“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rrota jonë marshon pa u ndalur...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rrota jonë marshon pa u ndalur...
Satirë

E meqë ra llafi te grekët. “Antena Jashtë Familjes”, më saktë gazetarja jonë simpatike Eglantina, e cila mbulon ekonominë, javën e kaluar kreu një bashkëllafosje me kreun e shoqatës së hotelerisë. Ajo që na bëri përshtypje nga kjo bashkëllafosje, ishte shifra "33 milionë turistë". Bëhej llaf për numrin vjetor të turistëve që shkojnë për pushime në Greqi.

Duke marrë vendin, apo siç i themi neve në gazetari, pozicionin që çdokush që ka mbaruar shkollën tetëvjeçare para vitit 1990, duam të themi:

Greqia ka një popullsi e pakta prej 11 milionë banorësh, duke marrë parasysh edhe ata pa letra që jetojnë atje. I bie që në Greqi shkojmë 3 turistë për 1 banor.

Shqipëria ka një popullsi, le të themi 2.7-8, milionë banorë, pa llogaritur ata  20 afrikanë që do sjellë Rama nga Italia. Duke qenë se siç ka thënë edhe shoku Blendi Klosi që ne presim 6 milionë turistë në vit, i bie afërsisht që në Shqipëri vijnë afërsisht 2.ca turistë, për një shqiptar. (Kjo .ca nuk tregon aspak që ai turist është gjysmak, përderisa ka zgjedhur të pushojë në vendin tonë).

Pra, deri tani qe flasim nëpërmjet shkrimit, ne jemi përafërsisht me Greqinë, për nga numri për i turistëve që vijnë, për çdo frymë vendaliu.

Gjithsesi, kjo ecje rrotë më rrotë midis nesh dhe grekëve, sa u përket turistëve që presim, nuk do jetë e gjatë. Duke parë se shoku Rama ka thënë që së shpejti ne do presim 10 milionë turistë, pra do presim afërsisht 3.ca turistë, për çdo frymë shqiptari.

Kështu pra, së shpejti na lind e drejta të themi krenarisht se rrota jonë, e cila marshon pa u ndalur, do jetë përpara rrotës së Greqisë. (Sqarim. E kemi llafin për rrotën e turizmit. Nuk kemi thënë se Kryeministri që deklaron këto shifra, është rrotë.)

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: