“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Stadiumet do t’i ruajë Policia Bashkiake, o burra shisni fiq në rrugë kur ka ndeshje

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Stadiumet do t’i ruajë Policia Bashkiake, o burra shisni fiq në rrugë kur ka ndeshje
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Ndeshjet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë do të sigurohen nga Policia Bashkiake e qyteteve ku do zhvillohen ndeshjet.

Themi lajm i mirë, pasi qenia e policisë bashkiakë në stadium do të bëjë që ata që dalin e shesin ndonjë kile rrush a fiq në rrugë dhe nuk do mund të kapen.

E meqë ra llafi te sporti. Vazhdon ndërtimi i kullës, që siç tha shoku Erion Veliaj, e ka kërkuar një kompani e madhe hotelerie, që ta bëjë hotel me 5 yje, pra duke paguar pak tatime.

E meqë ra llafi te stadiumi. Sot po sjellim për kuriozitet, disa stadiume nga Rumania.

Stadiumi Ion Oblemenko

Mban emrin e  golashënuesit më të mirë të klubit të universitetit, të qytetit të Krajovës. Stadiumi u inaugurua para disa muajsh. Ka 31 mijë vende e ka kushtuar 240 milionë RON, apo 52 milionë euro. Stadiumi plotëson kushtet për t'u luajtur ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe të Kombëtares së Rumanisë. Stadiumi ka të instaluara kamera të një kompanie të famshme gjermane, të tipit ...(Nuk po e themi markën, pasi nuk duan të bëjmë reklamë pa pagesë.

Stadiumi ka katër panele zjarri me 1500 dedektorë të instaluar.

Në stadium janë vendosur, apo siç i themi neve në gazetari janë instaluar gjithsej 211 kamera, të cilat janë të bashkuara në një monitor të vetëm.

Na bëhet zemra mal për popullin vëlla rumun, që përherë ka hapur gjirin e vet për shqiptarët. Kujtojmë p.sh. që para një shekulli e ca, në këtë vend kishte mbi 250 mijë shqiptarë. Vetë Himni ynë Kombëtar le të themi, ka qenë një këngë e njohur patriotike rumune. Stadiumi filloi të ndërtohej në shtator të vitit 2015 dhe përfundoi në nëntor të vitit 2017.

Stadiumi në qytetin e Kluj

Kalojmë te një tjetër klub universitar. Stadiumi i klubit universitetar në qytetin e Kluj. Ky stadium ka një kapacitet prej 30.335 vendesh. Filloi të ndërtohej në nëntor 2008, duke prishur stadiumin e mëparshëm, në të njëjtin vend.

Stadiumi përfundoi në fundvitin 2011. Ka 1464 vende VIP (biznesi). Stadiumi në fillim u mendua të kushtonte 30 milionë, por në fund kushtoi 45 milionë euro. Sigurisht që do rritej kostoja e tij, pasi atë po e ndërtonte shteti dhe bashkia e qytetit. Interesant është fakti që në vitin 2016, kompania publike që menaxhonte stadiumin, kishte për të paguar rreth 3.3 milionë euro në taksa dhe detyrime të tjera, si drita, ujë.

Stadiumi Antaliaspor në Turqi

Tani shkojmë te vëllezërit tanë, në Turqi. Duke qenë se shumë prej nesh kanë shkuar, apo kanë në plan të shkojnë në Antalia, shkojmë edhe ne në këtë qytet bregdetar. Në qershor të vitit 2013, aty filloi ndërtimi i stadiumit për klubin e futbollit Antaliaspor(t). Ndërtimi i tij zgjati 1000 pa 8 ditë. Përfundoi së ndërtuari përfundimisht në tetor 2015. Stadiumi atëherë kushtoi 100 milionë TRY, apo e thënë në euro, rreth 33 milionë, me kursin e këmbimit atëherë.  Kapaciteti i tij është mbi 32 mijë vendësh. Çatia e këtij stadiumi është 16 mijë metra katrorë, ku 75% e saj, ka panele diellore, të lidhur me 6 mijë bateri.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: