“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Arta Marku: Të mbrojmë seksin e dobët, femrat të mos fikin cigaret tek i dashuri

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Arta Marku: Të mbrojmë seksin e dobët, femrat të mos fikin cigaret tek i dashuri
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Numri i të moshuarve në vendin tonë ka pësuar rritje. Themi lajm i mirë, pasi këta do të dynden të blejnë dekoderat televizivë, pasi nuk mund të rrinë dot pa parë telenovelat turke, e kështu, ekonomia e vendit do të pësojë rritje. E meqë ra llafi te dekoderat. Sot po sjellim bisedën e ngrohtë me Prokuroren e Përkohshme, të Përgjithshme, shoqen Arta Marku, e cila falë punës së saj në krye të Prokurorisë, ka mundur që gjatë kohës që ajo drejton, të dekodojë, apo siç thuhet në gjuhë të huaj, të çkyçë shumë çështje penale, që kanë ndodhur në vendin tonë.

Ja bashkëllafosja e shkurtër e nërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoqja Arta! Deshëm të dinim diçka rreth çështjes që ka bërë bujë këto ditë. Atë midis asaj vajzës dhe djalit të deputetit.

Arta Marku: Për momentin nuk mund të flas shumë. Ajo që dua të them është se po punojmë që të gjejmë pronarët e hoteleve, ku qëndrojnë gjithë çiftet e dashuruara.

Antena: Po kërkoni pronarët e hoteleve?! Më falni shoqja Arta, por si aguridhe që jam në këto çështjet hetimore, nuk e kuptoj se...

Arta Marku: Edhe unë pyes veten. Si është e mundur që çiftet shkojnë në hotele dhe ata, d.m.th. pronarët e tyre, nuk kanë të shënuar listën e atyre që hyjnë në to. Mirë që nuk shënojnë këto, por nuk japin as kupton tatimor. Kryejnë evazion fiskal. Mirë kjo, por nuk i përmbahen asnjë kushti kundër zjarrit.

Antena: Kujt zjarri? Të çifteve të dashuruara?

Arta Marku: Zjarrit të cigareve, pra. Po punojmë që të gjejmë se përse në shumë motele, nuk punon sistemi i alarmit të zjarrit të cigareve. Ndezin femrat cigare pa gjë të keq, e alarmi nuk punon. Do e llafos në mënyrë të pavarur me Ulsiun këtë çështje, që ai ta ngrejë në Kuvend.

Antena: Mirë do të bëni. Nuk duhet leju...

Arta Marku: Kjo ngjarje duhet të na bëhet mësim. Si është e mundur, që në hotele hyjnë pa taklif edhe prindërit e të rinjve?! Jo se kjo përbën shkelje ligjore, por mendoj se nuk është e moralshme. E përderisa nuk është e tillë, duhet të jetë edhe e jashtëligjshme. Unë jam përkrahëse e shkollës etiko-juridike, që e moralshmja duhet të bëhet e ligjshme. Do ia them Ulsiut, që edhe këtë ta ngrejë si temë në Kuvend.

Antena: Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. E keni llafin do kërkoni që të ndalohet me ligj që...?

Arta Marku: Sigurisht! Nuk duhet lejuar që dashurinë që kanë të rinjtë, ta ndërpresin prindërit. Ata nëse duan të takojnë dhe bisedojnë me çiftin, le të presin përjashta ndërtesës. Dy orë pritje janë ato të shkreta. Ç'u kushton atyre të rrinë përjashta? Më e keqja qëndron te dhuna e ushtruar në këtë vend. E kam llafin në aspektin teoriko-etiko-juridik.

Antena: E të mendosh që ...

Arta Marku: Duhet të jemi vigjilentë dhe të mbrojmë sa më shumë seksin e dobët. Kjo duhet bërë sa më parë.

Antena: E keni llafin për cilësinë e seksit?

Arta Marku: E kisha llafin te mashkulli. Si gjë e dobët që është, nuk mund të lejojmë që femrat të ushtrojnë dhunë ndaj tyre. Do i kërkoj Ulsiut gjithashtu, të kërkojë në Kuvend, që cilado femër që futet në hotel me paketë cigaresh, mos të lejohet nga hanxhiu.

Antena: Madje as me duhan të dredhur, apo puro...

Arta Marku: Rasti të na bëhet mësim. Një femër nuk mund të rrahë dhe fikë cigaren, te i dashuri i vet. Gjithsesi, nuk kanë faj femrat. Faji është i pronarëve të hoteleve, që nuk mbajnë tavëll duhani në dhoma. Kemi sistem të prapambetur hotelerie. Ha dru mashkulli, e  askush nga punonjësit e hotelit, apo pronari, nuk e lajmërojnë, policinë, e neve si Prokurori të ndjekim çështjen.

Ika tani t'i diskutoj me Ulsiun këto gjëra...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: