Babeta Shahini: Mbetem besnike e këngëve me muzikalitet dhe e këndimit live

Babeta Shahini: Mbetem besnike e këngëve me muzikalitet dhe e këndimit live
Flet për Albanian Free Press, këngëtarja e njohur e muzikës  popullore, Babeta Shahini: “Eksperienca dhe përvoja ime e gjatë në muzikë, normal që më ka ndihmuar shumë. Falë saj, unë arrij të realizoj me sukses çdo dalje timen në skenë dhe kudo ku këndoj live. Eksperienca më ka bërë që të kuptoj më thellë preferencat muzikore të publikut dhe, si rrjedhojë, të arrij t’i  bëj të ndjehen mirë dhe të argëtohen me muzikën që unë përzgjedh për ta.”

Ka gati dy dekada në skenë, me një karrierë lineari, të importuar në muzikën popullore të përpunuar, gjithmonë e ndjekur nga një grup profesionit që ka mbetur thuajse i pandryshuar. Babeta Shahini nuk ka munguar as këtë vit me disa këngë të reja dhe videoklipe, gjithmonë me larmi në ngjyra e ritme dhe me pak piper e kripë brenda. Rrëfimi i saj ekskluziv për Albanian Free Press na njeh më mirë edhe me profilin e saj femëror dhe shijet në jetën e përditshme.

Intervistoi për Albanian Free Press,  Juela Meçani

Ka shumë pak ditë që ka dalë hit-i juaj më i ri, “Syni kur të pa” dhe duket se po pëlqehet shumë. Si lindi ky bashkëpunim juaj?

Në fakt, kjo është kënga e tretë që unë nxjerr brenda këtij sezoni veror. Para kësaj janë dhe dy këngë të tjera shumë të bukura, “Zjarri dashnis” dhe “Më jep çokollata”. Kështu që bëhet fjalë për një punë më të gjerë bashkëpunuese rreth këtyre projekteve. Ideja e bashkëpunëtorëve të mi  ka qenë, që këto projekte të dilnin në këtë sezon veror, dhe, kjo ide lindi si rrjedhojë e një pauze që bëra unë në tregun muzikor.

Kënga është një etyd dashurie dhe ka ngjyra plazhi. Ju aty dukeni në formë të shkëlqyer. Si u mendua videoklipi i kësaj kënge?

Duke qenë se kënga është shumë lozonjare si natyrë dhe flet për dashurinë, menduam që një klip me ngjyra verore, me kolore,do e plotësonte akoma më shumë mesazhin që përcjell kënga. Klipi u realizua në një pishinë, pikërisht për shkak të ngjyrave të forta që do të kombinoheshin me njëra-tjetrën, për të dhënë idenë e asaj që,  dashuria është po aq e bukur sa dhe ngjyrat.

Besoni tek dashuria me shikim të parë, kjo nisur edhe nga titulli i këngës tuaj?

Po, besoj. Dashuria ekziston në të gjitha format e saj dhe lind në të gjitha mënyrat.

Çfarë preferon të vështrojë më shumë syri i Babetës?

Më pëlqen të shoh qytete të vjetra antike që mbartin histori dhe të rregulluara e mirëmbajtura aq bukur nga dora e njeriut. Më pëlqen të shoh shtëpi të vogla me çati të kuqe dhe me lule ngado. Më pëlqen të shoh natyrshmërinë tek njerëzit dhe jo fallcitetin dhe hipokrizinë që në këto kohë po mbizotëron. Më pëlqejnë dhe shumë e shumë gjëra të tjera që janë aq të thjeshta, por në brendësi  janë shumë madhështore.

Babeta, jeni një nga këngëtaret më me përvojë në muzikën popullore dhe atë të përpunuar. Jeni madje nga të parat që sollët disa bashkëpunime të suksesshme me band-in tuaj. Sa ju ka ndihmuar eksperienca në këto vite?

Eksperienca dhe përvoja ime e gjatë në muzikë, normal që më ka ndihmuar shumë. Falë saj, unë arrij të realizoj me sukses çdo dalje timen në skenë dhe kudo ku këndoj live. Eksperienca më ka bërë që të kuptoj më thellë preferencat muzikore të publikut dhe, si rrjedhojë, të arrij t’i  bëj të ndjehen mirë dhe të argëtohen me muzikën që unë përzgjedh për ta.

Në impaktin e parë, të tingëllon menjëherë ndryshe emri juaj. Nga vjen ai?

Emri im vjen nga një film gjerman “Babeta shkon në luftë”, ku aktorja kryesore është franceze, Brigitte Bardot. Këtë emër ma ka vënë babai sepse atij i pëlqente shumë. Në fakt, edhe mua më pëlqen shumë, sepse është i veçantë dhe jo shumë i përhapur, sidomos në fushën e muzikës, nuk më lindi nevoja për një emër të dytë artistik.

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten?

Unë kam mbaruar Shkencat Sociale, dega psikologji dhe jam e diplomuar, kështu që e shoh veten dhe një psikologe, sepse më pëlqen shumë dhe është pasioni im i dytë.

Publiku ju ka vlerësuar kaq shumë vite dhe ju ka mbajtur në skenë. Po ekonomikisht ndiheni të shpaguar si duhet nga puna juaj?

Në sajë të viteve të gjata të punës që kam live, normal që jam e kënaqur me të ardhurat financiare që kane ardhur si rrjedhojë e kësaj pune. Duhet të theksoj që nuk është dhe aq e lehtë sa duket, sepse ka vështirësi, ka mund dhe përgjegjësi. Kur ti  harxhon kaq shumë energji mendoj që shpërblimin duhet  ta marrësh.

Si e shikoni brezin e ri të këngëtarëve të muzikës shqiptare?

Këto vitet e fundit tregu ka sjellë shumë këngëtarë të rinj dhe tendenca të reja muzikore. Unë mendoj se ndër ta ka shumë këngëtarë të mirë dhe të talentuar që premtojnë shumë, por ka edhe “këngëtarë” që nuk asnjë lidhje me muzikën, por vetëm me show  mediatik. Gjithsesi  unë mbetem besnike e këngëve që kanë muzikalitet brenda  dhe e këngëtarëve që këndojnë live, mbi të gjitha.

Cilin interpretim tuajin keni më për zemër ose cilin jua kërkon më shumë publiku?

Unë kam bërë shumë këngë dhe albume, ndër to kam dhe të preferuarat e mija, si: “Nuk janë më zemrat”, ”Nga malli”  , “Më jep çokollata”…etj. Ndërsa kënga që më kërkohet më shumë nga publiku është kënga “Si karamele”.

Sa e vështirë është jeta e një artisteje, që është edhe nënë, gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Të merresh me muzikë do të thotë që je në lëvizje të vazhdueshme dhe kur je edhe nënë, kjo punë ka vështirësitë e saj. Duke qenë se puna jonë është më shumë natën dhe në  distanca të largëta, më duhet të organizoj gjithçka për ditën në vijim shkaku i fëmijëve, që gjërat të jenë gati. Për mua personalisht, bëhet edhe me vështirë,  sepse unë punoj bashkë me bashkëshortin Ilirin, të cilin e kam shoqëruesin kryesor në punët e mia, që do të thotë që në familje nuk është asnjeri nga ne prezent. Pra, në njëfarë mënyre, na duhet që gjithçka të jetë në vendin e duhur, gjë që nuk është shumë e lehtë dhe kërkon shumë kohë.

Ku e gjeni forcën për të përballuar vështirësitë e jetës?

Tek familja ime mbi të gjitha, tek dashuria, tek pasioni i madh që kam për këngën dhe tek gjithçka e bukur që më rrethon dhe që më frymëzon.

Kush janë pasionet tuaja jashtë këngës?

Pasionet e mia jashtë këngës, përveç  psikologjisë,  përsëri  kanë lidhje me artin, por kësaj radhe me kinematografinë.  Më pëlqen shume filmi, e adhuroj. E kam të pamundur të mos shoh filma, gjithashtu më pëlqen shumë edhe teatri  edhe pse kam kohë pa parë.  Idhujt e mi çuditërisht janë më shumë në botën e kinematografisë sesa në atë të muzikës.

Jeni në punë e sipër për ndonjë projekt të ri?

Po. Faktikisht po merrem me një projekt  te ri, që kësaj radhe  do jetë një surprizë për emigrantët në të gjithë botën. Shpresoj të dalë diçka e bukur, sepse do jetë një këngë me shumë emocion për ata që jetojnë jashtë dhe kanë  mall për vendin e tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: