“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulohet zarfi me helm i Panaritit, lënë Peleshit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulohet zarfi me helm i Panaritit, lënë Peleshit
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. 370 mijë vende pune janë hapur për të huajt në Gjermani. Themi lajm i mirë, pasi mes të huajve sigurisht do ketë edhe shqiptarë, nga ata që nuk pranuan të qëndronin në Shqipëri dhe të shijonin bukën në vendin e tyre.

E meqë ra llafi te buka. Kolegët tanë në një gazetë përditore kishin zbuluar se mielli që futet në vendin tonë ka përmbajtje të rrezikshme. Futja e tij në kufi bëhet pas vendimit numër aq, të nënshkruar nga i ai i poshtri, ish-ministri i Bujqësisë, shoku Edmond Panariti.

Ne pyetëm në këtë Kryeministri, se përse vendimi nuk rishikohet, apo siç thuhet në gazetari revokohet, përderisa sh. Edmond ka 20 muaj që ka ikur.

Ja përgjigja e dërguar prej tyre:

“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju bëjmë me dije se me të marrë letrën tuaj, u vumë në ndjekje të problemit. Ajo që gjetëm është se shoku Panariti përpara se të largohej nga zyra, kishte lënë në sirtarin e tij ku vendoste vendimet, një masë pluhuri mbi një zarf ku mbaheshin dokumentet.

Kjo gjë u pikas nga shoku Niko Peleshi, i cili lajmëroi për këtë gjë shokun Endri, i cili dërgoi menjëherë në vendngjarje një ekip shumë të specializuar, me ekspertë mediatikë.

Hetimet nxorën se ilaçi ishte me veti shumë alergjike, të shkallës "alert-vigjilencë".

Iu la për detyrë shokut Niko, që mos ta prekte fare sirtarin e mos ta hapte atë asnjëherë. Është kjo arsyeja që vendimet e shokut Edmond qëndrojnë akoma të paprekura, jo se nuk ka vullnet qeveritar për të ndaluar miellin serb...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: