh. Reinaldo këndon live në evente në ambientet e muzikës live e kjo, siç thotë ai, nuk e lodh aspak. Ky është rrëfimi i tij mbi emocionet e këtij fundviti.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Në një intervistë të rreth një viti më parë, më the që do të shkoje sërish me kënaqësi në Festivalin “Kënga Magjike” dhe e mbajte fjalën. Si erdhi kënga e këtij viti?

Po, mora pjesë përsëri. Duke qenë se kënga erdhi shumë rastësisht, duke ndenjur në studio me profesorin tim, i cili është edhe kompozitori i këngës, Ulis Krajka, vendosëm ta prezantonim tek “Kënga Magjike”. Ishte një krijim spontan do ta thosha, por që mori shumë peshë, si projekt, duke u punuar.

Kënga “Ku je” është një baladë dashurie ku një djalë lufton për dashurinë. Vetë ti a ke luftuar për dashurinë ose a do të luftoje?

Në fakt, teksti nuk ka lidhje me mua apo me gjendjen time. Por duke qenë se melodia e këngës erdhi si një baladë e dhimbshme, besoj se nuk do t’i shkonte tekst tjetër.

Unë patjetër që po. Nëse do të duhej, do të luftoja për dashurinë time.

Përsëri tek kënga jote e fundit, është një këngë festivalore që na kujton muzikën e lehtë shqiptare të festivaleve për të cilat kemi nostalgji. Por ti je një djalë i ri, vetëm 23 vjeçar. Si u ndjeve në këtë baladë?

U ndjeva shumë mirë. Në çdo material që marr përsipër të këndoj, mundohem të jap më të mirën dhe besoj se këtu kam dhënë më të mirën!

Je një djalë sarandjot, nga sa lexova. Sa vend zë brenda teje qyteti i bukur bregdetar?

Unë s’jam nga Saranda. Kam lindur dhe jam rritur në Delvinë. Por

10 vitet e fundit të jetës sime në Sarandë, kanë qenë më të bukurat dhe normalisht që zë një vend shumë të veçantë tek unë. Janë kujtimet, njerëzit, eksperiencat në atë qytet, që nuk më lënë ta harroj.

Ti këndon live, në këtë periudhë, si vetë e ke deklaruar, 4 herë në javë. Sa mendon se kjo të ndihmon për formimin e zërit dhe perfeksionimin e performancës?

Po, unë këndoj muzikë live 4 herë në javë. Realisht është lodhje vokale, por, ushtrimet e kordave të mija, që kam shumë vite që i bëj, më ndihmojnë të përballoj lodhjen. Zëri im është formuar tashmë, por kjo është e bukura e këngëtarit. Deri sa të këndoj në ditën e fundit në skenë, zëri i merr mësimet, perfeksionohet..është një enigmë kjo pjesë. Sa më shumë të këndosh, aq më shumë gjëra zbulon rreth vokalit.

Por a nuk është një ngarkesë e madhe emocionale e fizike? Si e përballon?

Në fakt jam vetëm 23 vjeçar dhe trupi më përgjigjet shumë mirë. Realisht unë nuk ndiej asnjë lodhje kur jam në punë.

Reinaldo, veshja jote ishte shumë e veçantë, një komplet mashkullor por me detaje të gjetura. Si e përzgjodhe atë?

U bë shumë kohë tashmë, që veshjet të cilat vesh, ose do bëhen nga unë, ose do jem unë ai që do ta vendos se si do bëhet. Në këtë rast, bashkëpunova me një atelie franceze, por që modeli, detajet, janë zgjedhur nga unë.

Ka kaluar një vit nga biseda jonë e fundit. Si ka rrjedhur kjo kohë për ty, cilat janë të rejat e saj?

Po të hedh një vështrim, asgjë ndryshe, asgje woowww. Thjesht kam netë live më shumë, punë më shumë, dhe mundohem të jem sa më aktiv në performancat e mija.

Në këto periudha të ngarkuara, ku e gjen prehjen?

Normalisht që familja. Ama kaloj shumë kohë në studio, duke kënduar, në palestër gjithashtu, mundohem mos të rri në një vend, sepse mërzitëm shpejt.

A ka ndonjë tipar të karakterit tënd që do ta ndryshoje?

Ka pasur dikur, tani jam shumë komfort me veten time. Defekte kam, por ndihem mirë. Për momentin nuk dua të ndryshoj asgjë.

Si i ke raportet me kritikat? I pranon ato?

Kritika pranoj vetëm nga njerëz që vërtetë janë të aftë për të dhënë një kritikë. Pastaj varet se çfarë kritike. Nëse ka të bëjë me profesionin tim, unë jam shumë i rreptë me veten time dhe sigurisht që s’do ta lija të gabonte. Nga miq të afërt dhe nga familja është normale të pranoj dhe dëgjoj kritika, pasi janë të vetmit që realisht mi thonë për t’u përmirësuar, diku, në ndonjë detaj të vogël.

Jam kurioze, si i keni marrëdhëniet me kolegët e tjerë në kompeticion, p.sh a pini kafe bashkë, a diskutoni mbi këngët? Pra, a shoqëroheni edhe jashtë aktiviteteve?

Ka disa këngëtarë me të cilët mbaj një lloj komunikimi, por kafe s’kam pirë me asnjë. Ndoshta jam unë ai që s’ia vë detyrë vetes për t’i ftuar në kafe, por pastaj mendoj, po pse s’me ftojnë ata??! Hahaha dhe kështu mbetet kafja pa pirë, e bisedat pa u bërë.

Po vijnë festat e fundvitit. Ku mendon se do t’i kalosh ato?

Kam një mendim për jashtë, por duke qenë se festat dua t’i festoj me familjen time, nuk e di nëse do jenë të lirë për të ardhur me mua jashtë shtetit, për shkak të punës. Por edhe nëse nuk ikim, në jemi familje që dimë shumë mirë çfarë na bën të kalojmë bukur dhe të ndihemi të lumtur, kudo të jemi.

Ku je me dëshirën tënde për të hedhur sytë nga trego ndërkombëtar?

Dëshira nuk do të iki kurrë për tregun ndërkombëtar. Gjithashtu dhe përpjekja ime s’do jetë asnjëherë më pak se ç'është tani.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: