Qeveria: Tatim për të gjitha pagat e vogla

Qeveria: Tatim për të gjitha pagat e vogla
Pas pesë vitesh që nuk kanë paguar asnjë taksë për pagat nën 30 mijë lekë, punonjësit duhet të bëhen gati se qeveria mund t’i taksojë edhe për ato. Ajo paraqiti dje dy propozimet konkrete sesi mund ta realizojë një gjë të tillë: 1. Uljen e pragut për tatimin mbi të ardhurat personale nga 30 mijë lekë që është aktualisht, në 10 mijë lekë. 2. Futjen në sistemin fiskal të të gjitha pagave në rang vendi, si në shtet dhe në privat, duke paguar 1.5% taksë

Prej mëse pesë vitesh, të gjithë të punësuarit e këtij vendi, në shtet apo në privat, nuk i kanë paguar asnjë lek shtetit nëse e kanë patur pagën deri në 30 mijë lekë në muaj. Por mesa duket, ky realitet financiar i tyre do të ndryshojë, duke nisur nga viti i ardhshëm, 2019. Kjo pasi qeveria tashmë ka hedhur në “tavolinë” propozimet për një taksim të ri të kësaj kategorie, e cila që prej vitit 2013 nuk ka patur asnjë barrë fiskale...

Konkretisht, përmes ministrit të saj të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje publikut i janë paraqitur dy të tilla sesi mund të taksohen të gjithë punonjësit që përfitojnë një pagë, edhe nën 30 mijë lekë në muaj.

Propozimi i parë është ai që të ulet pragu i pagës së patatueshme, nga 30 mijë lekë që është aktualisht, në 10 mijë lekë. E thënë më thjesht, duke nisur nga 1 janari 2019, do të taksohen të gjitha pagat nga 10 mijë lekë në muaj e lart. Duke lënë me barrën fiskale zero, vetëm ato nën 10 mijë lekë.

Kurse propozimi i dytë që përfaqësuesi i qeverisë paraqiti dje para deputetëve, në kuadrin e diskutimeve të projekt-buxhetit 2019, ishte pikërisht ai futjes në sistem fiskal të të gjithëve të punësuarve në vend, si në shtet dhe në privat, duke paguar një taksë në nivelin prej 1.5% për të gjithë. Këtë, ai e argumentoi me faktin se rreth 55% e të punësuarve janë jashtë sistemit fiskal dhe me një masë të tillë, ata do të figurojnë tani e tutje brenda tij, me një pagesë simbolike dhe që sipas tij nuk përbën aspak ngarkesë për ta.

“55% e të punësuarve që janë jashtë sistemit fiskal, nuk kontribuojnë përmes tatimit mbi të ardhurat personale. Unë e kam bërë një propozim, që t’i fusim të gjithë si kontribues me 1.5% të të ardhurave personale dhe bëjmë gjithë gamën e të punësuarve brenda sistemit kontributiv fiskal”, u shpreh konkretisht ministri Ahmetaj rreth një fakti të tillë. Pa përjashtuar as variantin tjetër, që sipas tij, “besoj se mund të maturojmë një propozim, që ta ulim pragun, nga 300 mijë lekë në muaj, ta çojmë 100 mijë lekë në muaj”, për pagesën e tatimit mbi të ardhurat.

Por në fakt, ministri nuk ka bërë me dije dje efektet reale financiare që mund të ketë zbatimi i kësaj mase. Teksa vetë të punësuarit janë në gjendje ta nxjerrin një të tillë, nëse llogarisin sesa mund t’u mbahet nga shteti prej pagës së tyre, duke nisur nga viti i ardhshëm.

Për shembull, të gjithë ata që përfitojnë sot një pagë minimale, prej 24 mijë lekësh, me formulën e lartpërmendur të qeverisë, pra me taksimin në nivelin prej 1.5%, i bie t’u mbahen 360 lekë çdo muaj. Kurse ata që sot marrin një pagë prej 30 mijë lekësh dhe realisht nuk paguajnë asnjë taksë ndaj shtetit, i bie t’u mbahen 450 mijë lekë çdo muaj. Pak a shumë në fakt, sa ç’është edhe rritja e pagave edhe kur ajo realizohet prej qeverive. Apo edhe rritja e normës së përvitshme të inflacionit, e thënë ndryshe e çmimeve të mallrave të shportës së konsumit.

 

 

FONDET

Buxheti 2019, rritje pagash për ushtarakët, diplomatët, etj

Rritje pagash për disa kategori të veçanta të shoqërisë shqiptare. Kjo është ajo çka parashikon buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, projekti i të cilit gjendet ende në fazë diskutimi. Kështu, njëra kategori që përfiton prej tij është ajo e ushtarakëve, fakt ky që u bë me dije nga kryeministri Edi Rama. “Kemi rritje page me 19% për ushtarët, duke e shkallëzuar atë më tutje sipas të gjitha niveleve. Kjo është rritja më e madhe e pagave e bërë në historinë e Forcave të Armatosura”, tha ai. Teksa gjatë vitit të ardhshëm është parashikuar edhe një rritje pagash për të gjithë diplomatët, deri në nivelin prej 20% të atyre aktuale. Por rritje page do të ketë edhe për 4.650 mjekë, 13.765 infermierë, me një efekt  financiar për buxhetin që është llogaritur në 1.4 miliardë lekë në një vit. Ndërkohë, 35 mijë mësues dhe edukatorë do kenë rritje pagash deri në 7%, me një efekt financiar vjetor për buxhetin në vlerën e 1.5 miliardë lekëve.

 

DEBATI

PS, në unison me opozitën: Pa taksa, pagat mbi 40 mijë lekë

Ndryshe nga qeveria që propozon një taksim të ri për pagat, deputetët kërkojnë rritje të pragut të atyre që nuk taksohen. Konkretisht, ata i kanë paraqitur dje ministrit Ahmetaj kërkesën e tyre që të rritet pragu i patatueshmërisë së pagave, nga 30 mijë lekë që është deri tani, në 40 mijë lekë. Dhe e veçanta e kësaj kërkese ka qenë pikërisht fakti se ajo ka bërë së bashku, si deputetët e mazhorancës, edhe ata të opozitës. Kujtojmë sakaq, se deputetja socialiste Blerina Gjylameti para pak ditësh ka paraqitur në Kuvend propozimin në fjalë, për rritjen e pragut të pagës minimale që tatohet, me qëllimin sipas saj të mbrojtjes së pagave më të ulëta. Por edhe në linjë me parimin e taksimit të ndershëm, kush fiton me pak paguan më pak, si edhe për të rritur përfitimet për ata qe kanë paga të ulëta.

 

 

 

 

 

Lehtësira fiskale për pagat e larta, përfitojnë vetëm zyrtarët e lartë

Qeveria ka parashikuar lehtësira fiskale për disa paga gjatë vitit të ardhshëm, në projektbuxhetin 2019. Por ajo që bie në sy është fakti se prej tyre përfitojnë vetëm zyrtarët e lartë, në rangje drejtorësh, deputetësh etj. Të cilët në fakt, janë të paktë në numër dhe jo shtresa të gjera të popullatës siç janë ata që paguhen me pagë minimale, apo ata në kufijtë e 30-70 mijë lekësh. Konkretisht, sipas rritjes së re të parashikuar nga qeveria, janë 15.400 punëmarrës, sipas qeverisë, që do të përfitojnë nga ulja e tatimit të të ardhurave nga paga përmes zgjerimit të fashës që tatohet me 13%, duke e çuar kufirin e pagës nga 130 mijë lekë në muaj, në 150 mijë lekë në muaj.

Efekti vjetor në buxhet që llogaritet nga një masë e tillë është -2.5 milionë euro.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: