Biznesi: Shteti nuk po i kontrollon karburantet, çmimet veç po rriten

Biznesi: Shteti nuk po i kontrollon  karburantet, çmimet veç po rriten
Ndërsa në botë, çmimet e karburanteve bien, në Shqipëri ato veç rriten. Por edhe cilësia e tyre lë ende për të dëshiruar. Një shqetësim ky i vazhdueshëm për publikun shqiptar, por që këtë herë ngrihet nga vetë biznesi, i cili fajin për gjithë këtë situatë, ia faturon shtetit. Konkretisht, ka qenë organizata e njohur e biznesit “Konfindustria”, e cila ka apeluar dje publikisht për atë që ajo e cilëson si mungesë të shtetit në kontrollin e sektorit të karburanteve. “Vazhdimësi e mungesës së plotë të rolit rregullator dhe kontrollues të institucioneve shtetërore për çmimet e larta dhe cilësinë e dobët të karburanteve në tregun shqiptar”, e ka konsideruar ajo atë që po ndodh realisht në këtë treg, i cili siguron jo pak, por mbi 1 miliard euro/vit qarkullim dhe afro 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke marrë më tej në analizë faktin se gjatë muajit tetor në të gjitha tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës ka rënë me një çmim prej 10 dollarësh për ton. “Ndërkohë, që në Shqipëri ndodhi e kundërta. Çmimi i karburanteve në pikat e pakicës gjatë muajit tetor është rritur në të paktën 10 lek/litër”, sqaron Konfindustria. Duke shtuar se edhe gjatë këtij muaji “vazhdon e njëjta kahje rënëse e çmimeve të karburantit në tregjet ndërkombëtare dhe dukuria e mospasqyrimit aspak të saj në tregun vendor”. Njësoj në fakt siç ka ndodhur rëndom gjatë viteve në Shqipëri, kur konsumatori është përballur me çmime mjaft të larta të naftës dhe benzinës, edhe pse nga arena ndërkombëtare kanë mbërritur lajme të mira për uljen e tyre. “Shqipëria radhitet në 25 vendet e para në botë dhe nga më të lartët në Europë për çmimin e karburanteve”, është një tjetër konstatim që jepet nga përfaqësuesit e biznesit. Për të vijuar me shqetësimin se “rritja e çmimit të karburanteve kryhet nga të gjithë operatorët e tregut në të njëjtën ditë”. Çka flet nbë këtë mënyrë për një politikë të bashkërenduar mes tyre për t’i imponuar çmimet e larta tregut.

10

Lekë/litër u rrit çmimi i karburanteve në vendin tonë gjatë muajit tetor, në një kohë, kur tregu ndërkombëtar njohu një ulje të tyre në nivelin prej 10%, po në të njëjtën periudhë

1

Miliard euro qarkullimnë vit dhe afro 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto arrin të sigurojë sektori i karburanteve në vendin tonë, duke qenë një “motorr” i fuqishëm i ekonomisë vendase

Propozimet: Të ngrihet Enti Rregullator i

Karburanteve, të ulet 50% taksa e qarkullimit

 

“Konfindustria, me rastin e Paketës Fiskale 2019, me qëllim përmirësimin e gjendjes së papranueshme në tregun e karburanteve në Shqipëri kërkon zyrtarisht: Ngritjen dhe funksionimin e Entit Regullator të Karburanteve përgjegjës për cmimin tavan dhe cilësinë, si edhe uljen më 50% e taksës së qarkullimit, që sot arrin në 120 milion euro/vit”. Këto janë dy propozimet që mbërrijnë nga organizata e biznesit, në lidhje me atë që ao e cilëson si çrregullim të tregut të karburanteve në vend. Duke pretenduar në këtë mënyrë, se me këto dy masa mund të zgjidhet problemi i luhatshmërisë së çmimeve të karburanteve në tregun vendas, por në të njëjtën kohë, edhe ai i përmirësimit të cilësisë së produkteve të tyre. Ku për këtë të fundit, përfaqësuesit e biznesit pohojnë se “cilësia e karburanteve, sidomos kur është në qarkullim prodhimi i vendit, është në shumicë dërrmuese jashtë cdo standarti minimal ndërkombëtar të lejuar”. Të mos harrojmë sakaq, se në vend ekziston tashmë një Inspektoriat Qendror Teknik, i cili merret pikërisht me hetimin e cilësisë së karburanteve që tregohen në vend.

Taksat e shumta mbi karburantet, jemi

akoma me çmimet më të larta në botë

 

Në një renditje të pak muajve më parë, sipas “Global Petroleum Prices”, Shqipëria renditej si vendi i 13-të me çmimin më të lartë të naftës në botë. Aktualisht, qytetarët shqiptarët paguajnë mesatarisht 180 lekë, ose 1.5 euro për një litër naftë, më shumë se në vende të zhvilluara si Gjermania, Italia etj. Dhe kjo, sipas ekspertëve shpjegohet me faktin se biznesi i karburanteve në Shqipëri taksohet më shumë sesa tek ato, apo edhe në vendet fqinje të rajonit. Sipas përllogaritjes së Shoqatës së Hidrokarbureve, sistemi i taksave që ne përdorim në karburante është më i larti dhe kemi disa taksa të veçanta që nuk aplikohen në vende të tjera. Duke dhënë edhe një shifër konkrete deri në 110 lekë për çdo litër karburanti, i cili përdoret si taksë ndaj shtetit, në forma të ndryshme të tyre, si ajo e qarkullimit, etj. Arsye kjo vendimtare, e cila bën që produktet e karburantit në tërësinë e tyre të jenë më të larta në Shqipëri se në vendet e tjera. Të mos harrojmë sakaq, se së fundmi u përfol edhe vendosja e një takse të re, siç ishte ajo e kontrollit të pompave të karburantit, e cila do t’i kalojë privatit dhe do të përbëjë natyrisht një kosto shtesë për biznesin e karburanteve.

“Edhe kur ndodh

 rënia e çmimeve në botë,

reflektohet me vonesë te ne”

Nga ana tjetër, po sipas Konfindustria-s, edhe kur ndodh rënia e çmimeve të karburanteve në ndonjë moment sezonal të caktuar, përsëri konsumatorët shqiptarë nuk arrijnë të përfitojnë prej saj, pasi “rënia e çmimeve në tregjet e huaja shfaqet e vonuar në tregun shqiptar”. Që të gjitha këto, sipas biznesit, tregues të qartë të shkallës së ulët së konkurrencës dhe të pranisë së kartelit në tregun më të madh të ekonomisë së vendit, i cili siguron jo pak, por mbi 1 miliard euro/vit qarkullim dhe afro 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: