Parlamenti debaton për emrin e ri në Shkup, Kotzias: Pa e miratuar s’ka NATO dhe BE

Parlamenti debaton për emrin e ri në Shkup, Kotzias: Pa e miratuar s’ka NATO dhe BE
Debati në seancë plenare për ndryshimet kushtetuese në Kuvend vazhdon edhe sot. Të hënën e fundit foli Irena Stefoska, deputete e pavarur nga shumica parlamentare, ajo i kushtoi shumicën e fjalimit së saj deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Stefoska tha se deputetët nga VMRO-DPMNE nuk ofruan ndonjë alternativë tjetër në rast se Marrëveshja e Prespës dështon.

Kryeministri Zoran Zaev, ofroi një lloj pajtimi në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Të falim dhe të pajtohemi”, tha ai.

Oferta e tij nënkuptohet si amnisti lidhur me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, 2017 në parlament, ku Zaev ishte ndër më të dëmtuarit bashkë me Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët.

Në komentet e tyre në Parlament, deputetët opozitarë kritikuan mungesën e bashkëpunimit dhe konsultimeve nga ana e pushtetit para nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë fqinje lidhur me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Debati në fazën e parë në seancën plenare në Kuvend, mund të zgjasë 10 ditë.

Ndërkaq kreu i diplomacisë greke Nikos Kotzias i ka çuar një mesazh Shkupit nga samiti i ministrave të Jashtëm në Luksemburg.

“Pa miratimin e marrëveshjes së Prespës nuk do të ketë integrim në NATO dhe BE”, ka deklaruar Nikos Kotzias.

Tre ditë më parë, edhe kryeministri Tsipras deklaroi se alternativa e vetme që Shkupi të integrohet në NATO dhe BE është që Parlamenti i Maqedonisë të votojë këtë marrëveshje.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: