POPULL I DASHURUAR PËR VDEKJE - OP-ED NË ‘ALBANIAN FREE PRESS’ - Nga FRROK ÇUPI

POPULL I DASHURUAR PËR VDEKJE - OP-ED NË ‘ALBANIAN FREE PRESS’ - Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Jo vetëm pse njëri nga politikanët kryesor të vendit i tha popullit se "po të dojë populli"  do të kthejë ligjin e dënimit me vdekje, por edhe se në çdo moment politika është gati t'i betohet popullit pa e ditur se për çfarë. Kaq shumë e do politika popullin.

Nëse populli do të kishte një gojë të vetme dhe t'u bënte pyetje politikanëve të vet se sa shumë e dashurojnë, atëherë do të merrte përgjigjen "deri në vdekje!". Ky është betimi më i kotë, pa vlerë dhe mashtrues që bëhet ë nivelet e ulëta,  mes dy individëve që duan t' i mbushin mendjen njëri tjetrit se "vdesin për njëri tjetrin"..., kur vjen puna në planin mes popullit dhe politikës- atëherë bëhet njëmijë herë më i neveritshëm.

Cila është arsyeja që kryetari i PD, Lulzim Basha, para 48 orëve, u betua para popullit se "do të bëjmë çfarë thau ti popull..., do ti dënimin me vdekje?, ligjin me vdekje do të bëjmë"?! Nuk është një, janë disa arsye që e bëjnë politikën t' i shkojë popullit prapa deri në vdekje...

Arsyetimi i parë

Politika as di as do që të dijë cila është rruga e popullit drejt një të ardhmeje të mirë. Nëse një individ ose një fshat bie në dëshpërim para një vrasjeje makabre, atëherë politika është gati t' i thotë: "çfarë do ë këtë moment çmendurie?, a e do që t'i dënojmë me vdekje fajtorët!?" Po!, thotë populli i dëshpëruar në moment. Në fshatin Shëlli të Matit ku u vranë tre burra nga një njeri i papërmbajtur para krimit, njerëzit kishin të drejtën e zotit të kërkonin hakmarrje me vrasje aty për aty. Gjetën një nga politikanët kryesorë të vendit që iu tha: " Po këtë e bëj unë, më jepni votat se ua sjell vdekjen në vend".

Sikur në çdo moment, sa herë ' katundi' është i zemëruar, ose edhe i dehur, ose edhe i dashuruar, sikur politika të thërrasë: 'Po, unë bëj atë që do ti tani"!- atëherë jeta e shoqërizuar e popullit do të shkonte në greminë. Politika nuk ka pikën e interesit dhe të diturive se çfarë është mirë për popullin e vet, politika është gati- jo ta prijë- por ta ndjekë popullin deri në greminë,' mjaft që të dojë'  populli. Aq më pak politika ka projekte për të ardhmen e popullit. Po nga ato lloj projektesh  që ' katundi' nuk i pranon menjëherë, sepse nuk e kupton se cila është më e mira!. Gjithë bota e përparua bën projekte që populli nuk mund t'i përqafojë menjëherë, por që nesër i dalin për mbarë... Politika që bën projekte edhe ndryshe nga psikologjia e turmës, praktikisht nuk ekziston në vendin tonë.

Arsyetimi i dytë:

Politika është gati të luajë lojën e vjetër të budallait para popullit; nëse populli do të thoshte 'fluturon...., fluturon..., gomari!", politika do të ngrinte dorën lart: Fluturon!. Hipokrizia politikë- popull në këtë klimë majtiste liberale ku ndodhet politika, ka marrë përmasa të frikshme. Ekranet e televizioneve janë mbushur me sjelljet më të shëmtuara të politikës dhe politikanëve. Më të përfolurit për pandershmëri dhe korrupsion - shfaqen si të ndershëm; para publikut sjellin kuintalë me letra e dokumente, video, përgjime dhe fotografi. E gjithë fushata e hipokrizisë ka për synim që  ta bindin popullin në atë që politikani e ka më të lehtë të bëjë. " A do ti populli im, a do përgjime?" .

I mësuar pesë shekuj ' katundi' që të përgjojë e të përgjohet, vdes për teledramat e përgjimit. Vesin e ulët populli është gati ta shkëmbejë me vota. Politikanët e kanë kuptuar se nuk kanë asgjë tjetër çfarë të  ofrojnë për popullin, përveç vesit të ulët. Janë gati ta dashurojnë popullin deri në perversitet e në vdekje.

Arsyetimi i tretë:

Politika lan duart para popullit. Populli nuk do vetëm " dënimin, me vdekje" . Një fshat e helmuar nga vrasja- sot e kërkon dënimin, por nesër në mëngjes e kthen fytyrën për nga ana tjetër: Nesër do të çojë fëmijët në shkollë, do të dalë në punë, do të sjellë në shtëpi mjetet e jetesës për familjen....

Edhe nëse nesër në mëngjes populli do t'i kërkojë politikës më të mirën për jetesën e vet, politika do t' i premtojë përsëri ' po!' atë që do populli' . Gjatë gjithë viteve të diktaturës së egër komuniste udhëheqja e popullit ka bërë 'çfarë donte populli'... Në rastin tonë të lirisë për të zgjedhur, përsëri politika i thotë popullit "po, çfarë të duash"!. Parajsën nga qielli- në tokë e do? Po! Parajsën të sjell". Kusht është vetëm pushteti. " Ti a më jep votën të të jap Qiellin?". Po!

Kjo është marrëveshja e deformuar mes popullit dhe liderit.

A ia jep lideri parajsën popullit?...

As të kundërtën e ' Parajsës' nuk mund t'ia japë. As vdekjen, d.m.th., dënimin me vdekje që premtoi lideri i Demokratikes, nuk mund ta japë.

Lideri paradite premton 'hyrjen në Europë', pasdite - dënimin me vdekje. Në kështjellën e Europës nuk ka dënim me vdekje, as në Vatikan, as në PE, as BE, as KE... Atëherë për ku është nisur lideri, për në inkuizicion, apo për në Europë!

Të paktën në momentin kur populli e shikon se lideri po e 'dashuron për vdekje', në këtë moment edhe mund t' i kthejë kurrizin liderit. Nuk është ende vonë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: